Fatmira Nikolli “GSH”
Lumturi Dhrami, grafistja e parë shqiptare e (pa)zbuluar nuk mori pjesë dje në konferencën për shtyp mbajtur për ekspozitën e saj të parë dhe të fundit. Imazhi i saj mbetet ‘në hije’ nga një fotografi e rinisë së hershme, stampuar mbi ftesën prej kartoni të Galerisë Kombëtare të Arteve. Në vend të Lumturisë, i shoqi, “Skulptori i Popullit” Muntaz Dhrami, iu përgjigj interesit të medias, për artisten. Një rini në Varshavë(çka duket të ketë përcaktuar karakterin e saj si artiste) ka lënë gjurmë në nudo të mëdha që varen në hyrje të ekspozitës. Ndërsa talenti, ndihet te të gjitha punët, edhe kur e errëta komuniste ndrin në grafikat e Shqipërisë në ndërtim dhe njeriut të ri. “E donin minatorin më të qeshur, e donin mbi tokë; punë e madhe! Artisti është një kompleks natyrash: dikush e përjeton me dhembje e dikush jo”, – tha dje Dhrami, ndërsa shpjegonte kohët e krijimit të veprave. Bashkëshorte dhe nënë, Lumturi Dhrami u shfaq me 30 vite karrierë – karrierë e cila ndaloi në vitin 1986. Plot 30 vite më parë, ajo ishte vetëm 50 vjeçe, por ndaloi së bëri art. I shoqi e justifikon me sëmundjen dhe pse pyetet nëse kanë ndikuar limitet e tematikat e kërkuara asokohe. “Unë kam qenë në organet e partisë. Vetvetiu nuk e lija që të devijonte në këto probleme e që të krijohej ndonjë dramë. Orientoheshim me kërkesat e opinionit publik. Vepra e artit ishte ndihmëse në edukimin komunist të masave”, thotë ai, duke mohuar që e shoqja, talenti i fshehur në krahun e tij të djathtë të ketë ndjerë censurë.
Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, tha në konferencë se çifti Dhrami njihen në vitin 1951 në Lice, një njohje që vazhdon deri më sot. “Janë vepra të ndryshme, grafika të veçanta, sepse Lumturi Dhrami është grafistja e parë e diplomuar. Në këtë miniretrospektivë ne prezantojmë një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së saj. Kryesisht janë koleksion i vetë artistes. Kjo ekspozitë çpluhuroset, sepse janë shumë vepra: vizatimet në letër kanë qenë pjesë e arkivave familjare dhe ngelen në atë memorie”, – nënvizoi Shabani.
Ekspozita mund të vizitohet nga data 10 deri më 21 shkurt 2016. E kuruar nga Ylli Drishti, ajo prezanton krijimtarinë e saj në grafikë në një periudhë 30-vjeçare (1956 – 1986). “Pavarësisht realitetit dhe atmosferës artistike, apo ndikimeve politike e sociale, Lumturie Dhrami përdori vazhdimisht elementët modernë të grafikës dhe veprat e saj mbeten një vlerë e pamohueshme në artin pamor shqiptar”, – tha kuratori.
Ciklet e kësaj përfshijnë disa tematika: Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare – (“Shtypi ilegal”, “Vdekje fashizmit, liri popullit”, “Greva e Kuçovës”); nga jeta dhe puna e ndërtimit të socializmit (“Epoka jonë”, “Fshatari”, “Gruaja që pi ujë”, “Agronomja”, “Rruga jonë”, “Ndërtuesi”, “Punëtori i peshkimit”, “Ushtarët”).
Vetë Muntaz Dhrami duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dhe mbi njohjen, marrëdhënien dhe krijimtarisë e së shoqes, një artiste që del përmes punëve, pa e nxjerrë imazhin e saj, as zërin dhe mendimin, që mund të përftohet jashtë veprave, që kanë ndaluar së foluri tri dekada më parë.
–Të parat punë të saj janë nudot, të krijuara më 1956, por moderne për kohën. Ku i ka realizuar?
Të gjitha nudot që ka bërë janë punime të kurseve të ndryshme në Varshavë.
-A ka ndikuar emri juaj, si artist i njohur, në faktin që ajo ka mbetur në hije?
Ajo ka pasur emrin e saj, vendin e saj në ekspozitë. Unë prezantohesha me tjetër gjë, ajo me tjetër gjë. Ajo kishte individualitetin e saj, dhe si e tillë zuri vendin e saj. Unë, duke qenë “Skulptor i Popullit” dhe duke u marrë me evenimente, kam qenë pak më i evidentuar në këto gjëra. Ndërkohë ajo ka botuar në organet e shtypit dhe ka punuar në revistën “Shqipëria e Re”. Unë vetvetiu kam pasur një gamë më të madhe. Ajo është marrë me familjen dhe kemi dy fëmijë shumë të mirë.
–Nuk e keni lënë në hije?
Nuk e kam lënë në hije, monumentet bien më tepër në sy, por edhe floriri është i vogël, por vlerën e ka të madhe.
-Përse krijimtaria e saj mbyllet në vitin 1986?
Kanë ndikuar në një farë mënyre shumë gjëra, sepse tematikat e caktuara mund t’i ketë bërë me shumë sforco. Ato ishin tematika që u jemi përshtatur që të gjithë ne artistët, ishim të detyruar që të bënim temën e klasës së punëtorit.
-A u jepte ajo elementë modernë punëve të saja?
E vështirë ajo, se unë isha nëpër komisione të ndryshme dhe mund t’i hiqja punën asaj nëse do shihja shfaqje formalizmi, që e kemi bërë me të tjerë.
–A ishte kjo çështje temë debati në shtëpinë tuaj?
Po! Ajo në një rast të tillë e linte punën fare dhe nuk merrte pjesë.
–Artisti e vuan çastin kur vendoset brenda kornizave?
Po, kështu është thënë, që e vuan. Unë nuk kam vuajtur. Kur thuhej që do bëhet ekspozitë për klasën punëtore unë s’e kam vuajtur, e kam bërë me dashuri. Ah, më kanë thënë njëherë nga udhëheqja e Lidhjes, që kisha bërë një cikël nga miniera, isha futur në galeritë e Drenovës, më thanë që ishin shumë të errëta. U thashë që i kisha vizatuar poshtë në galeri. Nuk u ekspozuan. Por unë nuk u thashë gjë. E donin minatorin më të qeshur, e donin mbi tokë; punë e madhe! Ato mbeten. Artisti është një kompleks natyrash: dikush e përjeton me dhimbje, si puna e profesor Paços, dikush jo, thotë s’ka gjë, i bëj më të mira unë, bëj të tjera. Unë nuk çaj kokë për këto debate që bëhen.
–Bashkëshortja juaj, kishte dhimbje?
Jo, nuk kishte dhimbje. Unë kam qenë në organet e partisë. Vetvetiu nuk e lija që të devijonte në këto probleme e që të krijohej ndonjë dramë. Orientoheshim me kërkesat e opinionit publik. Vepra e artit ishte ndihmëse në edukimin komunist të masave.
–Censura niste në shtëpi?
Jo, nuk është punë shtypje. Orientoheshim me kërkesat e opinionit publik. Vepra e artit ishte ndihmëse në edukimin komunist të masave. Arti, kështu ishte. Tani është ndryshe, tani arti është kthyer në lojë, nuk ka përjetime të ndjera. Nuk sheh më në ekspozita figurë lypësi. Mania për t’u larguar nga realiteti është një devijim. Natyra i ka frymëzuar artistët e si e interpreton është tjetër. Unë kështu e shoh: nëse do të bësh një gjë që të krijosh kënaqësi, nuk ke pse t’i shtrembërosh, arti është objekt i së bukurës.
-Përveçse si artiste, çfarë vlerësoni te zonja juaj?
Sinqeritetin e saj, është si karakter shumë e sinqertë, unë jam më dinak (qesh).
-Jeni njohur shumë herët, në Liceun Artistik. Kur u dashuruat?
Nuk mund të them se jemi dashuruar që me shikim të parë, por të dy kemi qenë të përfshirë në aktivitetet e rinisë, unë isha Sekretar i Rinisë i Liceut Artistik, këtë e caktuam udhëheqëse për pioniere dhe shumë nga pionierët si Ibrahim Madhi dhe artistë të tjerë. Ajo ka një cikël me foto nga kjo periudhë, dëgjonim Radio Postën bashkë, dikush kishte numrin tre, dikush pesën. Më pas jemi takuar në mbrëmjet e vallëzimit. Kur u kthyem një herë nga pushimet, ia mbajtëm dorën gjatë njëri-tjetrit.
Ndërkohë ishim miqësuar, unë i shkova vetë në familjen e saj dhe takova prindërit. Më pas, u lidhën familjet, ishin prindërit e Lumes me nënën time. Edhe sikur të kishte në mendje ndonjë që të prishte afrimitetin tonë, nuk e linin familjet. Por ajo në vitin 1956 iku në Poloni. Unë kam qenë gjithë natën duke pritur, që t’ia bëja me dorë avionit.
-Çfarë mund të thoni në fund për këtë ekspozitë?
Për ekspozitën mund t’i them urime gruas sime. Ajo e ka përjetuar këto ditë; nuk donte që kjo të bëhej, por unë doja që ta vija në vendin e vet.