Beograd, 6 qershor – “E ndiejmë veten keq. Kemi pasur edhe probleme shëndetësore. Po e përballojmë me shpirt”, janë fjalët e para të një të përdhunuare nga njësitet paramilitare serbe. Me viktimën, që nuk është identifikuar, ka nisur filmi dokumentar që ka përcjellë për së afërmi fushatën për mbledhjen e pesë mijë fustaneve anembanë Kosovës për instalacionin “Mendoj për ty”, të artistes Alketa Xhafa-Mripa, shkruan sot “Koha Ditore”. Instalacioni i saj kulmoi në qershorin e vitit të kaluar me shpalosjen në Stadiumin e Prishtinës të pesë mijë fustaneve, që përfaqësonin kujtimet më të veçanta të dhurueseve në shenjë përkrahjeje për rreth njëzet mijë gratë e përdhunuara në Kosovë. Filmi i autorëve Fitim Shala e Anna di Leillo është shfaqur të shtunën në mesditë në Qendrën për Dekontaminimin e Kulturës në Beograd prej Qendrës për Politikë si pjesë e festivalit “Mirëdita dobar dan”.
“Kjo histori paraqet një histori rreth artit dhe aktivizimit të grave për të ndryshuar kulturën e izolimit, tërheqjes dhe turpit që i rrethon të mbijetuarat”, kanë vlerësuar organizatorët e festivalit që sivjet i është kushtuar 80-vjetorit të lindjes së aktorit Bekim Fehmiu.
Di Leillo ka përshkruar në debatin pas emetimit të filmit emocionet e forta të ekipit realizues dhe të grave që kanë dhuruar fustane. “Vepra e Alketës nuk është vetëm për gratë e dhunuara në Kosovë. Ajo i përfaqëson të gjitha gratë e dhunuara në luftëra”, ka deklaruar Di Leillo, duke shprehur mirënjohje për aktivistet e shteteve të dala prej ish-Jugosllavisë që me fushatën e tyre të suksesshme kanë detyruar bashkësinë ndërkombëtare që ta pranojë përdhunimin si krim kundër njerëzimit.
Në filmin dokumentar artistja kosovare që jeton në Londër, Xhafa-Mripa, nuk mbahet dot teksa takohet me gratë e qyteteve të ndryshme të Kosovës që dhurojnë fustanet që kanë domethënie të veçantë për to. Dikush e dhuron fustanin e nusërisë, dikush fustanin më të çmuar të nënës së ndjerë. Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, dhuron fustanin e bardhë që e kishte veshur më 17 shkurt të vitit 2008, kur e nënshkroi në Kuvendin e Kosovës Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Milica Kostiç, drejtoreshë për çështje ligjore në Fondin për të Drejtën Humanitare në Beograd, ka thënë se të përdhunuarat në të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë vazhdojnë t’i mbajnë të ndrydhura rrëfimet e tmerrit për shkak se shoqëritë nuk kanë treguar gatishmëri për t’ua hapur zemrat. Ka thënë se dhunimi i grave është përdorur me qëllim të poshtërimit të femrave në shoqëritë patriarkale të Ballkanit. Kur është pyetur për mundësinë e vendosjes së pesë mijë fustaneve të instalacionit të Xhafa-Mripës në ndonjërin prej stadiumeve të kryeqytetit serb, Kostiç, që ka folur për nevojën e dënimit të përdhunuesve prej gjykatave lokale, ka thënë: “Shoqëria serbe nuk është ende e gatshme për këtë”.
Ajo e ka kritikuar Kosovën që fillimisht nuk kishte parashikuar mbrojtje ligjore për të përdhunuarat pas 12 qershorit të vitit 1999.
“Por ka shenja pozitive për ndryshime të reja ligjore”, ka thënë Kostiç, duke iu referuar nevojës për mbështetje shtetërore për viktimat serbe pas çlirimit të Kosovës.
Ndërkaq Sevdije Ahmeti, aktiviste e shoqërisë civile që ka bashkëpunuar me gratë e përdhunuara, duke folur në dokumentar ka thënë se sfidues është fakti se viktimat nuk i njohin përdhunuesit e tyre.
“Për t’i njohur kryerësit e veprës, atëherë, duhet të ketë ndërmarrje politike. Duhet të ketë më shumë presion politik që Serbia t’i hapë arkivat policore dhe ushtarake, si dhe shtetërore në mënyrë që të dihen lokacionet, dhe në bazë të datave tona të përmbushen misioni dhe qëllimi që të vihet drejtësia sociale”, thekson Ahmeti.
Aktivistet e sociologet që kanë folur në dokumentarin e realizimit të “Mendoj për ty” kanë thënë se të përdhunuarat vazhdojnë të jenë të stigmatizuara dhe se vetëm duke hapur plagët e tyre ato do të ndihen të lehtësuara për krimin e kryer ndaj tyre kundër vullnetit të tyre.
Ish-presidentja Atifete Jahjaga, një prej përkrahëseve më të mëdha të fushatës për mbledhjen e fustaneve dhe për sensibilizimin e çështjes së dhunimeve të luftës, i konsideron heroina të përdhunuarat. Ajo ka thënë se të gjithë duhet të preken prej mesazhit të tyre, “sepse faji nuk është i tyre dhe se të gjithë duhet të sensibilizojmë çështjen e tyre, sepse ato janë heroinat tona”.
“Dhe janë pikërisht këto gra që duhet t’i përkrahim që të nxjerrim në dritë rrëfimet e tyre, për t’i hapur ato, jo për t’i mbajtur të mbyllura, të heshtura”.
Dokumentari ka përfunduar me të përdhunuarën me të cilin edhe nisi projekti filmik i Shalës. Ajo thotë se ndihet e lehtësuar, por nuk e tregon identitetin. Debati është mbyllur me reagimin e ashpër të një burri në mes të pesëdhjetave.
“Ky dokumentar është manifest politik. Nuk është përdhunuar asnjë grua në Kosovë”, ka thënë serbi, të cilit i është ndërprerë fjala prej konferencieres që e ka mbyllur debatin, teksa ai – me mikrofonin që ia ndalën – vazhdonte t’i mohonte dëshmitë e 20 mijë grave të përdhunuara në Kosovë.