“Mësimet e natës”, çfarë la pas Betim Muço

Në përvjetorin e ndarjes se tij nga jeta, shkrimtari i njohur BETIM MUÇO vjen sërish për lexuesin, duke u rikthyer në njërën prej formave më të bukura me të cilën mund të kujtohet dhe nderohet një autor. Takimi në librari.
“Botimet Poeteka”, nën titullin “MËSIMET E NATËS”, publikon përrallat e Betim Muços. Janë 101 përralla, të cilat ky autor ua ka kushtuar fëmijëve të tij ndër vite. Që në krye libri është konceptuar me tri pjesë të veçanta brenda një tërësie rrëfimtare, që i lidh elementi autor dhe elementi përrallë, por që dallohen për nga tematika dhe sidomos për nga stili i rrëfimit, i ndryshëm për secilin nga librat.
Libri parë brenda LIBRIT i është kushtuar Sagitës. Ai mban titullin “ËSHTË Ç’NA ËSHTË”, janë 39 përralla.
Libri i dytë brenda librit “MËSIMET E MESNATËS” të shkrimtarit Betim Muço, i kushtohet Fedorës, mban titullin e brendshëm intim, “Bota në sytë e Dolës” dhe ka 47 përralla.
Libri i tretë që i brendashkruhet botimit “MËSIMET E NATËS” të shkrimtarit Betim Muço titullohet “PENDA E PULËBARDHËS”. Janë përrallat që i kushtohen Zinartit. Që në parathënie bëhet e qartë se ka ndryshuar jo vetëm regjistri i komunikimit me “një fëmijë”, por edhe koha. Jemi në një tjetër situatë shoqërore. Alegoritë sociale të qëmtuara në “Librin e Dolës”, botuar së pari në vitin 1986, vijojnë dhe thellohen me librin kushtuar Zinartit, botuar 10 vjet më vonë.
Vlerë që i shtohet dhe e pasuron shumë librin janë ilustrimet e bukura, plot finesë dhe ngjyra të këndshme për syrin, krijuar enkas për këtë botim nga Bora Baboçi.
Këto ilustrime e bëjnë edhe më të dashur për lexuesin nga paraqitja grafike e Joan Leka dhe Xhoel Leka.
Jo thjesht përralla për fëmije. Fundja një rrëfim të cilit i gëzohen vetëm fëmijët nuk është një histori fort e mirë, shprehet shkrimtari Clive Staples Lewis. Si një ftesë e hapur për lexim duket se libri 101 përralla “MËSIMET E NATËS” të Betim Muços e ka përballuar këtë sfidë….

Një falenderim dhe mirënjohje e veçanë shkon nga Poeteka për Marta Muco dhe Sagita Muço, që e kanë shoqëruar me emocion gjithë procesin e realizimit të botimit.

Libri gjendet në libraritë kryesore të Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *