MBIEMRI I RI/ Saga napolitane e Elena Ferrantes, rrëfimi i autores me pseudonim

 

 

Një roman përpirës, rrëzëllitës, i jashtëzakonshëm, pjesë e një sage epike, mbi absurditetin, kompleksitetin dhe bukurinë e qenies njerëzore. Përkthyer nga Agim Doksani, romani i botuar nga “Pegi”,“Mbiemri i ri” është vëllimi i dytë i sagës napolitane, e cila fillon me romanin jashtëzakonisht të suksesshëm, “Mikesha gjeniale”. Elena rrëfen historinë e jetës së saj e, në mënyrë të tërthortë, edhe atë të Linës, me të cilën është njohur e shoqëruar që në klasë të parë. Lina Çerulo, e sapomartuar, është tashmë një grua në grackë, e tradhtuar, e poshtëruar, e njëkohësisht e paharrueshme për lexuesit, si një Bovari moderne. Lagjja e varfër dhe e ndotur ku ajo dhe Elena janë rritur bëhet një prani gjithnjë e më e dhunshme, një personazh në një sagë që drithëron me personazhet plot jetë e vërtetësi. Libri i dytë fillon me martesën e Linës në moshën 16-vjeçare. Në disa skena të hershme e tronditëse, mësojmë se si Lina shndërrohet në Zonjën Karraçi, përmes dhunës e mashtrimit. Fillimisht, Elena mendon se “statusi i bashkëshortes e kishte mbyllur në njëlloj ene të qelqtë”. Më pas, kur burgimi i saj bëhet i qartë, ajo vëren se si gratë e lagjes “hiqeshin zvarrë eshkë të thata, sy e faqe zgavruara, ose më vithet e gjera, noçkat e këmbëve të buhavitura, gjokset e rënda, torbat e pazarit, vocërrakët që u vareshin pas fundeve dhe që u kërkonin t’i merrnin hopa.” Ajo pyet veten se “Kur zinte fill vallë ai shndërrim? Me punët e shtëpisë? Me barrën? Me dajakun?” “Mbiemri i ri” i referohet shndërrimit të Linës në zonjën Karraçi, por jo vetëm. Siç ndodh rëndom me Ferranten, titulli i referohet edhe Elenës dhe zgjedhjeve të jetës së saj, fort të ndryshuar, larg qytetit të lindjes. Kompromiseve që do të bëjë për të ruajtur një status të ri, aq fort të kërkuar e të ëndërruar, sakrificave shpirtërore që do t’i kërkohen si flijim i ruajtjes së sekreteve e njëkohësisht edhe pamjaftueshmërisë së brendshme që do ta shtyjë gjithmonë drejt Linës, në një ekuilibër rrëqethëses rolesh e modelesh, nga të cilat duket se asnjë nga personazhet nuk mund të çlirohet. Saga napolitane është botuar në 40 vende të botës dhe deri më sot, ka shitur rreth tre milionë kopje.

Elena Ferrante është pseudonimi i autores së dhjetë veprave letrare, ndër të cilat edhe saga napolitane, e konsideruar si kryevepra e saj, nga pikëpamja e kritikës letrare, por edhe falë suksesit të jashtëzakonshme me lexuesit. Emri i vërtetë i autores mbetet ende zyrtarisht i pakonfirmuar. Në 2011 u botua kapitulli i parë i sagës napolitane, “Mikesha gjeniale” (i botuar në shqip në nëntor 2016), i ndjekur në 2012 nga libri i dytë, “Mbiemri i ri” (i sapobotuar në shqip), në 2013 nga i treti, “Storia di chi fugge e chi resta”, dhe në 2014, nga libri i katërt dhe i fundit, “Storia della bambina perduta”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *