Një problem që meriton diskutim, lidhet me vetë emrin e poetit: Mjeda apo Mjedja?
Profesor Kolec Topalli, sqaroi dje në konferencën për 150-vjetorin e lindjes në BKSH, se cili është mbiemri i saktë i poetit dhe pse forma e tij, ndryshe dihet dhe ndryshe ka qenë përdorur prej vetë poetit.
“Në pamje të parë duket si gjë pa rëndësi, vetëm një tingull i shtuar. Por e vërteta është ndryshe. Bashkëtingëllorja -j- ka një shpjegim shkencor dhe vetë autori e shkruan me këtë bashkëtingëllore. Pra, jo trajta Mjeda është më e hershme dhe kësaj i është shtuar bashkëtingëllorja -j-, por Mjedja është më e hershme, kurse Mjeda më e re dhe e dalë prej saj. Atëherë, si shpjegohet trajta Mjedja?
Dihet se poeti e mori patronimin prej emrit të fshatit. Po të shkosh në vendlindjen e poetit, të vjetrit e quajnë fshatin e tyre Mjed dhe në të shquarën Mjedja; domethënë emri bën pjesë në një paradigmë të zhdukur emrash të gjinisë femërore, që në të pashquarën dilnin me bashkëtingëllore njëlloj si mashkullorët, kurse në të shquarën merrnin nyjën -ja, si: shëndet ~ shëndedja, vullnet ~ vullnetja, short ~ shortja, gjeth ~ gjethja; në toponimi: Lesh ~ Lezhja, Shkup ~ Shkupja, Mat ~ Matja, që në rasën gjinore bën Matsë, Bregu i Matsë. Edhe sot në Shkodër thuhet: a të ka mbajtë shndedja?
Nga ana etimologjike, mjet ka kuptimin ndërmjet, siç e thotë Mjeda në një poezi: ‘Tue ra borë tue fry murrlani,/mjet dy vorreve si i lis,/ afër gropës që vetë e bani,/ djali i vogël u molis’. Kjo mjet lidhet brenda gjuhës edhe me parafjalën me dhe me emrin mjet ‘vegël’, si në gjerm. që ka mit ‘me’ e Mittel ‘mjet’. Si u bë kalimi nga Mjedja në Mjeda? Shumë lehtë. Meqenëse emri përmban dy bashkëtingëllore të njëjta, njëra prej tyre ra me anë të zhdukjes disimilatore. Dhe ky evolucion ka prekur edhe emrin e fshatit, edhe patronimin, që gjendet me shumicë në qytetin e Shkodrës”.