Nga Bjorn Runa
“Tinguj zanorë, instrumentalë (ose të dyja), të kombinuar në mënyrë të atillë për të dhënë bukuri të formës, harmoni dhe shprehje të ndjenjave.” Ky është ndoshta përkufizimi më i thjeshtë që mund të gjendet për muzikën në disa prej fjalorëve online. Por, përpara gjithë kësaj ajo ishte një mjet komunikimi. Tinguj grykorë dhe ritme monotone të përsëritura, drejtuar natyrës dhe njëri tjetrit. U deshën qindra mijëra vite ose ndoshta kohëzgjatja e një frymëmarrjeje të vetme të universit, që ajo të hynte në ekranet e televizioneve, radio dhe në telefonat tanë, aq sa sot ju mund të zgjoheni çdo mëngjes nga kënga juaj e preferuar, gjersa të nisni ta urreni.
Muzika sot nuk ka të bëjë më thjesht me shprehjen e ndjenjave, e aq më pak mund të quhet një mjet komunikimi. Ajo tashmë është një industri, nga më fitimprurëset, e cila ka kaluar thuajse gjithë etapat që do të kalonte çdo industri tjetër. Por, nëse në pjesën më të madhe të botës ndryshimi mes këtyre etapave ka qenë më i zbutur, me fenomene muzikore të ndërmjetme, në Shqipëri koha nuk ka qenë aspak e mëshirshme. Ndarja e tmerrshme ‘para dhe pas’ ’90-ës, i detyroi shqiptarët të kalonin nga këngëtarët gri, statuja të ftohta e të palëvizshme në qendër të skenës, tek imitime të shëmtuara të asaj ç’ka vinte nga jashtë, eksperimente për të sjellë diçka ndryshe e deri tek veshjet shumëngjyrëshe rropulli-nxjerrëse, të cilat ishin dhe vetëvrasja artistike e kohës.
Mes morisë së rrymave dhe këngëtarëve që kullojnë autotune, një nga rrymat më të dëgjuara, por edhe më të lëvruara në tregun muzikor shqiptar, është edhe ajo e muzikës hip-hop. Artistë të ndryshëm janë shfaqur dhe zhdukur më shpejt nga ç’kemi mundur t’iu mësojmë emrat, duke lënë pas vetëm ndonjë këngë qesharake, e cila sot vlen vetëm për ndonjë status ironik nëpër rrjete sociale. Megjithatë, nuk kanë qenë të paktë ata të cilët kanë arritur t’i mbijetojnë kohës, ndonëse jo gjithmonë falë talentit dhe punës së tyre.
Hip Hopi shqiptar ka një histori të shkurtër, me disa krijime që ia vlejnë dhe me problemet e tij. Më kryesori, mungesa e kreativitetit. Jo rrallë muzika është e kopjuar kokë e këmbë, pa më të voglën përpjekje për t’i dhënë asaj diçka nga vetja. Por, ka edhe më keq, kur të duhet të dëgjosh beat-e të vjedhura, të përçudnuara në atë mënyrë sa nuk ke të bësh më me Hip Hop, por me një tallava të neveritshme. Problemi tjetër është getoarizimi i teksteve. Të gjithë duan të flasin si Ai, të këndojnë si Ai, ndonëse tekstet e tij janë më qesharaket dhe më të pakuptimtat në historinë e Hip Hopit shqiptar. Nëse dikur muzika Hip Hop ishte e gjitha për rima dhe tekste sa më të gjetura, sot nga artistët shqiptarë të kësaj rryme mund të dëgjoni perla të tipit: “Hej syri syri t’kam pa tek Myslym Shyri,” apo “Mos m’nguc mu man se vij ta kapi macen,” të cilat ndoshta do të ishte mirë t’i varrosnim po aq thellë sa mbetjet nukleare, për të mos infektuar artistët e rinj.
Por, faji i kujt është që këngë të tilla – të denja për paralajmërimin “Kujdes, shkakton kancer!” – arrijnë të kthehen në hite? Shpesh, faji i takon medias, por jo rrallë edhe dëgjuesve. Pjesën më të madhe të kohës, ne zgjedhim të bombardohemi nga video rrëzëllitëse makinash të shtrenjta, plazhesh përrallore e ndërtesash luksoze, duke harruar të dëgjojmë muzikën; duke mos i kushtuar kurrfarë rëndësie tekstit.
Zgjidhje për të shpëtuar muzikën shqiptare e sidomos atë Hip Hop, do të ishin radiot e dedikuara. Në fund të fundit, askush nga ne nuk del në rrugë duke mbajtur në krahë ekranin e televizorit për të parë dhe dëgjuar muzikë. Në fund, jemi thjesht ne duke vrapuar teksa dëgjojmë muzikë në kufje, apo duke u përpjekur t’i mbijetojmë kaosit të trafikut pas radios së makinës. Fatmirësisht, përpjekjet për këtë nuk mungojnë. Kanale radiofonikë si “MCN Radio,” të cilët përpqien të mbajnë gjallë Hip Hopin e vërtetë shqiptar nëpërmjet muzikës së luajtur, por edhe nëpërmjet mundësisë së dhënë talenteve të reja për të provuar veten. Sepse, në fund, ndoshta muzika nuk e ka humbur krejtësisht rolin e saj fillestar, atë të komunikimit.