Marguerite Duras, një këngë deti dhe dashurie

Luan Rama

… U ktheva sërish në Trouville. Bankinat ishin bosh. Qiejt plot re që endeshin tutje, hijerënda për tu puqur më së fundi me detin. Eci në rrugën buzë detit, vështroj zgalemët që vërtiten në valet e tyre të vazhdueshme me një harbim plot klithma, shkoj deri tutje fundit të plazhit, drejt asaj ndërtese të vjetër që quhet “Les roches noires” (“Shkëmbenjtë e zinj”) të ndërtuar që në vitin 1866 dhe mendoj për Marguerite Duras.

Më ngjan sikur e shoh përsëri atje, në cep të atij ballkoni të gjatë apo buzë dritares duke vështruar e përhumbur detin që e donte aq shumë veçanërisht në dimër, kur të gjithë janë larguar, të gjitha haretë, britmat fëminore, dashuritë dhe ku ka mbetur veç ajo, e vetmuar, përballë detit të pafund, çka e tërhiqte në një lloj mistike, duke e bërë të braktiste gjithçka të kësaj bote për tu përhumbur në të. Marguerite Duras ishte si deti, me baticat dhe zbaticat e saj, me kapriçiot dhe zemërimet e tij, e dehur me ujin e kripës dhe të alkoolit, në vetminë dhe dashurinë e saj të fundit, në tryzën e vogël të shkrimit, mbi letrën, fjalën, gërmën, mbi atë që dinte aq bukur ta shkruante, pasi gjithçka e saj ishte e përjetuar, në të kaluarën dhe të tashmen, në çastin fluid që ajo s’donte t’i shpëtonte nga duart, nga shpirti, ishte personazhi real i dashurisë së mundur por dhe të pamundur, i dramës, i jetës dhe vdekjes, pasi aty, nga ajo dritare me kanate të mëdha e të larta, ajo herë shikonte ngazëllimin e jetës, e herë të zezën që mbulonte gjithçka, pafundësisht, në heshtjen e madhe ku vetëm deti dëgjohej.

Po, deti jetonte përjetësisht. Në një nga fletoret e saj mbajtur në atë dhomë, ajo shkruante: “Nganjëherë ke frikë të vdesësh para se fleta që ke shkruar të jetë shkruar e gjitha… ndërkohë ne e njohim fundin tonë, e dimë, por teksti duhet çuar deri në fund, udhëtimi duhet mbaruar. Pikërisht kjo na bën të ndjej vdekjen çdo ditë…” Atë e shqetësonte ajo se çdo të ndodhte pas vdekjes, çka më kujton mikun e saj të luftës por dhe të kohës së lëvizjeve të mëdha, Mitterandt apo të kohës presidenciale, kur ky marksist iu kthye Saint-Agustinit që e mbante në kokën e krevatit.

Vitet e fundit Marguerite Duras i vizitonte shpesh varrezat, sigurisht jo të rejat, por ato të gjysmës së parë të shekullit XX apo ato të luftës. Aty dhe i lindi idea për të shkruar “Vdekja e aviatorit anglez”, të cilin e shkroi aty, në “Les Roches noires”, pasi një ditë kishte bredhur në varret e ushtarëve që zbarkuan dhe u vranë në brigjet e Normandisë, aty iu kujtua gjithashtu dhe vdekja e të vëllait që i nderej para sysh, si një lloj pengu, si në një ngushëllim të pafund.

Dy vdekje në një, por jo vetëm, pasi në këto vdekje ajo shikonte dhe vdekjen e saj, prandaj dhe nxitonte. Duhej shkruar, natën, ditën, përmes alkoolit dhe dashurisë me të dashurin e saj Yan Andrea. “Ishte një libër si një lloj vaji, – thoshte biografja e saj Laure Adler në “Marguerite Duras”, – një përpjekje për të dialoguar me vdekjen”. Vitin e fundit, një ditë, i dashuri i saj Yan i solli tek dera e shtëpisë Dionisos, ish burrin e saj të dytë. Ajo doli tek dera, zgjati krahët e pështolli fort dhe i pëshpëriti: ”Sa shumë jemi dashur ne të dy”!…

Sa shumë. Po, është bukur t’i thuash një ditë të fundme asaj që ke dashur dikur, në rini apo në kohë gjimnazi: “Sa shumë jemi dashur!”… Pikërisht këtu ajo kishte shkruar dhe librin “Yan Andrea Steiner” apo dhe “Sëmundja e vdekjes”. Ajo gjithnjë pyeste veten se ç’është kjo dashuri, tani, në këtë moshë, kur trupi ashtu i vagët, i lodhur nga vitet, nuk i ka më dehjet e veta, ekstazat e veta, kur gjinjtë janë lëshuar dhe nuk i kanë më dihatjet e tyre, klithjet dhe përdëllimet. Vallë është një botë ku dashuria po tretet, po humb formën e saj të qenësishme?…

Ai, ajo, moskuptimi. Yan ishte homoseksual e megjithatë përhumbte në krahët e saj, pastaj ikte e nervozuar nga agresiviteti i saj, humbte në grinë e plazhit bashkë me erën, dhimbjen, pastaj rivinte në këtë botë ku genet janë ç’rregulluar. Në fund të librit “Sëmundja e vdekjes”, Duras shkruante: “Mbrëmjen e largimit të saj, në një bar, ju tregoni historinë tuaj. Në fillim ju e tregoni sikur të ishte e mundur ta përjetonit, por pastaj ju e lini. Më tej ju tregoni duke qeshur si të ishte e pamundur që kjo ka ndodhur apo se ndoshta dhe mund ta keni sajuar.

Të nesërmen, papritmas, ndoshta në dhomë, ju vini re mungesën e saj. Të nesërmen, papritmas, ndoshta do të provoni një dëshirë për ta parë atje, në vetminë tuaj të çuditshme dhe gjendjen e saj të panjohur nga ju. Ndoshta ju do ta kërkoni përtej dhomës tuaj, në plazhet, në taracat e kafeneve, në rrugë. Por ju s’mund ta gjeni, sepse në dritën e ditës ju nuk njihni askënd. Ju nuk do ta njihni.

Ju nuk njihni nga ajo veç trupin e saj të përgjumur me sytë e hapët apo të mbyllur. Penetrimin e trupave ju nuk mund ta njihni, kurrë nuk mund ta njihni. Ju s’do të mundni asnjëherë. Kur ju keni qarë, ju keni qarë për veten tuaj dhe jo për pamundësinë e admirueshme për tu bashkuar me të përmes atij dallimi që ju ndan nga njëri-tjetri.

Nga gjithë kjo histori ju mbani mend veçse disa fjalë që ajo ka thënë në gjumë, fjalë që tregojnë se nga çfarë vuani: sëmundjen e vdekjes. Shumë shpejt ju braktisni gjithçka, ju nuk e kërkoni më as në qytet, as nëpër natë, as gjatë ditës. Kështu, ju keni mundur ndërkohë ta përjetoni në të vetmen mënyrë që mund të bëhej nga ju, duke e humbur, para se kjo dashuri të ndodhte…”

Shtatorin e kaluar kur shkova të vizitoja «Les Roches Noires» tabela në hyrje të oborrit shkruante për Marcel Proust, banorin e dikurshëm të këtij hoteli kur vinte në dhjetvjeçarin e parë të shekullit XX. Ai e pëlqente shumë Trouville, madje ky dekor na shfaqet në disa fragmente të romaneve të tij, buzëdeti, plazhi dhe grija pafund.

Një kohë e humbur drejt së cilës ai kërkonte të rigjente aromat, fytyrat, koketëritë, pëshpërimet, mbrëmjet e vona, ndjesitë fine për të na i treguar neve, lexuesve të botës. Kështu dhe Duras, që në bredhjet e saj kujtonte të parapëlqyerin e saj Flaubert, pasi figura e Flaubert këtu në Trouville qëndron e pikturuar në një faqe muri në hotelin që mban emrin e tij: “Hotel Flaubert”, pasi atëherë shkrimtari ishte i dashuruar pas këtij qyteti dhe vinte shpesh këtu, siç kujtohet dhe në librat e tij, veçanërisht në “Kujtimet e një të çmenduri”… kujtonte dashurinë e tij në moshën 15 vjeçare kur dashuronte në këto rrugë, brigje, qiej në mënyrë platonike zonjushën 26 vjeçare Elise Schlesinger.

A nuk ndodhi kështu dhe me të, kur në moshën mbi 60 vjeçare dashuroi me djaloshin e ri Yan Andrea, adhuruesin e saj që i telefononte me aq ngulm dhe donte patjetër ta takonte dhe kur më në fund ajo kishte hapur portën, kishte parë fytyrën e tij ëngjëllore që e kishte bërë ti thoshte : «Po ti mund të flësh sonte këtu, në dhomën e tim biri dhe shko nesër».

Por ai s’do të shkonte dot, as nesër as më vonë… Po të shkosh në “braserinë” buzë detit të Trouville, në “Le Central” dhe të ulesh në tavolinën 309, Durasin do ta ndjesh të afërt, pasi ajo ulej gjithnjë aty, me vështrimin drejt detit. A nuk thoshte ajo se “të vështrosh detin do të thotë të vështrosh gjithçka”? Vallë deti përmblidhte gjithçka të kësaj bote? Përse kështu? Ndoshta pse duke vështruar atë pafundësi dhe paanësi, njeriu kupton përkohësinë e tij mbi këtë tokë, kupton hiçin.

Ja pse ky bashkëbisedim i Durasit me detin, dhe jo vetëm i saj ju dhëmb për kohën që ju mungon, që ju shket, që kërkoni ta ndalni, për gjendjen efemere që të rinjtë nuk e kuptojnë por që më pas i ngjan një refreni : ose humbet në dëshpërimin e madh, ose kërkon të jetosh çdo ditë, plotësisht, si të jetë e fundit, me të jgitha dashuritë. A nuk nxitonte Prust gjer ditën e fundit të tij për të mbaruar më së fundi romanin “E burgosura”, të pinte dhe një birrë të ftohtë akull nga ato të «Ritz» dhe dorëshkrimin ta dorëzonte më së fundi në mënyrë që ta dërgonte për tu shtypur? Ah, koha që i mungon gjeniut, pasi ai, apo ajo do të duhej të jetonin jo një por dy jetë, jo për egoizmin e të jetuarit, por për dashurinë e shkrimit, fjalës, pasi pena, letra, të kthehen në një lloj gjymtyre nga e cila nuk mund të shqitesh dot. Kur shkrimi mbaron, aty merr fund dhe shpirti i shkrimtarit.

E pra nga xhamat e asaj “brasserie” Duras duhet të ketë imagjinuar dhe djaloshin Flaubert duke ndjekur pas me dashurinë e tij adoleshente, zonjushën Elise, zonjushen me hiret e saj dhe dantellat, siç na i tregon këto zonja në tablotë e tij Claude Monet, atje, para hotel “Les Roches noires”, buzë detit, vajzat delikate me ombrellat e tyre gati ti marrë era…. Ah dashuria, dashuria e saj për Yan, dashuria që i kapërcen kufijtë e moshës, të gjendjes fizike, të trupit dhe të territoreve. Dashuria gjithnjë e pa përfunduar pasi gjithnjë mbetet diçka për tu thënë, për tu bërë.

A nuk i thoshte ajo Yan-it gjithnjë: “Dashuria jonë e pa përfunduar”? Në hollin e madh të ndërtesës tashmë ka veç heshtje. Kolltuqet janë po aty ku ajo prehej dhe priste gazetarët. Nga dritarja e madhe që vështronte përtej detit duken veç dallgë dhe zgalema që ende s’dihet për ku shkojnë. Nga fundi i nëntorit 1994 deri në gushtin e vitit 1995 ajo kishte qenë këtu, çdo ditë, çdo natë, çdo orë, e përhumbur, duke përshpëritur copëza fjalësh, frazash, dhe kur Yan i shkruante ato çka dëgjonte si në një ditar letrar, një letërsi e shkruar në prag vdekjeje.

Ajo ishte përsëri ballë detit, pas asaj trallisje e ku koma e saj kishte zgjatur pesë muaj kur nekrologjia e saj ishte gati dhe ku më së fundi ëngjëlli shkrues ishte ringjallur. Atëherë kishte shkruar dhe librin e saj “C’est tout”… “Kjo është e gjitha”. “Duhej të iki nga kjo botë, – shkruante ajo. – Nuk di ku ta çoj, ku ta vendos veten time. Ju shkruaj sikur t’u flisja… Do ju dua gjer në vdekjen time… Mermë në lotët e tua, në të qeshurën tënde, në të qarat e tua… Ajo që do të bëhet. Kam frikë. Eja, ejani shpejt… Shpejt, më jepni pak forcë. Ejani në fytyrën time… Lamtumirë. Lamtumirë askujt. Madje as ty. Gjithçka ka mbaruar. Duhet kthyer faqja. Duhet mbyllur. Eja tani.

Duhet të shkojmë… Eja shpejt. S’kam më gojë. S’kam më fytyrë… » Atëherë Duras ishte obseduar nga hiçi, boshllëku, faqja bosh, se mos shkrim ndalej dhe jeta e humbte kuptimin e jetës. «Boshllëku para meje… S’ka tjetër veç boshllëk. Boshllëqet. Ky boshllëk i terrenit të fundit. Ne jemi dy. Secili është vetëm… »

Duke vështruar detin, atje në Trouville, në «Les Roches noires», në netët e ditët që shkëmbeheshin, duke u endur e vetmuar mes erës, spërkatjes dhe klithmave të mjellmave, ajo rikrijonte dekoret e romaneve të saj, dekore ku u jepte frymë personazheve, shpesh pa emra, ai, ajo, për të kapur kështu universalen, thelbin, qenësinë, pasi ç’rëndësi kishin tashmë emrat për të, rëndësi kishte ajo diçka që bënte pyetjen e madhe rreth njeriut, shoqërisë, pikëpyetjen e madhe mbi dashurinë.

Vallë ç’ndodh me dashurinë në këtë moment të kohës dhe globit, kur luftrat dhe urrejtjet kanë kapërthyer gjithçka, kur grykësia e ka zvogëluar aq shumë shpirtin njerëzor dhe të botës, ku jeta shpërfytyrohet gradualisht, pa e kuptuar, në diçka të ftohtë, që vdes ngadalë, në diçka që ftohet, atje, këtu, buzë detit, ku dallgët të marrin dhe të mbulojnë me shkumë dhe pastaj të gëlltisin në thellësitë e errta? Ç’ndodh vallë?… A e dëgjoi ajo muzikën e Bach tek e përcolli në atë kishë të Saint-Germain, ditën kur bëhej mesha e saj e pëshpirtjes?… Le pas “Les Roches noires”, zbres shkallaren e gurtë që të çon drejt detit dhe që këtu e kanë quajtur « Escalier Marguerite Duras »… Ja pra shkallë me emrin e një shkrimtareje.

Mund të ngjitesh dhe zbresësh nga to, të shkosh dhe të lagësh këmbët në detin plot shkumë, nën klithmat e zgalemave, duke marrë me vete një tufë fjalësh të Duras, një tufë çfarëdo, një «kantilenë», pasi Duras na mëson të shkruajmë. Proza e saj është një poezi më vete, personazhet flasin pak por na bëjnë të mendojmë shumë. Papritmas kthej kokën dhe në atë shkallare tej, më shfaqet në flu imazhi i saj, ai trup i vogël i krrusur që zbret për të takuar të dashurit e saj dhe pastaj të shkojë drejt detit e të humbasë në të…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *