(Në vijim të një fotografie të mikut tim Kujtim Drishti të kinema “Partizani” në Tiranë)
Kinematografia: një univers marramendës
(ose Cinema in praxis)
I.
Gjithçka krijohet atje. Brenda kuadrit të errët… “Lanterna magica”. 24 kuadro në sekondë. Aty lind miti, aty lë gjurmë pasioni, shndrisin ndjenjat.
Drama, komedia dhe tragjedia…Pra kuadri pulson, merr frymë…N’a mban të gozhduar pas tij, aty, në universin e imazheve të animuara.
Aktorët e ekranit na bëjnë të ëndërrojmë. Të braktisim botën. Të shkojmë drejt një bote tjetër, asaj që do të dëshironim të ishim, apo që kemi qënë.
Gjithçka e jona ka lënë gjurmë në «lanterna magica». Dashuritë, vdekjet, lindjet, dehjet tona, braktisjet dhe vetmitë…Gjithçka e jona është përjetuar nga aktorët.
Vëllezërit Lumière nuk e dinin se sa shumë do të n’a robëronte «lanterna magica».
Melies po, ai e kuptoi madhështinë e artit që po lindëte. Ai ishte aktor, kineast. Një iluzionist i madh.
Ja pra bota e iluzioneve. Një nga magjitë më të mëdha të njerëzimit. Magjia të shndrohesh në dikush tjetër, të ndryshosh maskë. Të dyzohesh…
«Lanterna magica». Stop-kamera…
Magjinë le të n’a e thonë vetë aktorët.
II.
Shpesh më ngjan se me filmin është përkundur gjithë fëmijëria ime.
Një mur çerpiçi përballë dritares së vjetër dhe tutje, sfondi i murit të lartë të kinemasë.
Që andej, në mbrëmje, vonë në netë vere, dëgjoheshin gjer në shtratin tim të hekurt dialogjet e aktorëve dhe muzika e filmit.
Kalonin javë dhe dëgjoja të njëjtat fjalë në gjuhë të huaj edhe pse nuk i kuptoja. Ishte e njëjta muzikë…
Dëgjoja emrat e personazheve, thirrjet, zhurmat e shpatave në beteja, kalorësit që shkonin vërtik, apo thirrjet e grave të dëshpëruara.
Zëra të Brigitte Bardot, Simone Signoret, Sofia Loren e Claudia Cardinale…
Shpesh, fill pas fillimit të filmit, nëpër errësirë, kapërcenim murin e lartë të kinema «17 nëntori» dhe uleshim në cepin e skenës. Imazhet që projektoheshin para nesh ishin shumë të afërta dhe dukeshin gjigande, kur i shihje aq afër.
Megjithatë ne kënaqeshim me atë lloj përafërsie, dhe harronim se ishim spektatorë, aq sa dukej se ishim pjesmarrës në ngjarje, spektatorë të historisë. Kjo ishte fëmijëria ime. Aktorët jetonin në ëndrat e mija. Flija me ato, ëndërroja…
Kur mbaronte filmi, ne nxitonim të ktheheshim në shtëpitë tona ku na prisnin të sharat e prindërve për kthimin në orët e vona. Po të njëjtat histori do të vazhdonin dhe të nesërmen, apo në ditët që vinin.
Shpesh, në mëngjes, kontrollonim nëpër oborrin e vetmuar të kinemasë verore për të gjetur ndonjë copë kuadri, të hedhur në cep nga kinomekaniku gjatë shfaqjes.
Filmat ishin të vjetër, të djegshëm, prej nitrati, e shpesh me kalimin e kohës, filmat këputeshin gjithnjë e më shumë. Madje nganjëherë në ekran digjej kuadri i celuloidit. Turma lëshonte një ofshamë. Gratë klithnin me tmerr: zjarr! Dhe flaka në ekran, djegja e një portreti, dukej si një lloj magjie. Aktorët „digjeshin“ në atë vdekje të shpejtë dhe këto pamje n’a dhimbnin. Ishin heronjtë tanë.
Kështu kisha mundur të mblidhja një koleksion aktorësh me coprat e filmit. Kur kishim të njëjtën aktore disa herë, apo shiriti i filmit ishte i gjatë, atëherë fillonim të ndronim kuadrot me njëri tjetrin: „Më jep një Bardot dhe unë të jap një Lollobrigita. – Po ti? – Një Belmondo! – Jo, dua një D’Artagnan!“…
Ai ishte thesari ynë i rrallë. Kishim aktore që nuk ua dinim emrat. Aktore që po putheshin me partnerët e tyre…Gjinj të xhveshur. Portrete në ekstazë. Endërronim për to. Madje masturboheshim në bodrumet apo taracat e pallatit, në grup, si në një skenë feliniane.
Një ditë, gjatë projektimit të një filmi, kabina morri zjarr dhe kinemaja u dogj… Kutitë metalike të filmave shpërthenin plot zhurmë. Tymi i zi që ngrihej nga kinemaja dhe që kundërmonte një erë të rëndë, ishte shumë i dhimbshëm, por megjithatë ne shpresonim se mes gërmadhave do të gjenim ndonjë kuadër të rrallë.
Pastaj erdhi një kohë tjetër. Leximi i romaneve të para…Dashuria e parë. Dhe menjëherë pas studimeve universitare, përsëri filmi, kësaj rradhe si një kineast.
Në kinostudion „Shqipëri e Re“ përgatisnim kronika të thjeshta, „kinoditarë“, filma të shkurtër, copëza jete për „heroikën e punës dhe të dashurisë për Partinë“…
Vite më vonë zbulova magjinë e sheshit të xhirimit, pikëtakimin me personazhe të jetës, xhirimet në dekor apo në „eksterier“, siç u thonin xhirimeve jashtë, në rrugë, në qytet, në pyje apo buzë detit. „Motorr!“ bërtiste regjisori. – Ka motorr! – përgjigjej operatori që tashmë kishte filluar xhirimin e skenës, ndërkohë që aktorët interpretonin rolet e tyre në ambientet reale. Një dubël, dy, tre…Jeta e fiksuar dhe e rikrijuar.
Pikërisht aty, në sheshin e xhirimit, shfaqeshin yjet e kinemasë, ato pas të cilave ne jepeshim tërësisht.
III.
I kam parë aktoret vite me rradhë, duke interpretuar dhe në ethet e krijimit. Herë duke ripërsëritur të njëjtën skenë, herë duke pritur me emocion fillimin e sekuencës së parë. Gjithçka ishte pasionante, drithëronjëse. Regjisorët e dinë pulsin e tyre, e ndjejnë qoftë dhe në një lëvizje, sikur të jenë pjellat e tyre.
Ato janë të brishta nga fjalët dhe vështrimet e huaja të atyre që ndodhen në atë shesh xhirimi.
Ndodh që gjatë xhirimit aktorja t’a lërë atë shesh, duke përshpëritur dhimbshëm: „s’mundem më!“…
Shpesh ato janë depresive, pasi jetën e roleve që interpretojnë e përjetojnë shumë. Dhe nga njëri rol në tjetrin, shpirti i tyre lodhet, dërmohet, regjistron drama e tragjedi të personazheve, gjersa rëndohet e bije në një lloj humbëtire.
Aty s’ka më dritë. Ka veç errësirë. Më kot kërkojnë një dritë për të dalë që andej.
Jean Seberg, kishte rënë pikërisht në një humbëtirë të tillë dhe kishte vrarë veten.
Po, e di që ato vuajnë edhe pse kërkojnë ta fshehin vuajtjen e tyre. E ndjej që kanë frikë… frikë nga imazhi i tyre dhe në atë se si do të jetë roli i tyre në ekran.
I kam parë në breg të detit, rrugëve të qytetit, nëpër kuliset e dekoreve të studios së xhirimit, nën dritën e diellit, nën një hënë të vagët, apo nën dritat e forta të një prozhektori…Përballë pasqyrave të makiazhit, gjithnjë në dilemë.
Herë herë ato qajnë. Po, qajnë si fëmijë. Regjisori u afrohet dhe nuk di ç’tu thotë. Ai i përqafon me dhëmshuri dhe pa fjalë krijesat e tij. Ato kanë nevojë për ngrohtësi, për dashuri.
Lindja e një personazhi është i vështirë, i dhimbshëm. Herë është dehës, madje herë-herë vetë aktorët nuk arrijnë ta kuptojnë se si e krijuan rolin e tyre. Një botë plotë mistere…
Ato cfiliten në ditë dhe muaj, ngarkuar me një ankth të madh: sa i vërtetë është roli i tyre? Çdo të thotë publiku? Po kritika?
Ato nuk janë gjithnjë një…Nuk janë vetëm vetvetja. Brënda tyre është gjithnjë tjetra, roli, personazhi, gjithçka që mbart ai në vetvete. Eshtë drama e tij. Nganjëherë dramat e tyre shkojnë paralel, apo bashkohen diku. Dhe shpërthimi i tyre është akoma më i dhimbshëm. Shpesh ato futen në “lëkurën” e personazhit. Të tjera e refuzojnë këtë. Isabelle Huppert është gjithnjë e distancuar nga personazhi që interpreton, pra nuk e përjeton tërësisht atë, apo nuk “humb në të”. „Nuk jam unë që shkoj drejt personazheve, por janë personazhet që vijnë drejt meje“, – thotë ajo. Edhe Bardot ndryshe nga aktore të tjera thoshte të njëjtën gjë: “Nuk jam unë ajo që hyj në “lëkurën” e personazhit, por është personazhi që hyn në lëkurën time”.
Në të njëjtën kohë ato përjetojnë dy jetë, dhe shpesh, në gjysmë ëndër, ndodh që ato ngatërojnë udhët. Ndodh të vazhdojnë udhët e roleve.
Ja pse ato vuajnë, vuajnë shumë, edhe pse publiku nga ekrani sheh vetëm shkëlqimin e tyre, jo shqetësimin, ankthin, lotin, apo trishtin e tyre të madh.
Ato janë qënie delikate dhe s’ duhet ti dhunosh edhe kur të jepen plotësisht. Ato duhen lenë të lira, si kuaj në natyrë…
Por spektatori s’do të dijë vuajtjen e tyre. Ai do vetëm ti ndjekë pas, drejt asaj që do të ndodhë, dramës, tragjedisë, fatit njerëzor…
IV.
«Et Dieu créa la femme»… « Dhe Zoti krijoi gruan»…
Ato janë mitike, janë pjesë e mitologjisë moderne, «mythos», siç i quanin grekët. Miti dhe realiteti përjetojnë njëherësh brënda tyre. «Illusion sacrée»… Iluzion i shënjtëruar…
Bernard Shaw thoshte se «Njeriu i egër adhuronte idhujt e vet prej druri e guri, ndërsa njeriu i civilizuar adhuron idhuj prej mishi dhe gjaku».
Kinematografia, më shumë se çdo art tjetër ka depërtuar në botën e miteve.
Andy Warhol kërkoi të depërtojë në misteret e asaj bote, në atë univers mitesh. Gjenealogji e miteve moderne. Si lindin, si krijohen ato? Si përjetohen?
Një galeri mitesh femërore brënda të cilave janë jeta, vdekja, dashuria dhe urrejtja, e mira dhe e keqja. Një univers mitesh që i ka rrënjët në mijëvjeçarët e hershëm. Fytyrat e tyre ngjasojnë me Afërditën dhe Even, me Demetren dhe Medean, Andromakën dhe Fedrën, Kasandrën apo Klitemnestrën…
Mitet e sotme kanë olimpin e tyre modern. Ato sakrifikohen si dikur Ifigjenia…
Mite heroike, tragjike, erotike. Mite të marrosura pas Dionisos dhe kultit të „phallus“-it…Kritikët më kot kërkojnë tu përngjajnë sot orakujve antikë.
Jeta jonë e përditëshme ushqehet nga mitet. Siç shkruante dhe Jung, «ne përjetojmë mitet, nuk i shpikim ato».
Sot, në botën moderne, fytyrat e miteve i gjen ngado. Nëpër rrugë, në stacionet e autobuzëve, trenave. Njerëzit udhëtojnë dhe mbartin më vete imazhet e tyre. Imazhe magjiplotë.
Njeriu i zakonshëm ka nevojë për to. Mitet e kinemasë janë mite trallisëse. Mite të idealizuara, gjithnjë të bukura, seksi, erotike… Herë-herë ato u përngjajnë tablove të Da Vinçit, misterioze, si bija të Xhakondës.
Aparenca me buzëqëshje të dykuptimtë…Portrete të ftohta të Uçelos. Mithe me një influencë të jashtëzakonshme në jetën tonë publike. Ato janë tërheqëse me sytë, buzët, gjinjtë, fytyrën e tyre.
Trupi i tyre në ekran është dehës. Mite që kanë zbritur këmbëzbathur në kozmosin tonë.
Si shumë poetë të tjerë, Paul Eluard nuk rreshti së kënduari kësaj bukurie.
V.
Dy shekuj më parë Jean Jacques Rousseau pyeste: «Quest-ce que la profession de comedien?»…« Ç’është vallë profesioni i aktorit?»
Në fund të fundit ç’është vetë aktori? Si lindi arti i aktrimit? Përse n’a tërheq ai, përse n’a bën të qeshim, të qajmë, të tronditemi dhe emocionohemi tërësisht, apo të mendojmë për një kohë të gjatë?
A thua është ai një solist që interpreton i vetmuar pa ndihmën e një instrumenti tjetër?
Të jesh aktor do të thotë së pari të kesh talent, vokacion, «vocation», siç thonë francezët, apo «vocare» , siç e shkruanin latinët.
«Acteur» te francezët, «actor» te anglezët, «attore» për italianët, «actor» për spanjollët…
Shumë njerëz e ëndërrojnë këtë profesion, por pak janë ata që e ushtrojnë.
Profesioni i tyre, siç thoshte La Bruyère, konsiderohej «infame» te romaket dhe «honorable» tek grekët.
Feja nuk e deshi aktorin. Te ai shpesh shihej djalli, apo njeriu pagan. Peshkopi i Kartagjenës Saint Cyprien, në shekullin e III, i refuzonte martesat e aktorëve. Aktorët e «Komedisë Franceze» morrën arratinë në ditët e Revolucionit. Skenat e teatrove u dogjën dhe ata u akuzuan se i kishin shërbyer mbretit.
VI.
Nga gjithë aktorët, nga filmat që shohim pothuaj çdo ditë, ajo çka na mbetet në mëndje janë portretet e tyre, sytë.
Aktorët në përgjithësi janë narcisë, siç thotë aktorja franceze Isabelle Huppert: „Ata e duan vetveten dhe gjithnjë mendojnë për pamjen e tyre, fytyrën. Arrin të gjëndesh para pasqyrave rreth dhjetë herë në ditë“.
Ato i duan sytë dhe buzët e tyre të pulpëta, hijeshinë e portretit.
Para pasqyrave ato hetojnë çdo çast, çdo shkëlqim apo rrudhë që zë të shfaqet papritur.
Nga stelat antike, na kanë mbetur shumë pak portrete aktorësh. Po ato vallë, a i mundonte aq shumë pamja dhe portreti i tyre? Sigurisht që po, por ndoshta jo kaq sa sot në botën moderne.
Portretin e aktores në ekran, vështirë ta harrosh.
Fizionomia e portretit, apo më mirë, «mikro-fizionomia», për të cilën na flet dhe esteti hungarez i kinemasë, Bela Balash, në librin e tij Shpirti i kinemasë.
Një dridhje qerpiku, është shprehje e fizionomisë. Një grimasë, një xhest i vogël.
Përmes tyre vjen rezonanca e qënies që shohim në ekran. Ç’përfaqësojnë aktorët? Cilat janë mendimet e tyre? Nga vijnë dhe ku shkojnë? …
Shpesh, portretet e tyre u ngjanë pikturave. E atëherë kemi dëshirë që filmi të ndalet një çast, të shohim relievet, konturet…Portretet janë si libra të hapura. Mund të lexosh shumë gjatë në to. Mund të harrohesh, të përhumbesh, të dehesh.
Vargjet e Aragonit, në librin Sytë e Elsës, na kujtojnë gjithnjë sytë e Elsa Triolet. Ato ishin të tillë vetëm për Aragonin, Les yeux d’EIsa. Shpesh, kamera, me një «travelling» në lëvizje të ngadaltë, na ndihmon të udhëtojmë nëpër to.
Portrete të bukura, të shëmtuara, pa ngjyrë…portrete fisnike e tragjike, të gëzuara, të qeta apo të tmerruara. Portreti tregon atë ç’ka ndodh në thellësi të njeriut, në brëndësi të aktorit. Një dëshmi drame, identiteti.
Potrete të dhëmbshura e në paqe. Portrete që të bëjnë të mendosh Da Vinçin, Rembrandt, Goya, Wermer, Renoir, Picasso apo Modigliani.
Portrete të Garbos, Gish, Dietrich, Monreau, Bergman…
Portreti si fizionomi, portreti si gjëndje sociale.
Carl Dreyer, filmin e tij Pasioni i Jeanne d’Arc, e ndërtoi me një “dialog” portretesh të xhiruara nga mjaft afër.
Portreti i Jeanne-s, mund të fliste më shumë se gjithçka tjetër. Dreyer dhe Falconeti që interpretonte heroinën e dashur të tij…
Portrete në tension, portrete në «suspens». Portrete të aktorëve të Hitchcock, në filmin Vertigo, etj.
Njerëzimi gjithnjë i ka thurrur himn bukurisë së gruas. Fytyrave sublime, siç i shohim ato në ikonat bizantine, në pikturat klasike, neo-klasike, impresioniste.
Më vonë ky imazh do të ndryshonte. Nga pikturat e Boticelli-t, pas shumë shekujsh, gruaja do të preferohej ndryshe. Ndryshe nga odaliskat e shëndetshme të Rubens, Rembrandt, Ingres. Sot imazhi i bukurisë nuk është më ai i hershmi.
Kur shohim filmat në sallat e kinemasë, plani i afërt, pra «gros plan», siç quhet në gjuhën e kinemasë n’a impresionin veçanërisht.
Një portret apo veçse dy sy, një palë buzë, duar që mbeten pezull…kuadro që flasin shumë dhe që dëshmojnë gjëndje shpirtërore.
Fytyra të duzuara, «dubël», pasi në ato personazhe, faktikisht është dhe fytyra e vet aktorit, ashtu, siç është në jetën e përditëshme.
Fytyra «superposées», të vendosura mbi njëra tjetrën… polifoni shprehish.
Fotozhenia. Eshtë pikërisht ajo që n’a tërheq.
Përmes portreteve, ne humbasim në të tjera botra, në ngjarje dramatike apo tragjedi, në komedi të jetës së përditëshme. Ne jemi dhe bëhemi pjesmarrës në to.
Aktorët apo universi i figurave të animuara. Subjekt i preferuar i psikoanalistëve dhe eseistëve të mëdhenj: Jacques Lacan, Roland Barthes, Gille Deleuze, Raymond de Becker, Edgar Morin.
Roland Barthes, duke krahasuar fytyrat e Andrey Hepburn dhe Greta Garbos, thoshte se fytyra e njërës ishte “Ide” dhe e tjetrës ishte “Ngjarje”.
Ata u përpoqën të depërtonin në misterin e idoleve të masës, aty ku bukuria dhe tragjikja qëndronin pranë e pranë. A nuk ndodhte kështu dhe në tragjeditë greke?
Kinematografia është arti i milionave. Kur perëndon një «star» njerëzit e përjetojnë dhimbshëm, thua se ata kishin investuar diçka te ajo. “Në kinematografi, fantazmat na detyrojnë tu jepemi, dhe ne shkojmë drejt tyre”, – thoshte Cocteau. – ”Epoka jonë është epoka e mistereve.”
Aktore të “Actor’s Studio”…aktore “brehtiane”, “felliniane”, “bergmaniane” (ku aktori është mbret), të “teatrit absurd” apo e “rrethanave”. Aktori duhet ”të kuptojë”, apo ”të jetë”. Antonioni thotë “të jetë”, të tjerë thonë “të kuptojë”. Ndoshta duhet të jenë të dyja sëbashku: «të jetë dhe të kuptojë”. Aktorët kështu luajnë rolin e tyre social.
Ata bëhen zëdhënësit tanë. Ata imponojnë turmat. N’a bëjnë të besojmë në diçka. Sartre thoshte se “shoqëria nuk u kërkon atyre të reflektojnë atë çka ajo është, por atë çka ajo beson se është”, “ce qu’elle croit être”) .
Dikush tjetër thotë se aktori nuk duhet të jetë ai që është, por duhet të jetë një tjetër. Ja pse bota e tyre është e pakufishme dhe e mistershme.
Ata e dinë se «jeta» e tyre fiksohet atje, në «lanterna magica».
VII.
Çfarë fiziku do të ketë personazhi i ardhmë? Si do të jetë i veshur ai? Si do të ecë, komunikojë, çka është e veçantë në lëvizjet e tij?
Ato gjithnjë pyesin veten se si do ta ndërtojnë personazhin e tyre të filmit të ardhmë.
Ja pse rrugës, ato gjithnjë vëzhgojnë ecjen e njerëzve në jetën e tyrë të përditshme, në loka1ë apo në autobuzë, në treg apo në punën e tyre; vëzhgojnë komunikimin mes tyre, mënyrën si qeshin, si shajnë dhe shpërthejnë, si tregojnë dashuri apo mërzi…
Ato nuk duan tu shpëtojnë detaje që nesër mund të jenë interesante për to. Ato janë të vëmëndshme për gjithçka dhe gjithçka regjistrohet në kujtesën e tyre.
Por për ta krijuar personazhin nuk mjafton vetëm kjo. Duhet dhe personaliteti i artistit.
Rudolf Steiner shpjegon se personaliteti artistik i Shilerit ishte i dominuar nga tendencat morale të poetit: lufta e së mirës kundër së keqes. Personazhet e Dostojevskit, padyshim janë influencuar nga filozofia e tij mbi jetën, shoqërinë dhe njeriun, siç mund ta dallosh ketë te Vëllezërit Karamazov, etj.
Studjuesi i teatrit Mihail Çehov, (i cili e ka njohur nga afër Aleksandër Moisiun dhe ka shkruar për interpretimin e tij), thotë se «Çehovi ishte i obseduar pas mediokritetit të jetës borgjeze.»
Kështu, për kompozimin e rolit, ato i bëjnë thirrje imagjinatës së tyre. Mes tyre dhe personazheve nis një dialog i brëndshëm. Nis pra krijimi i një forme origjinale të interpretimit.
Hegeli shkruante: «Der Mensch verdoppelt sich!»… „Njeriu dyzohet“. . . bëhet dubël.
Aktori ka një mekanizëm të tijin. Një mekanizëm përmes të cilit ai mundohet të zbërthejë dhe rijapë imazhin e personazhit të shkruar. Aktori kërkon kështu referencat e personazhit me kohën dhe hapësirën. Ligjet e galaksisë janë universale. Ligjet e shpirtit njerëzor po ashtu.
«Pianisti, për të shprehur ndjenjat e tij, i bije pianos, – thoshte René Clair,¬ piktori merr penelat dhe ngjyrat. Po kështu aktori i drejtohet një instrumenti shpirtëror si dhe trupit të tij.»
VIII.
Aktoret improvizojnë. Çdo rol u a jep këtë mundësi. Ato nuk janë të kënaqura të thonë vetëm tekstin e mësuar. Roli, përjetimi i rolit, i ka çuar dhe i çon ato përtej dramës.
E kështu ato improvizojnë. Imagjinojnë. Fusha e veprimit është e lirë. Jeanne Moreau e vlerësonte shumë këtë liri të krijimit.
Improvizimi i bën ato origjinale. Madje ka regjisorë që jo vetëm e kërkojnë këtë nga aktori por edhe nga gjithë ekipi i një filmi. Dhe krijimi të ngjan atëherë me një aventurë pasionante.
Aventurë e «Valës së Re» franceze. «Nouvelle Vague». Truffaut, Godard, Romer, Chabrol…Në këtë atmosferë, aktorët nisen drejt udhëtimeve. Në këtë ikje, gjënden detaje të tjera, gjëndje të tjera, që asnjë mjeshtër nuk mund ti imagjinonte më parë, pasi ato janë shumë personale, krijohen në një botë të nëndheshme.
Të jesh aktor është një kënaqësi më e madhe se sa të bësh dashuri»,¬ thoshte Marcello Mastroiani. – „Të jesh aktor është një lloj loje».
Gjithçka të ngjan me një alkimi të përsosur. Alkimi e materies fizike, pra e trupit, dhe e asaj jo meteriale, d.m.th. shpirtit. Perceptim i vështirë, por i dukshëm.
Ja pse xhesti i aktores ka rëndësi, xhesti që vjen natyrshëm, xhesti psikologjik, siç e quajnë kritikët e teatrit. Për aktorët e kinemasë kjo është dhe më e rëndësishmja, pasi plastika e trupit është evidente dhe e afërt.
Një vështrim të zbrazët të aktores, në teatër nuk mund ta pikasësh. Ndryshe ndodh në ekran. Çdo lëvizje ka një qëllim. Lëvizjet e tyre shprehin habi, dhimbje, frikë apo refleksion, pritje ose ankth.
Aktorët e mëdhenj dinë ti kontrollojnë gjëndjet, xhestet dhe ti pasurojnë ato, duke vëzhguar jetën përreth me imtësi.
Në filmat e regjisorëve Orson Wells, Grifith, Ejzenshtein, Renoir, apo të regjisorëve tê kohës sonë si Godard, Scorcese, Spilberg, Almavodar, Oliveira, etj, kjo është e dukëshme.
Xhestet ndryshojnë nga një aktore në tjetrën, nga një gjeneratë në tjetër. Në raport me personazhin, kohën… semiologji e xhesteve.
A ka vallë rregulla në drejtimin e aktoreve? Po dhe jo…Ingmar Bergman, thoshte se «Puna jonë fillon me fytyrën njerëzore…Aftësia të afrohesh në të është padyshim origjinaliteti dhe tipari dallues i kinemasë.»
IX.
Gruaja, «le deuxième sexe». «Seksi i dytë», shkruante Simon de Beauvoir në librin e saj me të njëjtin titull. Gruaja me dashurinë e saj, voluptetin natyror, narcizmin dhe mistikën e saj. «L’amour, sa supreme vocation», «dashuria, dhuntia e saj supreme», shkruante Beauvoir. Përse vallë seksi i dytë?
Courbet, na e tregon qartë përmes tablosë së fshehtë të tij, Origjina e Botës.
Vallë për shkak të saj, burrat kanë zotëruar në mijra vjet?
Gruaja dhe seksi i saj, objekt i poezisë erotike në film. Të paharrueshme aktoret e Symphonie nuptiale të Eric von Stroheim, Cabiria, etj, Theda Bara në filmin Cleopathre. . .
Kineastët u morën shumë me kultin e femrës-seks. Me kot «kodi Hays», linçonte çdo pjesë të zbuluar të trupit të një aktoreje në film.
Louise Brooks në filmin Loulou; aktorët e Bunuelit në Un chien andalou, (Qeni andaluz), kofshët e xhveshura të Dietrich në L’Ange bleu (Engjëlli blu), apo Mae West në Sexe…Ky film i fundit u ndalua. Atëherë ai kishte efektin e një bombe. Pastaj u shfaqën Russel, Mansfield, Monroe…
Puthje, ekstazë, gjinj të xhveshur… spektatori është i etur për ti parë ato.
Artemis d’Ephese e grekërve të lashtë, mbetet ende një perëndeshë moderne e kohëve tona.
Adhuruesit e kohës së antikitetit e kishin paraqitur këtë hyjni me shumë gjinj, simbol i të pjellorisë dhe ekstazës.
Dëshira e spektatorit për gjinjtë, të ngjan me një ndjenjë inkoshiente të kthimit drejt fëmijërisë, origjinës…Origjina e Botës.
Gjinjtë e Monroe, Mansfield, Lolobrigida, Sofia Loren, Anita Ekberg në La Dolçe vita… Në festivalin e Canne-s më 1992, ceremonia u hap enkas me shfaqjen e filmit Basic Instinct, një film i parë tashmë nga miliona spektatorë. Produktorët mendojnë si të fitojnë para nga shkëlqimi i «sex-apil».
«Sexe…business». Seksi, një biznes i madh. Kështu kinematografia bëhet një industri fitimprurëse. Botë marramëndëse ku vërtiten miliona. Pagat e aktorëve të Hollivudit janë trallisëse. Demi Moor në filmin Strep¬tease u pagua me 12 milion dollarë, një rekord në historinë e Hollivudit, «mekës» së kinemasë. Julia Roberts në Samething to talk about, me 9 milionë dollarë, Pfeiffer dhe Sharon Stone me 7 milionë secila. Dhe kjo vetëm për një film. Lista e filmave është e gjatë.
Skenari i filmit Basic Instict kushtoi thjeshtë 3 milion dollarë.
X.
Në ekranin e errët të sallës së kinemasë ravijëzohet e bukura.
E bukura në formë, në plastikë, në emocion dhe në mesazh. Edhe pse ajo është në vetvete relative.
Të tjera tipare kishte ajo në qytetërimet e mëparëshme.
Brënda kinemasë, ligjet e së bukurës kanë evoluar. Portretet e aktoreve të sotme janë ikonat moderne të shoqërisë së konsumit.
E megjithatë, me aktorët, ne udhëtojmë drejt botrash të tjera.
Edhe kur dritat e sallës së kinemasë fiken, edhe kur udhëtimi i tyre ka marrë fund në ekran, ato rijetojnë sërrish te ne. Imazhet e tyre kanë lënë shumë gjurmë.
Dhe ne kërkojmë ti rigjejmë e ti ritakojmë sërrish. Në mikrokozmosin tonë…
Aktorët ndërkohë vazhdojnë jetën e tyre, përmes ekranit.
Ato lindin diku papritur dhe ngjiten pastaj në zenit. Atje ku bën shumë nxehtë, ku ka shumë shkëlqim dhe ku ylli mund të shkrihet papritmas. Ndërkohë që vitet kalojnë, ato shkojnë gjithnjë për kah perëndimi.
Kështu kanë shkuar Lilian Gish, Dietrich, Magnani, Bergman, Signoret, Schenider… Ato ikin duke lënë vetëm gjurmën Ne tyre të shndritëshme si bishti i një komete, ardhur nga një tjetër galaksi, komete që digjet e që bën ende dritë për një kohë shumë të gjatë…
(Nga hyrja e librit tim për lojën aktoriale të aktoreve të kinematografisë – “Shkëlqimet e meteorëve”, Luan Rama.