Vendi ku u pagëzua Jezusi, gjatë lumit Jordan, u deklarua zyrtarisht pasuri e njerëzimit nga Unesco, gjatë një ceremonie, organizuar këto ditë në Paris. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe një delegacion i ardhur nga mbretëria Hashemite e Jordanisë, në të cilin bënin pjesë ministri jordanez për turizmin, NayefH Al-Fayez dhe kryeipeshkvi, Maroun Lahham, mëkëmbës patriarkal i patriarkatit latin të Jeruzalemit për Jordaninë.
Vendi, i konfirmuar nga devocioni popullor dhe nga kërkimet arkeologjike, është vizituar nga katër papë.
Në fjalimin e mbajtur gjatë kremtimit, kryeipeshkvi Lahham e kujtoi sitin e Pagëzimit si hapësirë, ku jehon akoma zëri i Jezusit, në një vend si Jordania, të qetë e të sigurt, në mes të Lindjes së Mesme në flakë. Ungjilli, kujtoi, e pati deklaruar më se dymijë vjet më parë; devocioni popullor e konfirmoi gjithnjë këtë vend, të vizituar nga katër papë; kërkimet arkeologjike e mbështetën dhe e vërtetuan e sot bashkësia ndërkombëtare e njeh zyrtarisht si pasuri e mbarë njerëzimit.
Edhe Jordania është Tokë Shenjte
Duke nisur që sot, shtoi ipeshkvi Lahham, ne mund të deklarojmë me zë të lartë se Jordania është Tokë Shenjte. Toka Shenjte përfshin sidomos, Jeruzalemin, Betlehemin e Nazaretin, por kjo nuk e përjashton Jordaninë. Ajo është e mbetet Tokë Shenjte