Aktori lindi në prill 1924 dhe vdiq në korrik 2004.
Në vitin 1976 në librin biografik të Gary Carey, “The only contender”, Brando thotë se: Si shumë meshkuj të tjerë, edhe unë kam pasur eksperiencat e mia homoseksuale dhe s’më vjen turp. Si më i diskutuari ka mbetur aktori Wally Cox. Brando ka thënë për të: “Në qoftë se ai do të ishte femër, unë do të martohesha dhe do të kisha një jetë të mrekullueshme me të”. Pasi Cox vdiq, Brando mbajti eshtrat e tij për 30 vite, ndërsa sot ato ndodhen pranë trupit të Marlon Brandos. Gjatë xhirimeve të filmit, “Makina e quajtur dëshirë” në kopshtin e Vivien Leigh, David Niven sheh rastësisht se si Brando po puthte në pishinën e vilës aktorin Laurence Oliver…
Marlon Brando, vdiq më 1 korrik 2004 në një spital të Los Anxhelosit në Kaliforni në moshën 80-vjeçare. I vlerësuar si më i madhi aktor i ekranit të gjeneratës së tij, ai është fitues i merituar i titujve më të lartë e të famshëm në kinematografinë botërore, ndër të cilët dy Oskar në Amerikë( për “Waterfront” dhe ”The Godfather”) dhe “Palmën e Artë” të Kanës në Europë (Viva Zapata”).
Marlon Brando nuk ishte vetëm krijues i karaktereve të mëdha në artin e ekranit, por edhe vetë është i njohur ndër aktorët me karakter më të fortë për çfarë ai vetë thoshte:” Unë jam vetvetja, dhe nëse më duhet që të godas me kokë një mur tullash për të mbetur vërtetë vetvetja, unë do ta bëj këtë”. I shkolluar në Studion e Aktorëve në New York, ai krijoi një stil natyralist të interpretimit që i elektrizonte pasionatët e ekranit dhe gjeneratat e reja të aktorëve amerikanë por edhe në botë e përqafuan këtë stil. Mjafton të kujtojmë disa emra të mëdhenj pasuesish si Al Pacino, Robert de Niro dhe Jack Nikolson. Marlon Brando Jr. u lind në një shtet në zemër të Amerikës, Nebraska, në qytetin Omaha më 3 prill 1924. Preardhja e tij e largët është franceze dhe anglezo-irlandeze, dhe emri i vjetër i familjes është Brandeau. Nëna e tij Dorothy Pennebaker ishte një natyrë plot energji krijuese, por duke qenë se ambicjet e saj nuk i shihte të realizoheshin, zhgënjehej dhe u dha pas pijes. Marlon Brando do të ishte fëmija i saj i tretë pas dy vajzave Frances dhe Jocelyn. Për ta dalluar nga babai që kishte të njëjtin emër e ëma e quante Bud.
Nëna, Dorothy si një pasionate e zjarrtë e artit, që në fëmijërinë e tij e afroi Marlon Brandon në rrethet e teatrit në Omaha Community Playhouse. Jeta e Dorothy Brando dhe fëmijëve të saj u bë e vështirë kur babai i Brandos u transferua në Evaston Illinois kur Bud ishte vetëm 6 vjeç. Më vonë familja arriti të transferohet në Santa Ana Kalifornia dhe në fund në Libertyville Ilinois. Brando vazhdimisht qortohej në shkollë për sjellje të keqe çfarë e irritonte të atin. Por ndërkohë i riu kishte shfaqur prirje e talent skenik, si në interpretim ashtu edhe në recitim. Babai i zemëruar me sjelljet e të birit, e dërgon atë në shkollë ushtarake me mendimin se atje do të disiplinohej. Përkundër dëshirës së babait, shkolla ushtarake jo vetëm që nuk e disiplinoi Marlon Brandon e ri, por për më tepër u përjashtua. Vendosi të shkonte e të jetonte në Nju Jork ku motra Frances vazhdonte studimet e artit. Motra tjetër Jocelyn Brando vazhdonte shkollën e aktrimit nën udhëheqjen e Stella Adler, dhe Marlon vendos të ndjek studimet e aktrimit dhe ai. Kjo do të ndërronte rrjedhën e jetës së tij. Pas vetëm një jave pune me pedagogen Stella Adler, kjo do të shprehej “Brenda një viti, Marlon Brando do të bëhet aktori i ri më i mirë në teatrin amerikan.” Natyrisht kjo do të ndodhte por kjo kërkonte mjaft kohë. Ai nis të luaj role në pjesët teatrale si “I Remember Mama”, “A Flag is Born” dhe “Truckline Café”. Më vonë nën drejtimin e regjizorit të madh Elia Kazan ai luan tek “A Streetcar Named Desire” në vitin 1947. Kjo dramë e fortë e Tennessee Williams e bëri Brando-n të famshëm. Por ndryshe prej karakterit të realizuar, pozant, i revoltuar, i veshur me xhaketë lëkure, bluzë të shkurtër dhe me motoçikletë, ai ndjehej ndryshe dhe i urrente mburrjen e tifozllëkun dhe këtë e shprehte në intervistat e tij në shtyp. Shpeshherë admiruesit e teatrit e indentifikonin karakterin e personazhit Kovalski me atë të aktorit që e interpretonte aq mjeshtërisht, Marlon Brandon, çfarë atë e pezmatonte jashtë mase saqë shprehej: “Kovalski ishte përherë i drejtë dhe kurrë i frikësuar. Ai kurrë nuk pyeste e kurrë nuk dyshonte. Egoja e tij ishte e sigurtë. Dhe ai kishte motivin e një agresiviteti brutal të cilin unë e urrej. Une jam i frikësuar prej tij. Unë e urrej atë karakter”.
Për debutimin e tij të parë në film ai refuzoi shumë studio të mëdha dhe preferoi krijuesin “Indipendent Stanley Kramer” për filmin “The Men” në vitin 1950. Realizimet e karaktereve të tij në ekran e kandiduan për çmimin “Best actor by Academy Nominations”, për katër vite rradhazi, për Kovalski në “A Streetcar Named Desire”(1951); për revolucionarin meksikan Emiliano Zapata tek “Viva Zapata” (1952); Mark Antoni tek “Julius Caesar” (1953); si dhe Terri Malloi në “On the Waterfront” (1954). Ky i fundit do t’i sillte të parin çmim Oskar. Marlon Brando është i njohur edhe për kundërshtitë e tij me Hollivudin duke mos pranuar të bëhet kurrë pjesë e tij për shkaqe nga më të ndryshme. Së pari sepse, siç thoshte ai; “Hollivudi është i sunduar nga frika dhe dashuria për para. Por kjo nuk më sundon mua, sepse unë nuk kam frikë nga asgjë dhe unë nuk i dua paratë”. Akti më i famshëm i rebelimit të aktorit të madh ka qenë refuzimi i tij për të marrë në vitin 1973 statuetën e arte Oskar per filmin “The Godfather”. Ai dërgoi një grua të vetëquajtur Sasheen Littlefeather, të lexojë demaskimin ndaj trajtimeve të Hollivudit ndaj indigjenëve të Amerikës. Për shkak të mbështetjes ndaj indigjenëve të Amerikës dhe luftës së gjatë me producentët dhe regjisorët, ai shkoi e u vendos në ishullin Tahiti. Filmi që i dha lavdi “Waterfront”, nuk arriti të ndërrojë sadopak karakterin e Brando. Marlon, realizon filma në mënyrë të vazhdueshme dhe në vitet 60 mendohej se ylli i tij ishtë në rënie, derisa regjisori i mirënjohur Francis Coppola i ofroi të luajë kapon e Mafias Don Korleone në “The Godfather”, në vitin 1972, një prej realizimeve më të mëdha të kinematografisë me të cilën u mor kritika por edhe pati një sukses të madh tregtar. Emri i personazhit Don, hyri në fjalorin e ekranit si një prej karaktereve më të paharruara. Në një vlerësim të tij në revistën “Newsweek”, Marlon Brando pohonte se “Unë nuk mendoj se filmi është i gjithë rreth mafias. Unë mendoj se ai është rreth mendimit të korporatave. Në këtë rrugë, Mafia është shëmbëllesa më e mirë për kapitalistët që kemi”. Më tej, Brando do të vazhdonte me sukses në krijimtarinë e ekranit me realizimin e njohur erotik deri në skandal me “Last Tango in Paris”, nën drejtimin e regjisorit të madh italian Bernardo Bertoluçi. Kryqëzata e tij për të drejtat civile të indianëve të Amerikës dhe çështje të tjera bënë që sytë e publikut të mbaheshin tek ai gjatë gjithë karrierës së gjatë në kinematografi. Po ashtu dhe romancat dhe martesat e tij ngjallnin kureshtjen publike. Ai u martua me aktoren Ana Kashfi në vitin 1957, që besohej të ishte indigjene nga brigjet lindore. Më pas u zbulua se ajo ishte me origjinë irlandeze dhe ata u ndanë një vit pas martese. Në vitin 1960 ai u martua me një aktore meksikane, Movita, me të cilën ishte shfaqur në publik së pari në filmin “Mutiny on the Bounty”. Por edhe me atë u nda kur u njoh me Tarita. Ai kishte me të treja gratë 9 fëmijë. Jeta personale e familjare e Marlon Brandos do të merrte një rrjedhë tragjike. Në maj të vitit 1990, djali i parë i Marlon Brandos, Kristian, qëlloi dhe vrau Dag Drollet, 26 vjeç, i dashuri tahitian i Cheyenne, motrës së tij nga babai. Ngjarja tragjike ndodhi në “Beverly Hills” ku Kristian Brando 31 vjeç, deklaroi se e qëlloi aksidentalisht të dashurin e motrës. Ai u dënua me 10 vjet burg. Tragjedia do të vazhdonte me një plagë të re për aktorin tashmë të plakur në vitin 1995, kur Cheyenne, e cila kishte rënë në depresion pas vdekjes të së dashurit të vet, bëri vetvrasje në moshën 25 vjeçare. Një jetë plot lavdi, sensacion, kundërshti e travaje që në mbyllje të saj do të shtronte para miliona artëdashësve të ekranit pyetjen: “A ishte e mbetet Marlon Brando, aktori më i madh i të gjitha kohërave? Gjithësesi ai ishte e mbetet me sfidat e veta, legjenda e ekranit Marlon Brando.