Dr. Ilir Alimehmeti
“Mbi çdo majë mali ka një shteg, edhe pse ai nuk shihet dot nga rrëza e malit.”
Cit.: Theodore Roethke (Pulitzer 1954)
Duke konsideruar shprehjen figurative të Z. Roethke dhe duke e vendosur në kontekstin e shëndetësisë, duhet të kuptojmë se objektivat e vështirë nuk mbërrihen dot përmes metodave të lehta e të thjeshta.
Po ashtu, njohja e përgjigjes komplekse imunitare kërkon lodhje dhe metoda kërkimore të avancuara.
Ndryshe nga opinioni i përgjithshëm që është krijuar, imuniteti njerëzor antiviral nuk përbëhet vetëm nga antitrupat IgM dhe IgG që maten lehtësisht dhe me kosto të ulët nga metodat laboratorike në dispozicion.
Imuniteti njerëzor përfshin edhe antitrupa të tjera, si IgA, që nuk maten aktualisht, si edhe përgjigjen qelizore dhe atë të kujtesës, por për të studiuar këto të fundit duhet marrë kampion nga palca e kockave, që e vështirëson shumë studimin pasi me të drejtë për pacientët kjo është procedurë shumë më e vështirë dhe e kushtueshme.
Por çfarë mund të zbulohet përmes këtyre teknikave më të avancuara mbi imunitetin anti-SARS-CoV-2 pasi është kaluar në mënyrë natyrore?
Një studim elitar dhe shumë teknik i Universitetit të Washingtonit, publikuar në Nature më 24 maj 2021, ka studiuar pikërisht plazmocitet në palcën e kockave ose shkurt BMPC-të (bone marrow plasma cells) pas infektimit nga SARS-CoV-2.
Gjetjet janë mbresëlënëse për komunitetin e gjerë, edhe pse të pritshme nga komuniteti shkencor:
Infeksioni SARS-CoV-2 nxit titra të qëndrueshëm serikë të antitrupave anti-S,
Infeksioni SARS-CoV-2 nxit krijimin e BMPC-ve anti-S me jetë të gjatë,
BMPC-të anti-S janë në gjendje “të fjetur” dhe ndryshojnë nga plazmoblastet qarkulluese,
Infeksioni SARS-CoV-2 nxit një përgjigje të fortë imunitare nga limfocitet B të kujtesës.
Këto gjetje janë shumë pozitive, pasi “BMPC-të i ofrojnë njeriut një burim të vazhdueshëm antitrupash mbrojtës të paraformuar dhe janë të nevojshme për të ruajtur mbrojtjen imunitare të qëndrueshme.
Megjithatë, jetëgjatësia e antitrupave IgG anti-S nuk është i vetmi përcaktues i kohëzgjatjes së mbrojtjes imunitare.
Limfocitet B të kujtesës mund të kthehen me shpejtësi në qeliza që sekretojnë antitrupa pas riekspozimit ndaj virusit, duke ofruar një linjë të dytë mbrojtjeje.”
Autorët dalin në përfundimin e mëposhtëm të rëndësishëm:
Të dhënat tona ofrojnë evidencë të fortë se infektimi i njerëzve me SARS-CoV-2 krijon në mënyrë të fortë të dy krahët e kujtesës imunitare të antitrupave: BMPC-të jetëgjata dhe limfocitet B të kujtesës.
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT
Akademia e Shkencave të Shqipërisë