Meri File është një artiste, të cilën mund ta quajmë kontroverse, provokuese, ironike e rebele. Ajo ka marrë vëmendje me veprën e saj në ekspozitën “Realizëm Ndryshe”, ku sjell një femër nudo por me ferxhe. Artisja e talentuar në intervistën për Pasqyre.al, tregon më shumë rreth koncepteve ku bazohet puna e saj. Si artiste ajo di të jetë e lirë, e nëse jo tërësisht në veprat e saj ka një liri që shkon përtej përditshmërisë sonë dhe vijëzimit të rregullave e normave sociale.
Nëse erosi ju trondit apo ju çjerr poshtë lëkurës zërin e moralit, Meri ka një përgjigje: Qetësohuni, aty është gjeneza jonë!
Meri, vepra juaj Katarsis ka tërhequr vëmendjen në ekspozitën “Realizëm ndryshe”. A mendoni se i keni ndihmuar femrat?
Femra ndoshta është konsideruar si seks i dobët dhe mjaft e brishtë si natyrë, predominanca e saj në jetë e bën mashkullin të dyshoj në dy drejtime-parim moral dhe barazi civile. Një “Realizëm Ndryshe” çdo femër i duhet për ta pasur si drejtim rrënjësor, të cilën ka dëshirë dhe të evolojë, jo mbi parimet e epshit, por të artit…Unë zgjodha “Katarsin” si një “parim” me të cilën ende femrës do i duhet të kaloj një labirinth për të zgjidhur dramën e jetës. Ndihmë femrës? – Jo më tepër reflektim, pak meditim dhe mjaft forcë.
Çfarë reagimesh keni pasur?
Realisht reagime pozitive, të cilat i prisja. Flasim këtu për ata që e kuptojne artin e mirëfilltë, vizatimin dhe tematikën.
Arti bashkëkohor mbështetet mbi konceptet. Koncepti i kësaj pune, a e nxjerr femrën”nga ferexheja” e saj? Nga paragjykimet? Apo epshi që mbetet i fshehtë?
Po, paragjykimi ndrydh, tkurr…Ferexheja është një hiperbol në atë vepër, sepse ideali femëror konsiston në ndershmërinë e “pacënuar’, ndërsa lakuriqësia e saj tregon atë çfarë femra e dëshiron pa kufi, e etur në “katarsis”.
Shumë prej punëve tuaja i kushtohen erosit. Ka një vijë të holle që ndan erosin nga ajo që është krejt e zakonshme. A keni frikë nga ajo vijë?
Frikë? Jo! Është bukur të ecësh në majat e gishtërinjve mbi një vijë të hollë…
Pse ka kaq shumë pjesë intime në punët tuaja? Mbi ç’koncepte e bazoni?
Nuk e mendoj se ka një koncept. Krejt papritur shkëputen nga jeta e përditshme. Arti të jep frymëzim, krijim, meditim, iluzion..Vetë gjeneza njerëzore të bën të atillë, ku zanafilla të nisë nga ngjizja dhe e deri tek tretja e mishit nën dhe.. Pra aty fillon koncepti human.
Arti bashkëkohor dialogon shumë me filozofinë dhe me konceptet e saj. Ju kujt i referoheni?
Nietzsche, Plato, Aristoteli Karl Marks, Dekart, Kan, Sokrati, Spinoza, Hegel, etj.
Erosi, sidomos në Shqipëri tërheq menjëherë vëmendjen. A ka qenë qëllimi juaj edhe ky, pra të shkaktoni debat me veprat tuaja?
Mendoj që arti nuk duhet të flejë në disa zhanre, zgjimi i tij në një vend si Shqipëria konsiderohet si bishë.
Një tjetër punë e juaja është ajo e aeroportit Nënë Tereza. Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të ndryshme. Pse e keni zhveshur mitin e saj?
Nuk kam dashur të flasë për mitin e saj, përkundrazi veçse në titull…Aeroporti!
Po Lungo Mare, a duhej të ishte e tillë?
‘Lungo mare’…per le donne” është faza menstruale e një femre , gjithmonë titulli është ajo çfarë tërheq për artdashësin, dhe përgjegjësia ime mbi një vepër fillon që nga titulli.