Molier me “Shkolla e grave” në Tiranë

Premiera më e re e Teatrit Kombëtar Eksperimental eshte “Shkolla e grave” e autorit te famshem Molier. Nje shfaqje qe i kushtohet publikut adoleshent, me nje koncept modern e totalisht eksperimentale. Premiera  do te jete kete te marte, datë 28 shkurt, në orën 12:00, si një super komedi nga Molier, e para pjesë e tij e shkruar në vargje dhe e vlerësuar si vepra më e fisshme e tij.

Arnolfi, një burrë 42 vjeç, i pasur e pedant, nga frika e të qenit i tradhtuar, ka thurur një plan krejt të veçantë; ka zgjedhur për grua një vajzë 17-vjeçe, krejt të paditur. Sipas tij nëse merr një grua të mençur, atëherë fati yt varet nga duart e saj, ama nëse merr një të humbur, të ruhet nderi nga turpi e pabesia.

Po ndërkohë në qytet mbërrin Horaci, djali i mikut të tij, i cili, pa e ditur identitetin e dyfishtë të Arnolfit, i rrëfen atij se ka rënë në dashuri me Anjezën naive, vajzën që e mban mbyllur një far mesoburri krejtësisht i marrë e xheloz.

Situata nga më komiket që të mbajnë të mbërthyer. Zbulime ndjenjash. Rrëfime dashurish rinore nga më poetiket përballë dhimbjes së xhelozisë fodulle. Pushteti i mashkullit mbi femrën dhe dhuna psikologjike, përballë çiltërsisë djaloshare. Dy të rinj që mësojnë nga dashuria e pastërt dhe dikush që jep leksione jete të sprovuar. Cili është shkollimi më i arrirë: ai përmes ligjeve njerëzore, apo përmes ligjeve natyrore?

“Shkolla e grave” – Shkolla e dashurisë dhe e shpirtit, shkolla e adoleshentëve që dinë të dashurojnë.

Teksti: Molier, Përkthimi: Prokop M. Gjergo , Regjia: Endri Çela, Kostumografia: Sofi Kara, Skenografia: Beqo Nanaj

Interpretojnë: Donald Shehu, Françeska Hysi, Matia Lluapa, Adriana Tolka, Deljana Topulli, Xhuliano Brisku, Emiljano Bufazi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *