Mesila Doda: Sfida është ajo që burrat në pushtet nuk durojnë dot

Duke bërë një krahasim me të kaluarën dhe duke vlerësuar penat e para gra, deputetja Mesila Doda tha se ende femrat inteligjente përbëjnë sfidë për burrat në pushtet. “Sfida është ajo që burrat në pushtet nuk durojnë dot. Nuk e duronin në atë kohë, nuk e durojnë dot edhe sot.

Sot kanë më pak mundësi për të bërë keq. Çfarë modeli do sjellim nga e kaluara, kur akoma kemi ‘Hero të Popullit’ Enver Hoxhën. Kur unë bëra një nismë që të hiqeshin këto tituj, mu kthyen kundër dhe bënë të pamundurën që ta shpallnin atë nismë antikushtetuese. Ne merremi ende me shoqen Nexhmije Hoxha dhe me historinë e saj të dashurisë”, tha Mesila Doda.

Ajo vërejti se ka ka hyrë në politikë me një kredo, që të ndryshojë diçka. “Figura të rëndësishme të komunizmit janë ende të dekoruara. E dini pse nuk hapen dosjet? Sepse dosjet përdoren. Ka dokumente që janë keqpërdorur por kanë lënë gjurmë. PD e kishte detyrim të bënte diçka, se unë nga ata e prisja jo nga ata që erdhën nga Partia Komuniste”, tha Doda.

Deputetja kujtoi se “kur është diskutuar hapja e dosjeve, është menduar se do ketë përplasje pasi ka pasur spiunime edhe brenda familjes, burri gruan e motra vëllain. Megjithatë, e vërteta të çliron. Ne e kemi amnistuar krimin. Ka edhe prokurorë e hetues që mund të jenë ende nëpër zyra sot, e thonë se ashtu ishte ligji. Unë po ju kujtoj gjyqin e Nurembergut, një gjyq që nuk u mjaftua me ligjet e kohës”. Në vijim të deklaratës së saj për titullin që mban Enver Hoxha, Doda tha se “nuk mund të themi se Hoxha ishte i mirë deri më 1944 dhe pastaj u bë i keq. Nuk mund të amnistohet. Nuk mund të themi se ishte hero e më pas u bë vrasës.

Ngritja e Autoritetit të Dosjeve është gëzim i madh për mua, megjithëse ligji që solli atëherë Erion Veliaj me nxitim nuk ishte ai që doja. Por, në këto kushte më mirë ky se sa pa të. Kam mbajt 40 fjalime në 4 vjet për çështjen e dosjeve dhe në fund ai ligj u miratua edhe sepse kërkohej për shkak të Vettingut.

Ditën që unë do të bëhem kryeministre do ketë ndryshim të ligjit(qesh)”, tha ajo, ndërsa e mbylli fjalën e saj kështu: “ Ne jemi shoqëri hipokrite, sepse nuk marrim një pozicionim të qartë për personin më kriminal që është simbol i të keqes për gjysmë shekulli”.

Deklarata e saj u bë në takimin ‘Nuk ma vrisni dot fjalën’- një seri takimesh me fokus kujtesën dhe përballjen me të shkuarën ka nisur aty, duke ia kushtuar të parin takim pesë gazetareve e intelektualeve shqiptare. Musine Kokalari, Selfixhe Ciu, Mila Vangjeli, Ollga Plumbi dhe Afërdita Asllani- pesë gazetaret e para shqiptare janë përkujtuar në një aktivitet në Qendrën për Hapje e Fialog në Kryeministri. Ato njihen për kontributin e tyre në shtypin e viteve 1930-1940 dhe shkrimet e tyre janë cilësuar si emancipuese dhe guximtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *