Në kuadër të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Heroit të Popullit Isa Boletini, Muzeu Historik Kombëtar organizoi një takim përkujtimor në nder të tij. Historianë, veteranë dhe të tjerë të interesuar për figurën e Isa Boletinit ishin të pranishëm në këtë takim. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Melsi Labi përshëndeti të ftuarit dhe gjatë kumtesës së tij “Objektet e Isa Boletinit në Muzeun Historik Kombëtar“ tha se, “Jemi mbledhur sot për të kujtuar një nga figurat e ndritura të kombit shqiptar, Isa Boletinin, i cili nga atdhedashuria sakrifikoi jetën e tij. Muzeu Historik Kombëtar ka të ekspozuara disa objekte të Isa Boletinit, ndër të cilat janë xhanadani dhe një revolver me mulli, i tipit Gasser, model 1873, të cilat janë përdorur nga Isa Boletini. Pas vrasjes së Isa Boletinit nga forcat malazeze Adem Boletini i mori objektet e tij dhe i fshehu në murin e shtëpisë së Hasan Bekteshit nga Shkodra, i cili ishte i vjehrri i Isa Boletinit. Në maj të vitit 1982, pas shembjes së shtëpisë së Hasan Bekteshit, objektet dolën në dritë dhe iu dhuruan Muzeut Historik Kombëtar. Kohë pas kohe Muzeut Historik Kombëtar i janë dhuruar edhe disa objekte të tjera që janë përdorur nga Isa Boletini. Një ndër to është edhe ora e dorës, e cila në pjesën e brendshme të kapakut janë gdhendur fjalët: “Isa Boletini 1815-1899”. Mendohet se viti 1815 lidhet me ngritjen e Manastirit të Sokolicës, ndërsa 1899 është viti kur ora iu dhurua Isa Boletinit nga i pari i manastirit në atë kohë. Shpata e Isa Boletinit, si edhe një pipë prej argjendi e përdorur prej tij ndodhen gjithashtu në muze. Pipa iu dhurua muzeut nga Isa Boletini (i riu), i nipi i Isa Boletinit. Gjithashtu në Muzeun Historik Kombëtar gjendet një shtatore e Isa Boletinit, e cila ka autorësinë e skulptorit Shaban Hadëri“.
Prof.Dr. Fatmira Musai në fjalën e saj bëri një panoramë të veprimtarisë së Isa Boletinit, ku theksoi rolin në luftë për liri të Isa Boletinit dhe konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar. Pasardhësi i familjes së Isa Boletinit, z.Adrian Boletini, falenderoi gjithë të pranishmit dhe Muzeun Historik Kombëtar për këtë organizim. Ai lartësoi figurën e stërgjyshit të tij, në luftën për liri të atdheut nga zgjedhja osmane dhe tregoi për historinë e kullës së Isës në Mitrovicë dhe udhëtimet e tij në Angli gjatë veprimtarisë së tij. Ndërsa Petro Luarasi, djali i Skënder Luarasit, bëri një monografi të veprës së babait të tij kushtuar Isa Boletinit botuar në vitin 1968.
Nga shkolla 9-vjeçare “Isa Boletini” në Tiranë, i pranishëm ishte një nxënës, i cili recitoi një vjershë kushtuar Heroit të Popullit Isa Boletini.