“Morfologjia e shpirtit”, bipolariteti i mallit, dashuria e urrejtja

“Morfologjia e shpirtit” nga Luan Topçiu, botim i Shtëpisë Botuese e “Ombra GVG”, sapo ka dalë nga shtypi si pjesë e kolanës “Ars Longa”.
Libri përmban ese për shpirtin, me manifestimet më të mistershme të tij si: melankolia – ky dielli i zi dhe mit kulturor, mbi nostalgjinë, mbi bipolaritetin e mallit, një sprovë e gjatë i kushtohet ndjenjës më komplekse njerëzore – dashurisë, duke vazhduar me harrimin dhe duke e mbyllur me urrejtjen. Libri ka 264 faqe dhe është një qasje në periferi të letërsisë, në margjinat e filozofisë, të psikologjisë, te estetikës, të artit figurativ, me shembuj e komente nga Albret Durer, George De Chirico, Eduard Munch, Marc Chagall, Pablo Neruda, Charles Baudelaire, Sergei Esenin, Lucian Blaga, Georgie Bacovia, Paul Verlaine, Eminescu, tekste biblike si “Kënga e Solomonit” etj.
“Qasja drejt shpirtit nuk mund të bëhet ndryshe, veçse në forma metaforike. Asgjë racionale nuk mund të na ndihmojë të hedhim dritë mbi shpirtin, asnjë laborator, sado i sofistikuar qoftë ai, asnjë instrument i dixhitalizuar i teknologjisë më të lartë nuk mund të na ndihmojë dot, veçse vështrimi metaforik, veçse qasja e figurshme, sepse vetëm metafora mund të ndriçojë mendimin në mënyrë irracionale. Kur madje as Uni nuk na ndihmon të mësojmë se nga na vijnë idetë dhe emocionet tona, mënyrën sesi vinë tek ne, pse vinë në këtë formë dhe jo në një tjetër, pse janë kaq të ndryshme për individë të ndryshëm, vetëm përmes irracionalitetit të metaforës mund të sondohet në anët më të thella të realitetit.”
(…) “Metafora, në këtë kontekst, nuk është një figurë letrare e stilistike, por është e vetmja mënyrë që mund të shprehë në mënyrë të tërthortë një përmbajtje, që nuk mund të shprehet ndryshe. Të ndodhur në këtë zonë, thërrasim në ndihmë metaforën, shembujt nga letërsia, arti, mitologjia, ëndrrat që janë të vetmet mënyra për të përftuar imazhe të shpirtit.”
Libri iu drejtohet të gjithë atyre që duan të dinë diçka më shumë për shpirtin e tyre, për ndjenjat bazë që na shoqërojnë e kaplojnë gjithë jetën, për kulturën, artin etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *