Linda Rama: Ne gratë e gjejmë shpesh veten përballë një pasqyre ku imazhi jonë shkarravitet. Lënduese indiferenca ndaj të vërtetës!

Fjala e zonjës Linda Rama në pritjen e zhvilluar me rastin e 8 Marsit, në Pallatin e Brigadave:

Të nderuara zonja!

Një vit më parë, Eni Vasili më kërkoi të bëja një shënim në kopertinën e librit të saj mbresëlënës “Unë kam vrarë”. Dhjetë portrete grash të burgosura për vrasje. Pikërisht atë ditë me një grup ekspertësh po i jepnim dorën e fundit një studimi mbi pjesëmarrjen e gruas në role vendimmarrëse, në politikë, në administratën publike dhe kompani private në Shqipëri. Analiza na kishte sjellë në përfundimin e qartë se megjithëse gratë dhe vajzat performojnë më mirë se burrat dhe djemtë në rrugën e arsimimit, ato ende nuk janë në kushte të barabarta, as përsa i përket akesit në arsim dhe as nga vlerësimi i nivelit arsimor dhe i aftësive të tyre profesionale.

Por, unë bie dakord me këdo që thotë se ato i’a kanë dalë të jenë një prani e admirueshme si mësuese, si mjeke, doktore shkencash, profesore. Janë sot ¼ e parlamentit. Janë më shumë se 1/3 në qeveri. Konkurrojnë rëndom pozicionet e larta në administratë. Janë në një prezencë të kënaqshme në linjën e parë të menaxhimit të kompanive të mëdha private. Janë sipërmarrëse të suksesshme. Sidoqoftë, kjo anë e medaljes me cilësinë e zhvillimit të pamohueshëm në këtë drejtim, mund të na çojë në përfundime të gabuara nëse e shohim të ndarë nga ana tjetër, atë të diskriminimit ndaj vajzave dhe grave qysh në vitet e fëmijërisë dhe në vazhdim.

Dhjetë portretet e Enit, libër të cilin i’a sugjeroj dashamirësisht atyre që nuk kanë patur rastin ta kenë në dorë, janë një udhërrëfyes i vyer për të kuptuar si duhet anën tjetër të medaljes. Një anë e zymtë, e rëndë, e pamundur të relativizohet në përmbajtjen e saj shumë shqetësuese prej të gjithë rezultateve të mirëqena të këtyre viteve, në drejtim të barazisë gjinore.

Krimet ekstreme të atyre dhjetë grave dhe vajzave janë një pasqyrë brutale e jetës së përditshme, që zhvillohet larg mureve të institucioneve dhe kompanive, në një Shqipëri diskriminuese ndaj bashkëqytetareve tona, për të cilat dëgjojmë vetëm kur kryhet një krim i rëndë, po kur sjellja e vrazhdë si prelud i dhunës ndaj tyre është normë, është mënyrë jetese. Kjo është një Shqipëri tjetër, një botë e mënjanuar pas një perde sedre arkaike dhe turpi bashkëkohor, ku nuk penetron syri i medias prej ku asgjë nuk del në botën e klikimeve dhe të pëlqimeve, e cila përthith fuqishëm vëmendjen dhe diktatin e çastit, duke e kthyer në një diktaturë të sipërfaqësores.

I jam trembur qysh në fillim kësaj diktature dhe jam përpjekur t’i rezistoj, duke mos krijuar një profil timin në Facebook, në Instagram apo Twitter, por jam shumë e vetëdijshme se nuk i shpëtoj dot shfaqjes së saj përpara dhe rreth meje si një prani e pashmangshme, diktatit të saj konsumues përmes subjektesh dhe objektesh të imponuara në biseda, të cilat i ngjajnë gjithnjë dhe më shumë një dorëzimi përpara sipërfaqësores dhe kalimtares që i bën marrëdhëniet mes njerëzve t’i ngjasojnë përherë e me tepër klikimeve sesa komunikimeve.

Shumëkush thotë se interneti ka rritur ndjeshëm kapacitetin tonë për të komunikuar. Ndjesë, por shumë modestisht mendoj se po, me siguri ka rritur mundësinë tonë për t’u ekspozuar e për të ekspozuar opinione gjithnjë dhe më të përmbledhura. Por besoj se ka ulur kapacitetin tonë për të komunikuar, dëgjuar, dyshuar në të vërtetat tona. Nuk është aspak rastësi që dhjetë portretet e Enit dhe dhjetëra e mijëra portrete grash dhe vajzash që jetojnë jashtë mureve të ekspozitës së madhe virtuale të klikimeve dhe pëlqimeve, janë sot edhe më të ndara, edhe më të izoluara prej realitetit tonë ku progresi i madh në këtë drejtim është një pengesë më vete në rrezen tonë të vështrimit.

Në një kohë si kjo më duket se është i kërcënuar edhe vetë konsensusi i arritur në pjesën e zhvilluar të shoqërisë, mbi faktin se gruaja nuk është peng i fatalitetit dhe i skandalit, thelbi i bukurisë që vret, siç fliste Migjeni, por paralajmëruese, pararendëse dhe garante e së padukshmes siç e cilësonte Shën Gjon Pali i II-të, pra i të mirës, virtytit, historive të vërteta të suksesit, ato për të cilat flitet më pak ose nuk flitet aspak.

Duket sikur ka një rrëshqitje të vazhdueshme në një terren paqëndrueshmërie përthithëse. Fizikja po përparon në dëm të shpirtërores. E sipërfaqshmja në dëm të thelbësores. Pëlqyeshmëria imediate në dëm të thellësisë së pëlqimit. E çka e bën rrëqethës këtë përparim në sens të kundërt të progresit që kërkuam me vite dhe dekada të tëra, është dasia, fragmentimi, copëzimi në dëm të vizionit dhe sintezës mbi shoqërinë e barabartë që duam.

“Pak rëndësi ka sa e papërfillshme mund të duket një grua. Nëse në fytyrë ka të shkruar vërtetësinë dhe luajalitetin, gjithçka do të tërhiqet rreth saj”, – shkruante Eleanor Roosevelt, një kult i mrekullueshëm që sot, zor se do merrte klikime dhe pëlqime të dallueshme në klasifikimin e thënieve të ditës.

“Historia e qytetërimit, me uljet dhe ngritjet e saj, mund të lexohet si një produkt i ligjit të forcës, të interpretohet si shuma e ndjesive të frikës së gjithsecilit. Më duket pikërisht se është sfida e grave të kësaj epoke qytetërimi, konsolidimi i demokracisë dhe qëndresa ndaj tundimit për t’i paguar haraç frikës”, thoshte zonja Roosevelt, aq shumë kohë më parë.

Por sot, kaq shumë kohë më vonë, kur jo pak çështje të shoqërisë dhe të vetë grave, që dukeshin si të zgjidhura parimisht njëherë e përgjithmonë çfarë duhet të mendojmë dhe si duhet të reagojmë ndaj haraçit të frikës prej rivënies në diskutim të tyre!

Si duhet të reagojmë ndaj shfaqjes së përditshme të relativizimit brutal të normave etike, vlerave shoqërore, nocioneve të së vërtetës dhe të gënjeshtrës!

Si duhet të reagojmë ndaj eksodit masiv të fëmijëve tanë nga bota e leximeve, në botën e klikimeve.

Nuk e di, por kam prirjen e fortë të besoj se, përsëri, njësoj si në kohën kur Eleanor Roosevelt e quante sfidë të grave konsolidimin e demokracisë dhe qëndresën ndaj tundimit për t’i paguar haraç frikës, përgjigjja për pikëpyetjet e kohës që jetojmë mund të vijë nga gratë, më shumë sesa nga burrat.

Dhjetë portretet e Eni Vasilit janë përgjigja e dëshpërimit më ekstrem që mund të na vlejë si një arsye shumë e fortë për t’u ndjerë të detyruara të gjejmë përgjigjen e kurajës, për të besuar në mundësinë e një bote më të mirë për fëmijët tanë. Për të besuar në rëndësinë e komunikimit tradicional ku dëgjimi ka po aq rëndësi sa kumtimi. Për të besuar në forcën ndikuese të shembullit të mirë, duke çmuar dhe komentuar me respekt, pa u tkurrur nga presioni mbytës i mjedisit zhvleftësues dhe përçmues ndaj suksesit të tjetrit.

Këto vite nën dritat e një skene që nuk kam zgjedhur me dëshirë, por ku jam e detyruar të qëndroj për hir të një dashurie të madhe, kam parë që shpesh na qëllon ne grave me profil publik ta gjejmë veten përballë një pasqyre ku imazhi jonë shkarravitet. Kjo më lëndon padyshim! Por mbi të gjitha më lëndon indiferenca e përgjithshme ndaj të vërtetës, të cilën ju kush më shumë e kush më pak e keni provuar në sensin e zbrazëtisë që krijon brenda vetes përballë një cenimi të padrejtë. Sepse të gjitha dhe të gjithë, për fat të keq jemi gjithnjë dhe më të prirur të mos i marrim seriozisht cenimet që na bëhen përditë, masivisht në këtë mjedis, ku shuplakat publike të akuzave, shpifjeve dhe fyerjeve janë bërë rutinë njësoj si klikimet. Por, në fund të ditës një pyetje pa përgjigje mbetet: Çfarë po u bën dhe do t’i bëjë fëmijëve tanë gjithë ky transformim radikal në stomakun e shoqërisë. Sot në mëngjes, Zaho me sinqeritetin e një bebeje, duke më parë bukur, drejt në sy më tha diçka që më befasoi: Mama Linda ti je shumë e bukur!

Kjo më çarmatosi dhe më bëri të mendoj se fjala që kisha përgatitur për të thënë këtu para jush vlente të hidhej në kosh dhe unë të besoja tek e nesërmja do të jetë si kjo ditë e bukur, plot diell 8 Marsi!

Është vetëm një zotëri i ftuar sot. I ftuar si një mbështetës i madh i barazisë gjinore. Dhe besoj si ministri, kryetari i bashkisë, kryeministri dhe politikani që ka nxitur vijimisht ekselencën brenda gruas, duke i dhënë asaj besimin dhe mundësinë për të shpalosur potencialet e saj në të gjitha drejtimet dhe nivelet dhe duke bërë siç ajo e meriton, bashkautore të reformave dhe një kontribuuese të denjë në ndërtimin e shtetit ligjor dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë.

E thënë ndryshe, pa pasur frikë se nxjerr ndonjë sekret para jush, si në kohëra të zymta, në ditët e aksioneve të vështira dhe po ashtu në ato të pakta fragmente qetësie, ka diçka që Edi nuk e humb kurrë; Iinteresin për gruan, besimin e plotë dhe sinqerisht tek roli i grave në qeverisje dhe administrim, jo thjesht si moment emancipimi gjinor, por si kapacitet i posaçëm menaxhues.

Duke i njohur të gjithë meritën dhe duke i uruar 8 marsin një gruaje speciale Aneta Ramës, ftoj këtu bashkëshortin tim dhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *