Microsoft ka lançuar së fundmi disa funksionalitete të reja, ekskluzive për “Platformën Universale Windows”, që është një platformë brenda platformës dhe që përbën një hap drejt monopolizimit të shpërndarjes së aplikacioneve. Në këtë mënyrë Microsoft është duke iu thënë zhvilluesve të softuereve se ata mund t’i përdorin këto funksionalitete të reja vetëm nëse pranojnë t’i nënshtrohen kontrollit të sistemit të ri të izoluar (Universal Windows Platform). Gjithashtu, kjo iu heq përdoruesve lirinë për të instaluar programe me funksionalitete të plota, si dhe pengon të drejtat e zhvilluesve dhe publikuesve për të mbajtur lidhje direkte me klientët e tyre.
Sipas “The Guardian” porblemi me platformën e re të Microsoft është se ajo do të jetë e izoluar dhe kjo do ta bëjë të pamundur që ju të shkarkoni programe të përshtatshme për të nga website-et e prodhuesve të tyre. Madje, jo vetëm kaq, ju nuk do të keni mundësi as t’i instaloni apo përditësoni këto aplikacione nëse nuk i merrni nga “Windows Store,” që do të jetë dhe “dyqani” zyrtar i Microsoft për aplikacione dhe lojëra.
Zgjidhja e vetme për një çështje të tillë duket se mbetet vetëm nëse “Platforma Universale Windows” do të arrijë të sigurojë mbështetjen e prodhuesve të mëdhenj të lojrave dhe programeve për kompjuterat personalë. Por, kjo pritet të ndodhë vetëm nëse platforma e re do të jetë e hapur, dhe e mundshme për t’u përdorur nga të gjithë.
“Megjithatë,” – thotë Tim Sweeney për “The Guardian” (themelues i një prej kompanive më të mëdha të lojrave për Windows) – “qëllimet e Microsoft duhen gjykuar nga veprimet e tij dhe jo nga fjalët. Dhe, veprimet flasin qartë: ata po punojnë për ta shndërruar ekosistemin e hapur të PC-ve sot në një monopol të izoluar e të kontrolluar vetëm nga Microsoft. Nëse kompania nuk ndryshon kurs, të gjitha kompanive të mëdha, të pavarura që prodhojnë aplikacione për kompjuterët personalë u mbetet të zgjedhin: ta kundërshtojnë një vendim të tillë ose të humbasin kontrollin mbi marrëdhëniet e tyre me klientët dhe të vazhdojnë të bëjnë biznes nën kontrollin ekskluziv të Microsoft. Përgatiti: B.Runa