Fatmira Nikolli – Në pamje të parë, i ngjante vetëm një toke bujqësore. Deri në vitet 1990, aty qe vendosur edhe një repart tankesh. Në vitet 1980 u gjetën krejt rastësisht varre antike, mandej një fontanë e prapë, ajo dukej si një fushë krejt e zakonshme, derisa një grup arkeologësh duke përdorur metoda invasive, hasi në anomali që çuan më pas në një zbulim.
Një qytet ilir rreth 2300-2400 vjeçar ka dalë në dritë në zonën e Bushatit në Shkodër, gjatë gërmimeve arkeologjike të ekspeditës shqiptaro-polake. Saimir Shpuza në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” thotë se lulëzimi i tij u shënua në shekujt 4-2 para erës sonë dhe se me rënien e mbretërisë ilire të Ardianëve, qyteti pësoi rënie graduale deri sa u braktis totalisht. I shtrirë në rreth 20 ha, sipërfaqja e tij është e përafërt me qytetet e tjera të mëdha të zonës si Shkodra dhe Lezha. Shpuza thotë se ende nuk është mësuar se cili ka qenë emri antik të këtij qyteti. Por pikërisht ky eksplorim drejt së panjohurës e bën punën e arkeologut ende më të bukur. Gjatë intervistës së mëposhtme ai shuan kuriozitetin për zbulimin më të fundit.
– Një zbulim arkeologjik është bërë nga ekspedita që ju drejtoni në Bushat. Për çfarë siti bëhet fjalë? I cilës periudhë?
Siti ku ne jemi duke përfunduar gërmimet arkeologjike gjendet në Bushat (Bashkia e Vaut të Dejës) 10 km në jug të qytetit të Shkodrës. Bëhet fjalë për një qytet ilir, pothuajse i panjohur deri më sot. Gërmimet nxorën në dritë një pjesë të fortifikimit antik të qytetit dhe njërën prej portave hyrëse të tij. Kjo portë ishte e mbrojtur edhe me një kullë me një sipërfaqe rreth 50 m2. Ky mur rrethues i qytetit datohet nga materiali arkeologjik i gjetur në fund të shekullit të 4 p.e.s., ose maksimumi në fillim të shekullit të 3-të p.e.s. Megjithatë, gjetjet më të hershme i takojnë periudhës së Hekurit të Hershëm, një periudhe historike kjo, që është shumë mirë e dokumentuar në të gjithë arealin e territorit të Shkodrës. Gjithashtu, me interes janë edhe gjetja e disa fragmenteve qeramike të periudhës arkaike dhe klasike, që mund t’u takojnë importeve nga Apolonia dhe Durrësi apo qyteteve të tjera të botës greke. Sidoqoftë, zbulimi kryesor mbetet fortifikimi i një qyteti ilir në Bushat.
– Çfarë shtrirjeje ka? Është sit i madh?
Një nga synimet e ekspeditës sonë ka qenë edhe përcaktimi i shtrirjes së këtij siti. Për këtë arsye jemi përpjekur të rilevojmë çdo strukturë të dukshme në sipërfaqe, sidomos ato struktura që mund t’i përkasin murit fortifikues të qytetit. Ky lloj dokumentimi na lejoi që të krijonim një kuadër të qartë për shtrirjen e sitit. Në fakt, bëhet fjalë për një sipërfaqe shumë të madhe, që arrin deri në 20 ha. Kjo sipërfaqe është shumë e përafërt me qytetet e tjera të mëdha të zonës si Shkodra dhe Lezha. Gjithashtu, edhe shtrirja topografike e qytetit, të organizuar në dy pjesë, qytet i sipërm dhe qytet i poshtëm, është shumë e ngjashme me qytetet e tjera të këtij pellgu si Shkodra, Lezha, Ulqini dhe Zgërdheshi.
– Si qëndron ky qytet i ri i zbuluar në krahasim me site të tjera shqiptare për nga rëndësia dhe hapësira që zë?
Identifikimi i një qyteti të ri ilir në këtë areal, i cili korrespondon me zemrën e Mbretërisë ilire të Ardianëve, hedh një dritë të re për dendësinë e jetës qytetare në Iliri në shekujt 4-2 p.e.s. Brenda një territori shumë të kufizuar, siç është hapësira mes Shkodrës dhe Lezhës, arrijmë të identifikojmë një qytet të ri në Bushat, çka flet në favor të një jete qytetare të lulëzuar. Po të shikosh hartën e qyteteve në Iliri, arrin të dallosh se sa më larg në drejtim të veriut të shkojmë, aq më e rrallë bëhet prania e qyteteve tek ilirët. Ndërkohë që gërmimet që po kryejmë po tregojnë të kundërtën dhe me shumë mundësi ky perceptim i gabuar për jetën qytetare tek ilirët e veriut është krijuar si rrjedhojë dhe e gërmimeve të pakta që janë realizuar në këto rajone deri më sot. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për territorin përreth Shkodrës dhe Bushatit, ku ekspedita jonë e përbashkët shqiptaro-polake (Instituti i Arkeologjisë Tiranë dhe Universiteti i Varshavës) ka identifikuar një numër të madh kullash vrojtimi dhe fortifikimesh rurale të po kësaj periudhe, që kanë luajtur rolin e mbrojtjes territoriale të këtyre qyteteve.
– A keni gjetur edhe artefakte?
Artefaktet e gjetura janë kryesisht fragmente qeramike. Më të pakta në numër janë objektet metalike. Gjetjet e periudhës romake janë shumë të pakta, ndërkohë që qeramikat më të vona që kemi gjetur i takojnë shekullit të VI të e.s. Për momentin të dhënat që na vijnë nga këto gjetje janë të kufizuara dhe nuk mund të shprehemi në mënyrë kategorike, por ideja e përgjithshme që kemi krijuar është se lulëzimi i këtij qyteti ka qenë në shekujt 4-2 p.e.s., ndërkohë që pas rënies së mbretërisë ilire qyteti ka pësuar një rënie graduale deri sa është braktisur totalisht. Sidoqoftë, gjetjet sporadike që na vijnë nga fushat përreth sugjerojnë se mund të ketë pasur një zhvendosje të jetës nga kodrat e fortifikuara drejt fushave dhe pranë akseve kryesore të komunikimit gjatë periudhës romake. Kjo braktisje e qytetit gjatë periudhës romake ka sjellë që qyteti ilir që ne shpresojmë të zbulojmë të jetë i ruajtur në gjendje shumë të mirë, pasi pas braktisjes, qyteti nuk është banuar më në mënyrë të dendur. E kundërt ishte situata në Shkodër, qytet i cili ka pasur rëndësi të dorës së parë gjatë gjithë historisë dhe ku kemi gërmuar prej 7 vjetësh, ku strukturat më të hershme të qytetit ilir janë krejtësisht të shkatërruara, ose të ripërdorura nga ndërtimet e periudhës veneciane dhe osmane. Si rrjedhojë, ato janë të paperceptueshme sot nga ana arkeologjike.
– Çfarë vlere i shton zonës përreth?
Për nga vetë pozicioni gjeografik ku gjendet siti arkeologjik i Bushatit, premton se në një të ardhme shumë të afërt mund të kthehet i vizitueshëm. Siti gjendet buzë rrugës kombëtare Shkodër-Lezhë dhe në pjesën më të madhe nuk ka asnjë vështirësi fizike për t’u vizituar. Plus kësaj, siç e thashë edhe më sipër gjendja e ruajtjes së strukturave është e mirë, çka e bën sitin shumë të lexueshëm nga vizitorët. Për më tepër, në këtë gërmim kemi pasur një mbështetje shumë të madhe si nga institucionet rajonale të trashëgimisë, ashtu edhe nga pushteti lokal në Bashkinë e Vaut të Dejës, çka flet për një interes të madh nga të gjithë aktorët që Bushati të bëhet shpejt një ndalesë për turistët.
– Si nisi gërmimi? Kishte të dhëna historike për një sit të mundshëm?
Të dhënat që kishim për praninë e një siti në këtë zonë ishin shumë të pakta. Gjatë viteve 1980 na janë sinjalizuar nga B. Jubani zbulimi aksidental i disa varreve të periudhës antike të vonë nga punimet bujqësore në zonë. Ndërsa B. Lahi gërmoi në po këto vite një fontanë publike të shekullit të 2 p.e.s. edhe kjo e zbuluar aksidentalisht. Gjatë viteve 2016-2017 ekipi ynë, në kuadrin e dokumentimeve të të gjithë siteve që gjenden në territorin e Shkodrës, u përqendrua më shumë në Bushat, duke aplikuar një seri metodash joinvasive, të cilat na evidentuan praninë e shumë anomalive nën tokë që mund të përkonin me ndërtime antike. Megjithatë, hezitimi ishte shumë i madh dhe deri në momentin e fundit kishim dyshime për potencialin arkeologjik që siti ofronte. Këtë skepticizëm e nxiste edhe më shumë shfrytëzimi për një kohë të gjatë i këtij terreni si tokë bujqësore dhe më pas si një repart tankesh deri në fillim të viteve 1990. Këto dy aktivitete të zgjatura në kohë e kanë transformuar topografinë e qytetit të lashtë dhe në pamje të parë në ditët e sotme të duket pothuajse e pamundur që këtu mund të fshihej një qytet antik.
– A do vijojë gërmimi?
Të dhënat që po na jep gërmimi i këtij viti në Bushat janë shumë premtuese dhe po na shtyjnë për të programuar gërmime të tjera në sit. Synimi për vitin e ardhshëm është që gërmimi të fokusohet në pjesën e sipërme të qytetit. Të dhënat paraprake që ne kemi nga gjurmët në sipërfaqe na japin indikacion për një prani të dendur banesash në këtë zonë. Gjithashtu, në majë të kodrës kemi ndoshta gjurmë të një kulle tjetër të fortifikimit të qytetit. Vetë pozicioni i kodrës është shumë strategjik dhe ka fushëpamje të plotë, me pothuajse të gjitha fortifikimet e tjera në territor si Shkodra, Akrolisi, Beltoja, Renci, Ganjolla, Spathari, Vorfa etj. Pas analizimit të të dhënave që do të kemi nga gërmimet e vitit të ardhshëm do të fillojmë të mendojmë në mënyrë më të detajuar për një plan gërmimi sa më afatgjatë në Bushat.
– Çfarë ju tërheq me shumë nga ky sit?
Ajo që tërheq më shumë në këtë sit është identifikimi në të i një qyteti ilir të panjohur deri më sot. Shqipëria është një tokë e pasur nga pikëpamja arkeologjike dhe vendbanime të vogla apo monumente të veçuara gjenden shpesh, por identifikimi i një qyteti të tërë ndodh gjithnjë e më rrallë, pasi shumica e qyteteve ilire janë të njohura tashmë. Sfida jonë në vitet e ardhshme mbetet gjetja e emrit antik të këtij qyteti. Është pikërisht ky eksplorim drejt së panjohurës, që na shtyn të vazhdojmë gërmimet në këtë qytet në vitet në vazhdim.