Margaret Fuller, gazetarja dhe publicistja e parë amerikane

Nga Albana M. Lifschin

Edgar Ellen Po duke shprehur të veçantën e kesaj gruaje, dikur u shpreh: “Shoqëria njerëzore është e ndarë në burra, gra dhe, Margaret Fuller.”

Margaret Fuller ka qënë e para femër e emancipuar, lektore, gazetare, kritike letrare e korespondente ndërkombëtare e shtypit amerikan.

Njohëse që në fëmijëri e disa gjuhëve të huaja,gjermanishtes, frënjishtes, gjuhës italiane, greke dhe latine, ajo u rrit në fillimet e shek. të 19, duke zhvilluar një intelekt e talent të jashtëzakoshëm. Margaret Fuller qe redaktorja e parë e revistës intelektuale transedentale “Dial” të cilën e mbajti dy vjet. Qe autorja e parë që shkroi një libër për jetën e tribuve indiane të Amerikës e keqtrajtimin e tyre nga të bardhët, duke u bërë kështu mbrojtëse e të drejtave të tyre. Në dhjetor 1844 u punësua nga “New York Tribune”, botuar nga Horac Greeley. Fokusi i artikujve të saj ishte sfera shoqërore dhe letrare e jetës amerikane. E pamohushme në aftësitë e saj profesionale ajo guxoi të prekte me kritikat e saj edhe emra krijuesish të njohur të kohës, madje dhe Ralph Waldo Emerson, poet e filozof. Xhelozë për profesionalizmin e intelektin e saj të jashtëzakonshëm reagimi i kolegëve erdhi më shumë si një sulm mbi aparencën e Margaret Muller, duke u përpjekur ta ç’femëronin. Por ndryshe nga sa e përshkruante xhelozia e e kolegëve, Margaret Fuller vishej bukur madje e mbante vehten e saj si zonjë klasi. Ajo mund të ngiste kalin më mirë se një burrë dhe mund të danconte deri në mëngjes pa u lodhur fare. Ajo e kishte kompletuar vetëveten me kurajo duke hedhur poshtë epitetet nënvleftësuese me të cilat paragjykimet e veshin një femër. Fuller shquhej një humor të këndshëm por edhe shpesh herë edhe një gjuhë therëse.

Botimi i librit të saj “Gratë në shekullin e 19- të “, në shkurt të vitit 1845, në Nju Jork, krijoi sensacion të madh. Libri ishte një thirrje pa kompromis për të drejtat e gruas amerikane. Fuller kishte besim në aftësitë e cilësitë e gruas. Deklaratat e saj ishin shumë të guximshme për atë kohë. Në mes të tjerash ajo shkruante se “gratë janë të afta të bëjnë çdo lloj pune madje edhe kapitene detrash, po të duan”. Në 1846, Margaret Fuller shkoi në Angli si korespondente për Nju Jork Tribune, duke u bërë kështu korespondentja e parë grua jashtë kufijve të Amerikës. Në Angli libri i saj qe lexuar me simpati dhe i hapi shumë dyer. Ajo intervistoi personalitete të kohës si Harriet Martineau, Wordsworth, dhe De Quincey. Në Angli takoi Giuseppe Mazzinin, një emigrant revolucionar italian qëllimi i të cilit ishte të bashkonte Italinë, (Në 1847 Italia ishte e ndarë në disa shtete papale) në një republikë të vetme. Ai ishte organizator i lëvizjes së të rinjve”Italia e re”.

Fuller e ndoqi Mazinin në mbledhjet me të rinjtë. Ajo hyri kështu pakuptuar në lëvizjen revolucionare të kohës duke u bërë aktiviste e saj. Ndërkohë Fuller vazhdonte të shkruante për gazetën e Nju Jorkut në kohët më dramatike që po kalonte Evropa dhe njëkohësisht mblidhte materiale për të shkruar veprën e saj “History of Italian Liberation.” Ajo shkroi një artikull për Mazzinin për gazetën e saj. Ndërkohë shkrimet e saj në Amerikë kishin lënë shije jo fort të mirë. Ndër të tjera Fuller shkruante: “Vendi im tani është i përkëdhelur nga prosperiteti, budallepsur nga fitimi, ndotur nga vullneti për të përjetsuar skllaverinë, turpëruar nga një lufte e paturpshme (Lufta me Meksikën) ndërsa në Evropë një shpirt më fisnik po përpiqet, po lufton….” Ndërkohë kur po mendonte kthimin në atdhe, u njoh rastësisht me një djalë më të ri se veten: Giovani Angelo Ossoli, djalë i një familje fisnike italiane. Pas një kohe të shkurtër djali i ri i propozoi për martesë. Ajo refuzoi dhe u largua në Milano, në veri të Italisë. Miku i saj poeti polak Mickiewicz (Adam Mickievic) e këshillonte të mos e linte italianin e ri. Ai i shkruante në një letër kështu : ” Pasi ke admiruar gratë e Romës thuaj vetes: “Unë jam e bukur gjithashtu… Tek ju, unë takova një njeri të vërtetë e nuk kam nevoje t’u bëj lëvdata të tjera” Nga ana e tij Ossoli në letrat e tij çuditërisht parashikonte:” Ju do të ktheheni tek unë”. Parashikimi i tij doli i vërtetë. Margaret Fuller u kthye nga Milano në Romë, tek Ossoli. Më vonë ajo pat shkruar:”Veprova ashtu siç ndjeva. Gruaja ka lindur për dashuri dhe është e pamundur ta kthesh atë nga kërkimi i saj”. Në 5 shtator 1848 ajo lindi një djalë tëe cilit i vuri emrin e të atit. Margaret Fuller u bë Markeza Ossoli. Ndërkohë, botuesi i gazetës në Nju Jork Horac Greeley kishte dëgjuar thathethemet mbi dashurinë “e lirë” të saj dhe i preu rrogën. Në maj 1850 çifti Ossoli la Livornon me destinim Nju Jorkun. Qe një udhëtim i pafat. Në 18 korrik kur anija “Elisabeth” po i afrohej portit të Nju Jorkut pati furtunë në oqean. Në orën 4 të mëngjesit anija u përplas papritur me ishullin e zjarrit(Fire Island). Varkat e shpëtimit u bënë të papërdorshme. Anija filloi të shkatërrohet. Fuller i dha brezin e saj të shpëtimit një detari i cili po përpiqej të ndihmonte njerëzit në anije. Në brigje dukeshin silueta njerëzish, të cilët çuditërisht nuk po afroheshin për t’u dhënë ndihmë njerëzve që po mbyteshin. Ishin piratë që po bënin sehir deri sa t’u vinte ora e grabitjes. Në orët e fundit të mbytjes së anijes kush mund të shpëtonte, shpëtoi. Margaret Fuller nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të shpëtuar e veçuar nga burri dhe fëmija. Ende me këmishën e gjatë të natës mbante mbërthyer në gjoksin e saj foshnjen. Ky ishte imazhi i fundit i saj që rregjistroi kujtesa njerëzore. Para nisjes në këtë udhëtim të fundit për atdhe, ajo pat shkruar që jeta e saj që zhvilluar si një tragjedi greke. Vdekja e Margaret Fuller qe një sensasion publik. Miqtë e saj nga Bostoni erdhën në ishull me shpresë se mos gjenin ndonjë gjurmë të dorëshkrimit të saj mbi revolucionin italian. Asgjë nuk u gjet në mbeturinat e anijes veç një kutie të mbyllur me letrat e dashurisë së Margaritës dhe Anxhelos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *