Përveç disa ndërhyrjeve të pjesshme, institucioni më i madh muzeor, me gjithë problematikat e tij si në gjendjen fizike edhe në linjën historike, do ti nënshtrohet rikonstruksionit.
Me këtë fjalë drejtori Dorian Koçi nuk nënkupton një mbyllje të përkohshme të Muzeut Historik Kombëtar.
Ndërhyrja nuk do të jetë vetëm në parametrat e lagështisë, temperaturës, dritës, ajrimit apo të insekteve që depërtojnë nga mjedisi përreth në objektet e trashëgimisë tonë kulturore, por edhe një qasje sa më afër të vërtetës ndaj ngjarjeve historike.
Pas një dekade odiseja e pavijonit të etnografisë vazhdon. I vendosur në një nga hapësirat e katit të dytë të Muzeut Historik Kombëtar, i ideuar me 1500 objekte, 1100 nga Instituti i Kulturës Popullore dhe pjesa tjetër nga fondi i vetë institucionit, ai vazhdon të qëndrojë i mbyllur.
Por vendime janë marrë për 2018-ën, i shpallur si viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Një ekspozitë me gravura të veçanta të shekullit XV dhe sjellja e një pjese të dokumenteve nga Raguza, Dubrovniku i sotëm, aty ku ruhet edhe arkiva më e madhe për heroin kombëtar, janë disa nga angazhimet e Muzeut Historik Kombëtar.
Intervista e plotë me Dorian Koçin, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar
Në vitin mbarëkombëtar të heroit tonë Gjergj Kastriot Skënderbeu, cilat janë aktivitetet që Muzeu Historik Kombëtar po organizon?
Kemi menduar që në kuadër vitit të Skënderbeut të hapim një ekspozitë me gravura të veçanta të shekullit XV, nga libra të veçantë të historisë së Barletit që është botuar në gjermanisht apo latinisht. Këtë e kemi bërë me ndërgjegje të plotë për të dhënë sa më afër realitetin se si është perceptuar në Evropë, figura e Skënderbeu, në atë kohë. Ajo që shpesh ne na ka ardhur nëpërmjet arteve figurative, është një art figurativ i realizmit socialist ku janë përdorur imazhe të ndryshme të Skënderbeut kurse duke e rikthyer atë pikërisht në kohën e vet, Muzeu Historik Kombëtar, synon për ta parë në një plan gjithëpërfshirës. Synojmë që këtë ekspozitë ta çojmë edhe në qytetin e Dubrovnikut, pikërisht në vendin ku ndodhen më së shumti arkivat e Skënderbeut, ish Raguza e vjetër. Ka një dokumentacion të pasur dhe nuk ka ardhur i gjithi në Shqipëri. Jemi në kontakt që ato të vijnë për të pasur një qasje të drejtpërdrejt ndaj vetë dokumenteve dhe fakteve origjinale.
Paralelisht me angazhimet për vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar është një nga institucionet që do ti nënshtrohet rikonstruksionit. Duhet të nënkuptojmë një mbyllje të përkohshme?
Rikonstruksioni do të bëhet me tre faza, pra nuk do të mbyllet, në bazë të një koncepti i cili është duke u punuar. Nuk është një projekt që mbaron brenda një viti, pasi një rikonstruktim kërkon kohë, kemi shembullin e Teatrit të Operas dhe Baletit. Besoj që si Muzeu Historik Kombëtar edhe Galeria Kombëtare e Arteve do ta mbyllin procesin e tyre në vitin 2021. Do të ketë një rikonstruksion të të gjitha hapësirave të godinës e ndërtuar në vitin 1981, e cila ishte projektuar për të pasqyruar atë lloj linje historike dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka patur ndërhyrje të pakta.
Cilat janë “dobësitë” e kësaj godine, aty ku ndërhyrja është edhe më emergjente?
Duke parë që prej shumë vitesh muzeu kishte humbur ngrohjen, ruajtjen e temperaturave, ndriçimin dhe xhamarinë e cila duhet të jetë sipas të gjitha standarteve u mendua që ku ri-konceptim të mos ishte me arna apo duke u marrë vetëm më një pavijon. U mendua tërësor. Si shembull do të kemi Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë.
Muzeu nuk është vetëm godina, por edhe linja muzeale? Duke qenë se jeni ende në proces, keni një ide si do të zhvillohet ajo?
Do të ketë ndërhyrje për sa i përket jo thelbit në vetvete por ngjyrimeve nga ideologjia e kaluar të cilat kanë mbetur, për shembull, edhe në pavionin e arkeologjisë edhe të mesjetës nuk kemi pasqyrime të drejtpërdrejta të epokave apo kohës por kanë mbetur siç ishte viti 1981. Ndërkohë që muzeologjia ka evoluar. Përmes butaforive apo imazheve të tjera ne mund të arrijmë ta sjellim epokën më afër vizitorëve. Duke pasqyruar të gjithë ecurinë historikë kombëtare të shqiptarëve por edhe qytetërimeve, civilizimeve të ndryshme, sepse Shqipëria dhe qytetërimi i saj ka qenë pjesë e qytetërimeve të ndryshme evropiane, të cilat ne nuk i kemi fort të pasqyruara, ose në vitin 1981 nuk mund të pasqyroheshin, siç mund të ishte për shembull kontributi i klerikëve shqiptarë në shkrimin e gjuhës shqipe.
Një nga periudhat me ndjeshmërinë më të lartë do të jetë e ish regjimit komunist.
Do të jetë një nga periudhat më të vështira. Unë mendoj se në vitet e fundit debati mbi këtë pjesë të historisë ka qenë i frytshëm. Shoqëria ka evoluar dhe ka specialistët e duhur si në Institutin e Historisë apo edhe anëtarë të Akademisë së Shkencave, do të mundohemi të jemi gjithëpërfshirës. Nëse e shikojmë sot pavijonin e Luftës antifashiste Nacional- Çlirimtare ka patur një komision bi-partizan, me historianë të ashtuquajtur të majtë apo të djathtë. Unë nuk besoj se historianët duhet të etiketohen kështu, por duke patur dokumentacionin përkatës ata mund të shprehin frymën e epokës.
Çfarë po ndodh me pavionin e etnografisë? Një projekt i nisur por i pa-finalizuar?
Në kuadër edhe të ri-konceptimit etnografia do të jetë një nga pikat kyçe të përcaktimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe bashkë me arkeologjinë, ikonografinë do të jenë le të themi si pika referimi të përfaqësimit të vendit tonë. Do të ketë një rishikim, jo për nga përmbajtja, por vendosja dhe pasqyrimit hapësirën e Muzeut Historik Kombëtar.
Pra deri në ri-konceptimin e linjës muzeale, pavijoni i etnografisë nuk do të hapet?
Jemi në konsultime. Në një moment të duhur dhe të caktuar do të merret vendimi dhe ai do të hapet./Klan