Mesazhi prekës i Hajrie Rondos: Jeta është e bukur!

Në një shfaqje që zgjat një orë (“Tre dhëndurët”), ku ritmi (e batuta) udhëheq e situatat të mbajnë mbërthyer çdo sekondë, Hajrije Rondo është pa dyshim në qendër të vëmendjes. Jo vetëm si nëna e familjes që ka një vajzë për të martuar, por edhe si aktorja që rikthehet në skenë pas një mungese e pas një sëmundjeje- sytë e publikut bien kryesisht mbi të. Në linjat e imëta të fytyrës së saj, në fuqinë e zërit, në hakërrimin e nënës, në duart e shtrira të gruas, në trupin vallëzues në skenë, në përqafimin për të bijën, në lutjen për të vëllanë, në përkëdheljen për të shoqin, në ‘veshjen’ e secilës batutë, në mimikën e secilës fjalë, në secilën frazë e fjali, Rondo (që luan personazhin e Sanijes) përcjell në skenë, përtej mjeshtërisë së aktorit edhe forcën e njerëzore, dëshirën për jetë, dhe për të dalë mbi veten, për të mundur gjithë ç’e dobëson njeriun, që anipse ngjan të jetë i vogël, shpesh tregon se sa i madh mund të jetë. Mbase vetëm dhe thjesht prania e saj në skenën e Teatrit të Metropolit te komedia “Tre Dhëndurët” e Dionis Bubanit, me regji të Sonila Kapidanit, jep mesazhe më të forta se çdo tekst që mund të recitohet prej saj.

NJË MESAZH
Përtej kësaj pranie, për shumëkënd fatlume, në një rrëfim të shkurtër që ka mundur të shkëpusë “GSH”, për Hajrie Rondon ky rikthim në skenën e Teatrit të Metropolit me komedinë “Tre dhëndurët” të autorit Dionis Bubani, e bën të ndihet më energjike. Ditët e saj kanë ndryshuar dhe gjithashtu ritmi i së përditshmes nuk është më i njëjti. “Pranova të merrja pjesë në shfaqje për të motivuar veten dhe për t’i dhënë ngjyra ditës”,- shprehet ajo. Pasioni për teatrin, energjia me të cilën punon në skenë, e drita që përçon, të bëjnë ta kesh shembull. “Tani që premiera doli, unë ndihem shumë më mirë, jam më e çliruar. Vërtet u lodha, por them se ia dola. Pjesëmarrja në shfaqjen ‘Tre dhëndurët’ erdhi shumë bukur, në momente kur unë bashkëjetoja e trishtuar me sëmundjen”,- thotë aktorja e njohur.
Ajo ka marrë krahë dhe zemër nga urimet dhe nga duartrokitjet. Kujtojmë këtu se mbrëmjen e parë në skenë, kur publiku u ngrit në këmbë ta duartrokiste, aktorja u përlot dhe u përul me mirënjohje, me ç’rast, ajo jep edhe një mesazh. “Pas premierës mora urime dhe inkurajime nga spektatorët që e ndoqën shfaqjen. Është kurajë e madhe që unë të ngjitem sërish në skenë, dhe kontributi im kësaj here në skenë përkoi me muajin e luftës kundër kancerit të gjirit, ndaj dhe uroj që kjo dalje të shërbejë si mesazh: se jeta duhet jetuar sepse është e bukur”,- thotë Hajrije Rondo.

AKTORËT
Ndërkohë, rikthimi i saj në skenë është një stimul i madh edhe për kastin e aktorëve të shfaqjes “Tre dhëndurët”. “Kam ‘vjedhur’ prej saj pasionin dhe energjinë për të punuar”,- shprehet aktori Aleksandër Kondi, i cili luan rolin e Zenunit, nazistit gjerman që të kujton me ritmin e tij të interpretimit fjalimet e ndjekësve të Rajhut.
Njëjtë edhe për Roerd Toçen, aktorin që luan Benjaminin, italofilin gagaç që punon si “bir ministri”; për të prania e Rondos në shfaqje është shkollë më vete. Ndërkohë, për regjisoren Sonila Kapidani (që në këtë komedi shqiptare ka mundur ta veshë secilin me ‘kostumin’ që i shkon), Hajrie Rondo përshkruhet me fjalët: “Energjia, ujë burimi, plot ngjyra pranvere dhe fuqi shtrëngate. Model kulture i punës për gjithë brezat”. Shfaqja, që nuk të lë hapësira humbamendje, ndërthur tablo të ndryshme me një ritëm të shpejtë, pa krijuar pauza, ku zakonisht publiku i smartfonëve lundron në internet. Nga Shkëlzen Berisha, si një prej shkesëve, te daja çifligar që e thërrasin Dudumi, interpretuar me mjeshtëri nga Pjerin Vlashi; nga vajza që duhet martuar (e cila ‘fluturon’ derisa lodhet- Linda Jarani), te babai i merakosur, njëherësh qesharak (Gëzim Rudi); nga Eduardi anglofil, e deri te Sanija që përcjell dashurinë e nënës dhe dashurinë për paranë, komedia shpërfaq me ironinë e situatave një shoqëri vesesh që endet në pezull prej dëshirës për të përfituar nga pushteti.(Fatmira Nikolli)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *