Prof. Rami Memushaj
Para dy ditësh, në emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës u rishfaq Vasil Bollanoja, personazh i njohur i 20 vjetëve të fundit, bashkë me Fredi Bejlerin, përfaqësues i PBDNJ-së, të dy të deklaruar si pjesëtarë të “pakicës greke të Himarës”. Në debat e sipër, për të argumentuar prejardhjen greke, Bollanoja u shpreh se “ne (grekët) jemi në Himarë një mijë vjet para Zotit”, “jemi këtu prej 3 mijë vjetësh”.
Ky folklorizëm historik i një grushti njerëzish në Himarë shpjegohet jo aq me injorancën e tyre, sesa me interesat pekuliarë, me pagat që marrin këta njerëz nga shteti grek për shërbimin që i bëjnë realizimit të qëllimeve të tij ndaj Shqipërisë së Jugut. Këta janë gozhda e Nastradinit, ku politika greke kërkon të “varë” mëtimet e saj territoriale ndaj Shqipërisë. Politikanët e sotëm grekë, duke mos hequr dorë nga ëndrra e Greqisë së Madhe, po çuditin botën me deklaratat e tyre. Këtë ëndërr të marrë e nyjëtoi një ditë më parë ministri i jashtëm greke Kocias, zëdhënësi zyrtar i politikës agresive aneksioniste të qeverisë së Cipras-it. Një ditë më parë, ky deklaroi: “Historia e zemrës greke arrin deri në Indi (duke iu referuar ekspeditës së Aleksandrit të Madh). Por kufijtë e zemrës sonë nuk përputhen me ato të së drejtës ndërkombëtare.”
Pra, as më pak e as më shumë, zemra greke rreh që nga India deri në Spanjë dhe që nga deti i Zi e deri poshtë në brigjet e Afrikës Veriore. Kjo do të thotë që kontributin civilizues të grekëve të lashtë në Europë, Afrikën Veriore e Azi, duke krijuar qytete-koloni, grekët e sotëm e shohin ndryshe. Ministri grek tha se “historia duhet të jetë shkollë, jo burg”. Por politika greke e sotme është në burgun e historisë së shtrembëruar, të sunduar nga mitet e rreme që u janë ngulitur grekëve në kokë që në fëmini nga prifti dhe mësuesi i fillores. Ky nuk është vetëm një përfundim që nxirret nga qëndrimet dhe shqiptimet e politikës së sotme greke ndaj Shqipërisë dhe fqinjëve të tjerë të saj, qëndrime që nuk ndryshojnë në asnjë pikë nga ato që ka ndjekur Greqia që kur është bërë shtet. Është një realitet i demaskuar edhe nga vetë grekë mendjehapur. Kështu, studiuesja greke Anastasia Karakasidou në veprën e saj “Fushat e grurit, kodrat e gjakut” (Fields of wheat, hills of blood, 1997), tregon se si u nguliteshin në kokë njerëzve këto mite nga priftërinjtë. Duke mbledhur lëndë për doktoratën e saj në rrethinat e Selanikut, ajo takoi fshatarë të ardhur nga Azia e Vogël pas Luftës së parë Botërore në kuadrin e shkëmbimit të popullsisë myslimane me popullsi të krishterë, të cilët besonin se ishin pasardhës të Aleksandrit të Madh, madje hidhnin edhe brezat që i ndanin nga ai! Kaq e fortë kishte qenë puna e kishës për t’u ngulitur mitin se ishin grekë të vjetër, sa për dy-tre breza kishin harruar prejardhjen e tyre të vërtetë.
Të thuash se Himara është greke, përbën një falsifikim të madh të historisë. Sepse në bregdetin e Jonit, që nga gjiri i Artës e lart nuk ka pasur koloni greke. Nuk ka asnjë dëshmi të autorëve të lashtë për këtë. Historianët e lashtë grekë i quajnë fiset ilire të Epirit “barbarë”, dmth. të një gjuhe e race tjetër, dhe dokumentet e mesjetës e të kohëve më të vona dëshmojnë se popullsia e Bregdetit të Jonit ka qenë shqiptare. Deklaratat se Himara është greke dhe se himarjotët janë minoritet grek, nuk janë tjetër veçse një mit i rremë, i shpikur në kuzhinën e Megali Idesë. Dihet që grekët e lashtë nuk zhvilluan ndonjë luftë me fiset e Epirit, dmth. nuk e kaluan gjirin e Artës. Edhe nga mesjeta e këndej nuk dokumentohet ndonjë ardhje greke në Himarë. Ardhjet në Himarë janë shqiptare. Prof. Kristo Frashëri në librin “Himara” (2004), prof. Shaban Demiraj në librin “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët” (2008), Foto Bixhili nga Dhërmiu në librin “Jipet e Iperit – Himariotët” (2004), autori i këtij shkrimi në librin “”Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike” (2004), prof. Pëllumb Xhufi etj. kanë treguar se nuk ka asnjë të dhënë që ta mbështetë tezën se Himara është greke.
Të ngrihesh e të thuash se himarjotët janë minoritet grek, i lashtë 3 mijë vjet, është njëlloj sikur të mendosh që një grup banorësh të Orikumit, Apollonisë, Durrësit apo të Lezhës, që kanë qenë vërtet koloni helene, të ngrihen e të deklarohen grekë! Edhe sikur për një çast të pranojmë se Himara ka qenë koloni greke, kjo nuk përbën argument. Sepse tre mijë vjet janë një kohë shumë e gjatë, gjatë së cilës përbërja e popullsisë pëson ndryshime të thella; për shkak të ardhjeve dhe të përzierjes së popullsisë vendase me popullsinë ardhëse ndryshon përbërja e saj etnike, ndryshon edhe gjuha. Kështu janë tretur enklavat sllave, që ishin 1500 vjet më të reja nga helenët himarjotë të Bollanos. Në periudhën historike në Himarë kanë ndodhur dy herë eksode të mëdha që e kanë zbrazur krahinën: në shek. XV–XVI dhe në vitet 1991–1997. Por ardhësit që e populluan përsëri nuk kanë qenë grekë, po shqiptarë nga Labëria e brendshme dhe nga krahina të tjera shqiptare. Kështu ka ndodhur pas eksodit të parë, kështu ndodhi edhe pas eksodit të dytë. Siç kanë treguar dy autorët e fundit të përmendur më sipër, shumica e familjeve të fshatrave të Bregdetit, përfshi dhe ato të tri fshatrave greqishtfolëse të Himarës, janë të ardhura nga brendësia e Labërisë. Më 2003, nga 407 nxënës që kishin 7 fshatrat e bashkisë së Himarës, 259 prej tyre, ose 63,6%, ishin të familjeve të vendosura në Himarë pas eksodit të fundit; ndërsa në shkollat e Palasës, të Dhërmiut dhe të Himarës përqindja e nxënësve të ardhur ishte edhe më e lartë, 72,7% (229 të ardhur përkundrejt 315 gjithsej). Për pasojë, këto ndryshime të popullsisë së Himarës kanë ardhur duke e forcuar gjithnjë e më shumë karakterin shqiptar të saj.
Pra, me përjashtim të greqishtes në këto tri fshatra, e cila ka pasur gjithmonë funksione më të ngushta se shqipja (gjuha e këngëve dhe e riteve ka qenë dhe mbetet shqipja), nuk ka as dëshmi historike, as demografike, as nga fusha e kulturës materiale e shpirtërore që të provojnë se Himara është një minoritet i lashtë grek.
Vërtet që konventat ndërkombëtare i njohin individit të drejtën të zgjedhë përkatësinë etnike, p.sh. që banorë të Libofshës të deklarohen serbë, që shqiptarë nga Tropoja e deri në Delvinë të deklarohen grekë dhe të marrin pension nga Greqia, por kjo nuk e bën Libofshën trevë të pakicës serbe, as Tropojën, Kurveleshin e Rrëzomën e Delvinës treva të banuara nga pakica etnike greke. Sepse kritere të të qenit pakicë etnike janë feja, gjuha (gjuha e parë në rastet e dygjuhësisë), historia e përbashkët dhe trashëgimia kulturore. Pastaj vjen edhe territori, që është i përbashkët si për ata që deklarohen grekë a serbë, edhe për shumicën tjetër shqiptare dhe nuk mund të përvetësohet vetëm nga pakica.
Para disa vitesh, kur kisha shkruar diçka për Bollanon si grek me prejardhje nga Kurveleshi, profesori i ndjerë Shaban Demiraj, pasi e lexoi shkrimin, më tha: “Të kishe thënë edhe që, po të ishte grek Vasili, mbiemrin duhet ta shkruante Mpollano, se grekët nuk e kanë tingullin b.” Kësaj radhe Bollanos do t’i këshilloja vetëm që ta greqizojë emrin, duke e bërë Mpollano, se kështu do ta pandehin vërtet grek. Kurse Fredi Bejlerit po i them: “Më gjej në Greqi një grek tjetër që të quhet Fredi Bejleri. Po gjete një të dytë (veç me gjeneralitete të sakta), do të të kërkoj falje publikisht.” (DITA)