Në krye të herës nuk deshnja të theshnja asgjë për Shukri kryetarin! Gjithë ç’pashë e ç’dëgjova u përpoqa ta fshija me një të rënë të lapsit dhe mbrëmë ndajnatë, pasi pashë Enedën në Eurosong dhe u mërzita, pashë lajmet për baronin e drogës dhe u trishtova, në fund këndova që reforma në drejtësi nuk po miratohet dhe më hipnë xhindtë. Por qenka e vështirë. Sot i math e i vogël, që kur është zgjuar është marrë me të brendshmet e tij të grisura, me gruan që nuk ia ka arnuar, me moralin e baltosur të shoqërisë, me ngjyrën politike që përfaqëson Shukri mavriu, me qeverinë që e ka shpënë në atë detyrë atë pelivan djalë, me popullin që e ka votuar, e me të tërë ne që kush më shumë e kush më pak, jemi njësoj të grisur si ai, veçse ende s’na kanë bërë ndonjë film. Po sot, radhë të gjata shqiptarësh u janë drejtuar dyqaneve, butiqeve, tregjeve për të blerë të brendshme: mallrat stok tani kanë shënuar shitje rekord, fabrikat e trikotazhit ku janë e ku nuk janë kanë rritur numrin e orëve të punës, e madje-madje kanë bërë kërkesa për copë nga jashtë më shumë së zakonisht. Rrobaqepëset kanë ngritur qepenat, kanë blerë penj e gjilpëra të reja: të gjithë po arnohen! Njerëzit bëjën arna të dyfishta dhe blejnë secili të paktën 5 palë të brendshme. “Trikotazhet e Korçës”, kanë nxjerrë nga magazinat e “Republikës Popullore”, kutitë me të linjta e me të leshta por edhe me të mëndafshta pasi kërkesa për to ka qenë marramendëse. Ndërkaq, populli shqiptar, burra, gra, fëmijë e pleq, kanë larë të rrobat e tyre, dhe i kanë nderë nëpër tela në mënyrë të tillë të dukshme që të dallohet lehtësisht se janë pa cene e të reja. Paketime të tëra açeje janë blerë për ti bërë ato të bardha, të bardha si dëbora e Korabit.
Tani vonë mësova se Shukri mavriu qenkësh naiv, i paskan ngritur kurth dhe se vajza e paska provokuar disa herë për një kohë të gjatë. I varfri! Kushedi ç’presione i ka bërë atij vajza, sa që ai buzëqeshte nga zori, ishte mprehur nga zori, gënjente gruan nga zori, e mori në punë nga zori, do shkonte në hotel me të nga zori dhe madje do i ngrinte rrogën po nga zori. Sa naiv, sa i pafajshëm, sa i drejtë e sa gjynah për Shukri mavriun. Le të lutemi për të, le të lutemi për naivitetin e atij shpirti të dlirë e të pastër. Le të lutemi dhe le të bëhemi 1 milionë shuplaka që e mbështesim lirinë e pafajsinë e tij. dhe siç do të theshte Maliqi te “Përrallë” nga e kaluara “atë e kërkon qeveria”, edhe pse “iku karriera, se e mori vesh prefekti, që atë e grabitën dhe i morën paratë”. Eh, si t’u dukën fiqtë Zoti Maliq?
Kemi edhe Marigonë, atë “kuçkën” 20-vjeçare që me djallëzi ia mblodhi një burri të vjetër, e futi në kurth dhe i shkatërroi karrierën, familjen dhe imazhin- të gjitha pa dëshirën e tij. Le të bëhemi 1 milionë shuplaka që ta kryqëzojmë Marigonë.
Në fund, faleminderit 1 milionë shqiptarëve që kontribuan në rritjen e ekonomisë duke blerë e shitur të brendshme!
I Juaji, i Drejti dhe i Pacensuruari, Dr.Gjilpëra
Cdo gje kthehet me menyren qe te takon nje dite sepse mbase je i afte për cdo gje por e drejte vonon e kurre nuk harron