Nga Moikom Zeqo
Mbas fitores së Medonit, mbreti Agron vdiq në kulmin e lavdisë së fitores. Në pushtet erdhi gruaja e tij, Teuta, si tutore e birit të Agronit dhe gruas tjetër Triteutës, Pinesit, i lindur në 232 dhe vdekur 15 vjeç në 217 para Krishtit. Agroni vdiq në 230, në vitet 230-228 para Krishtit. Teuta është emblema e pushtetit, projektuesja e diplomacisë, luftës, sulmit dhe mbrojtjes. Emri i saj shtrihet në historinë antike rajonale dhe mesdhetare vetëm në tri vite. Të dhënat e Polibit (II, 5-1-2) nxjerrin se sulmet e detarëve ilirë në brigjet e Peloponezit, në Elida dhe në Meseni kanë ndodhur shumë më para vitit 230, data e sulmit ilir të Foinikës. Për këtë ka analiza nga R.L.Beaumonti dhe H.Y.Dell. Një mbishkrim i gjetur në ishullin Far, që i dedikohet trofesë që u është marrë jadasinaive, identifikuar si ilirët e krahinës së Jaderës (Zarës), datuar nga L.Rober dhe Rendiç-Miocevic si në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit IV para Krishtit., flet për konfliktin detar. Mbishkrimi i kushtohet Kalias, i cili ra në betejë me ilirët (është luftim në det me ilirët), gjetur në ishullin Isa dhe sipas L.Robert-it dhe R.Eggers-it i takon fillimit të shekullit III para Krishtit… vazhdon