NGA FATMIRA NIKOLLI
Mendohu Xhakomino. Ti e ke një familje. Çfarë përfitimi kam unë? Asnjë. Po të doni, iki që tani, por mendohu Xhakomino”. Robert Ndrenika ngre sallën në këmbë me rolin e tij si profesor Toti në pjesën “Mendohu Xhakomino”, shkruar nga Lugi Pirandello e përkthyer në shqip nga Amik Kasoruho. Interesi për shfaqjen ka bërë që biletat për këtë javë të shiten të gjitha që para premierës, ndërsa bileta ka ende për datat: 15, 16, 17, 18, 19 shkurt.
Një i moshuar në të 70-at, i dashur, human e i dhembsur merr në dorë fatin e një vajze duke e marrë në mbrojtje atë dhe të dashurin e saj, përkundër inatit të familjes e paragjykimeve të shoqërisë. Ndonëse bota, ah bota, ashtu si te “Përrallë nga e kaluara” dëgjohet të pëshpëritë deri në ulërimë, jashtë dyerve të apartamenteve ku jetojnë familjet e vëna në qendër të pjesës. Një foshnjë vihet në mes qëndrimeve të shoqërisë, dy të rinjve të dashuruar e të pafuqishëm dhe familjeve që refuzojnë të pranojnë të rinjtë.
Është Profesor Toti që jo vetëm bëhet strehë, por edhe baba, për ata që familja i braktis për hir të opinionit. Në rrekje për të rregulluar jetë të mbërthyera pas moralit të shoqërisë, herë me qetësinë e herë me nervin e një të moshuari që ka shkuar një jetë vetëm, Ndrenika udhëheq në skenë aktorët e tjerë: Amri Hasanlliu, Paola Kodra, Arben Derhemi, Marjana Kondi, Klodjana Keco, Redjan Mulla, Alert Çeloaliaj, Merita Dabulla, në një shfaqje që shkon më shumë se një orë. Paçka disa momenteve që të sjellin ndërmend “Pallatin 176” apo “Përrallë nga e kaluara”, shfaqja ka risitë dhe karakteret e veta, mes të cilëve nuk mungon as kleri, që në disa raste në rrekje për të shërbyer, keqshërben.
“Mendohu Xhakomino”, shfaqja më e re në Teatrin e Metropolit, shënoi ngjitjen e parë në skenë, nën regjinë e Milto Kutalit. Profesor Toti mishërohet nga Robert Ndrenika, i cili e mban mirë peshën e rolit, nga skena e parë në shkollë, te skena në shtëpinë e tij, apo ajo në shtëpinë e Xhakominos. Në fakt, Ndrenika mban mirë peshën e të gjithë shfaqjes, e cila i vë mbi shpatulla jo vetëm barrën e personazhit kryesor, por edhe të vëmendjes më të madhe, për vetë atë që përbën Robdert Ndrenika për artin shqiptar. Në role të tjera janë Marjana Kondi, nëna e vajzës e cila e ka veshur mirë karakterin e saj, ndërkaq spikat drejtori i shkollës Alert Çeloaliaj, babai i vajzës – Ben Derhemi, shërbërtorja Filomena, Xhakomino që do t’i duhej të mendohej dhe Lilianës, vajzës së re që bëhet nënë shumë shpejt.
Dasia e dallimi mes brezit të ri e të vjetër të aktorëve vihet re në secilën skenë, e jo vetëm në plastikë.Në qendër të veprës “Mendohu Xhakomino” është profesor Toti (Robert Ndrenika), një burrë rreth të 70-ve, i cili nuk ka krijuar familje, është human dhe sakrifikon veten për gjeneratën e re. Ai bën një martesë fiktive me Liljanën (Paola Kodra), (vajzën e rojës së shkollës (Arben Derhemi), e cila ka mbetur shtatzënë me Xhakominon (Amri Hasanlliu), një nga ish-studentët e preferuar të profesor Totit.
Këtë akt human të profesor Totit nuk mund ta pranojë dhe ta kuptojë opinioni i gjerë duke filluar nga: drejtori i gjimnazit (Alert Çeloaliaj), prindërit e Liljanës (Marjana Kondi dhe Arben Derhemi), motra e Xhakominos (Klodjana Keco), si dhe kisha e përfaqësuar prej At Landolino (Redjan Mulla), madje dhe vetë Xhakomino nuk arrin të kuptojë altruizmin e Totit. Profesori me durim dhe përkushtim u kundërvihet të gjithëve, pasi me të është e drejta humane. “Kjo sipërmarrje e profesor Totit, që është kryeprotagonisti i veprës ka disa ngacmime nga opinioni publik, nga ekzekutivi lokal, pasi nuk janë kaq të ndjeshëm sa ai për t’u shërbyer gjeneratave. Mua më duket që është një nga shembujt më sinjifikativë që njerëzit duhet ta duan dhe duhet të bëjnë sa të kenë mundësi”, thotë Kutali.