Ka nisur në Leipzig, Panairi i Librit 2016, me pjesëmarrjen e autorëve shqiptarë, që mbështeten nga Ministria e Kulturës. Letrat shqipe u prezantuan në ditën e parë të panairit me poeten Luljeta Lleshanaku në një bisedë me prozatoren nga Lihtenshtenji, Sabine Bockmühls. Përballë dy fëmijëri të ndryshme që mbartnin të njëjtën dhimbje. Një fëmijë i izoluar si kukulla e fundit e matrioshkës, brenda një izolimi shumë më të madh, një fëmijë që i mohohet ëndrra për të ardhmen, ai që përshkruan Lleshanaku në poezinë e saj, ndërsa proza e Sabine Bockmühls-it rrëfen dhimbjen e fëmijës së izoluar si i ndryshëm prej të tjerëve, si i huaj dhe i përbuzur. Edhe pse të rritura në dy botë të ndryshme: njëra në diktaturë e tjetra në demokraci, njëra në një vend të varfër e tjetra në një vend të zhvilluar, dhimbja e lënies jashtë, dëbimit, të ndjerit i padëshiruar dhe i shënjuar përjetohet me të njëjtën peshë në krijimtari.
E megjithatë fëmijëria ruan magjinë në vetvete, shprehet Lleshanaku, magjinë e herës së parë: në fëmijëri zbulojmë botën dhe ky është takimi më befasues që na ngulitet në kujtesë. Fëmijëria si shtëpia? A është ajo streha ku ne kthehemi dhe ndjehemi mirë? Është si shtëpi e shpirtrave, përgjigjet poetja, vendi ku takojmë të gjallë e të vdekur. Sa më shumë shkon koha aq më shpesh i kthehemi këtij vendi-kohë, ku magjia, malli e dhimbja shkrihen bashkë.
Për Sabinën fëmijëria është jo-streha: e shpërngulur nga Gjermania dhe e vendosur në Lihtenshtenj përjeton veçimin e mospranimin prej moshatarëve, vetminë që për fëmijën është më e rëndë se varfëria.
Në takimin e moderuar nga kritikja Annemarie Türk, me përkthimin në shqip të Loreta Schillock, u lexuan pesë poezi nga vëllimi “Fëmijët e natyrës” në gjuhën gjermane.
Në ditën e dytë të panairit në diskutim është Rumania, një vend që bashkon tre shkrimtarë me prejardhje e gjuhë të ndryshme: Ardian Christian-Kyçykun, Dana Grigorcean dhe Filip Florianin, të ftuar për të ndarë përvojat e tyre në diskutimin e ditës së premte, datë 18 mars.