Ligji për Trashëgiminë, Kumbaro: Do të shmangim gabimet në rijetëzimin e monumenteve

Pas një periudhe disavjeçare debatesh dhe përplasjesh mes Ministrisë dhe palëve të interesuara, më në fund, projektligji “Për Trashëgiminë Kulturore” është gati të diskutohet sërish me Komisionin Parlamentar. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e angazhuar personalisht për rishikimin e ligjit për Trashëgiminë, thotë se projektligji i ri reflekton sugjerimet dhe vërejtjet e bëra nga institucione, specialistë të fushës apo shoqata që prekeshin në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ky ligj.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Panorama”, Kumbaro shprehet se “4 janë shtyllat kryesore të këtij projektligji: ruajtja, mbrojtja, vlerësimi dhe administrimi i Pasurive Kulturore”. Ministrja shpjegon se si do të mund të përmbushet misioni i vështirë i rijetëzimit të monumenteve të kulturës, ç’kritere duhet të përmbushen dhe garancitë për të mos rënë në të njëjtat gabime, që janë hasur më parë në këtë fushë. Të reja do të ketë edhe për pronarët e banesave-trashëgimi kulturore, të cilët do të zhvishen nga taksat, por ama do të duhet të investojnë për të mbajtur në këmbë shtëpitë e tyre. Ç’do të ndodhë me muzetë nëpër Shqipëri, që nuk përmbushin standardet ndërkombëtare dhe sa i vjetër do të duhet të jetë një objekt për t’u konsideruar trashëgimi kulturore.

Pas një pune intensive dhe debatesh që e kanë shoqëruar atë, duket se jeni gati për të prezantuar projektligjin “Për Trashëgiminë Kulturore”. Sa ka ndryshuar ky variant nga ai i një viti më parë dhe cilat janë çështjet ku jeni fokusuar më shumë?

Po, mund të thuhet tashmë se jemi krejt gati. Projektligji i Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeve nuk është amendim i ligjit ekzistues. Është një ligj i ri. Projekti është nisur nga Ministria e Kulturës që në vitin 2014, për të cilin është punuar nga një grup i zgjeruar i specialistëve të Ministrisë, të institucioneve të varë- sisë, të anëtarëve të KKR-së dhe të KKA-së dhe në funksion të fushave nga ekspertë të tjerë të fushave që mbulon ligji. Kështu u arrit në një tekst integral, i cili u dërgua për konsultim publik në nëntor të vitit 2016.

Duke pasur në konsideratë që draftligji është tejet kompleks, teknik dhe voluminoz me rreth 280 nene, përgjatë një viti, Ministria e Kulturës ka vijuar konsultimet, shkëmbime me shkrim dhe me gojë, takimet dhe konferencat shkencore me aktorët teknikë të fushës së trashëgimisë kulturore. Sigurisht, pas këtyre takimeve ka pasur edhe reflektime apo rishikime lidhur me disa qëndrime që projektligji duhet të përmbajë.

Varianti i miratuar në Këshillin e Ministrave dhe i propozuar në Parlament ka pasur disa ndryshime teknike që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore të luajtshme, me trashëgiminë e peizazhit kulturor, me arkeologjinë nënujore, me format e reja të administrimit dhe disa ndryshime lidhur me masat fiskale në fushën e trashëgimisë kulturore, një pjesë e të cilave me reformën fiskale të dhjetorit të 2017-s janë përfshirë në ligjet përkatëse, siç është përjashtimi nga taksa e pronës për ata që janë pronarë të objekteve që përbëjnë pasuri kulturore. Por 4 janë shtyllat kryesore të këtij projektligji: ruajtja, mbrojtja, vlerësimi dhe administrimi i Pasurive Kulturore.

Cilët kanë qenë partnerët tuaj në këtë proces?

Ministria e Kulturës në procesin e hartimit dhe miratimit të ligjit nga Këshilli i Ministrave ka bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me subjektet e ndryshme në fushën e Trashëgimisë Kulturore si, shoqata, universitete, arkeologë, restauratorë etj., partnerë ndërkombëtarë si UNESCO, Këshilli i Europës, apo edhe shoqata të trashëgimisë kulturore në Itali, ekspertë të trashëgimisë kulturore nga Këshilli ShqiptaroSuedez, etj..

Sigurisht, partneri kryesor që Ministria e Kulturës ka pasur gjatë këtyre 4 viteve ku ka bashkëpunuar ngushtësisht jo vetëm për draftin e ligjit të trashëgimisë kulturore, por edhe për aspekte të tjera në fushën e trashëgimisë kulturore është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, i cili ka asistuar hartimin e këtij projektligji me ekspertë të dedikuar të jurisprudencës siç është studio Hajdari-Haxhia.

Prej vitesh është folur shumë për rijetëzimin e monumenteve të kulturës, çka nuk duket se ka funksionuar. Pse ka ndodhur ky fenomen dhe si do ta nxjerrë ky ligj, këtë proces nga ngërçi?

Çfarë do të garantojë mospërsëritjen e precedentëve të mëparshëm, që kanë çuar në shfytyrimin e monumenteve? Procesi i rijetëzimit të monumenteve të kulturës është në fakt një proces që të gjithë vendet e Europës Perëndimore janë duke e zhvilluar prej viteve ‘50 e në vijim, si një mjet mjaft efikas për gjenerimin e mjeteve të reja financiare, për zhvillimin e turizmit, aksesit të publikut në trashëgiminë kulturore, por edhe si një rrugë e pashfrytëzuar për investime në pasuritë kulturore dhe për qëndrueshmërinë e tyre fizike. Disa nisma rrjetëzimi, që janë ndërmarrë në të shkuarën e afërt në Shqipëri, janë kthyer në fakt në një fenomen që ka prodhuar kryesisht modele që lënë shumë për të dëshiruar.

Fakti i mosfunksionimit, siç dihet, ka disa arsye, si mungesa e një strategjie apo vizioni, rregulla të qarta ligjore dhe një vendimmarrje transparente dhe kolegjiale. Këto elementë janë përfshirë në draftin e ri të trashëgimisë kulturore në nene sqaruese me rregulla të qarta dhe procedura, e cila mbi gjithçka vë theksin mbi transparencën dhe kolegjialitetin në vendimmarrje duke i hequr ministrit mundësinë për arbitraritet. Nëpërmjet gjithë procesit të parashikuar në nenet 182, 183, 184, 185, 186 të projektligjit, rijetëzimi kanalizohet në shumë filtra dhe në një vendimmarrje për interes publik.

Cilat janë “limitet” e rijetëzimit të një objekti? Çfarë mund apo nuk mund të bëhet një objekt i trashëgimisë kulturore? Nëse do të flasim për “rijetëzim” pazaresh, lagjesh, qendrash, do të thotë kjo se në atë zonë lejohen vetëm bare dhe restorante të bukura, ndërsa përjashtohen aktivitete të tjera? P.sh., pazari i Korçës është një investim që duhet lavdëruar, por fatkeqësisht në të nuk ka jetë (të paktën kur unë e kam vizituar), për shkak se pronarët e dyqaneve ishin të kufizuar në aktivitetet që duhet të ushtronin aty (në mos gaboj).

Pasuritë e paluajtshme kulturore në administrim të institucioneve qendrore ose vendore mund të jepen në përdorim, për qëllim rijetëzimi, për funksione administrative e social-kulturore, me kusht që projekti i rijetëzimit të mos dëmtojë vlerën e pasurisë kulturore dhe për këtë, çdo hap është parashikuar deri në detaje në ligj, me qëllim që të kufizohet maksimalisht hapësira për abuzim apo arbitraritet, nga çdo titullar i mundshëm, qoftë edhe ministri vetë.

Vendimmarrja për miratimin ose jo të projektit të rijetëzimit për pasuritë kulturore të paluajtshme kryhet me vendim të një komisioni ad hoc, të përbërë nga 7 anëtarë nga institucionet e specializuara në fushën e trashëgimisë, pasi konsultohet me Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, Këshillin Kombëtar të Menaxhimit të Pasurive Kulturore dhe Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Kur flasim për rijetëzim të objekteve-trashëgimi kulturore në zona të Trashëgimisë Kulturore, siç mund të jenë pazaret tradicionale etj., kemi të bëjmë me pasuritë kulturore në pronësi private, të cilët duhet të marrin miratimin paraprak nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe nga këshillat kombëtarë.

Projekti i rijetëzimit duhet të përfshijë një plan të detajuar të zhvillimit të territorit, objekt rijetëzimi, duke respektuar regjimet për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerës së veçantë kulturore. Nuk jam dakord që Korça s’po popullohet, por duhet të kuptoni që është një formë e re, që ka vetëm një vit që ka filluar procesi, që para se të jetë sipërmarrje biznesi është sipërmarrje ndryshimi mentaliteti dhe kjo nuk ndodh as në një ditë dhe as në një vit. Por mënyra dhe ritmi si po ecën Korça, tregon se është modeli i duhur dhe që, në fund të fundit, s’e kemi shpikur ne.

Kjo është mënyra se si rijetëzohen qendrat historike apo pazaret tradicionale. Rregullat specifike të parashikuara më lart, vendimmarrje e disa organeve kolegjiale për projektet e rijetëzimit si dhe projekte rijetëzimi të plotësuara në të gjitha elementët e tyre për trajtim do të sjellin një ndryshim rrënjësor në atë çka rijetëzimi i monumenteve të kulturës përfaqëson në të vërtetë që është jo vetëm një sfidë, por edhe një synim i Ministrisë së Kulturës.

Një tjetër problem ka qenë ai i bashkëpunimit shtet-privat, kur kemi të bëjmë me banesa-monument kulture. Si e rregullon ligji këtë raport dhe çfarë ndodh në ato raste kur pronari (shpesh herë i takon moshës së tretë), nuk ka mundësi as ta restaurojë, as të marrë kredi e as ta shesë? Apo në rastet e konflikteve mes pronarësh?

Gjatë zbatimit ndër vite të ligjit nr. 9048, datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, është konstatuar se shumë nga dispozitat e këtij ligji nuk arritën objektivat e parashikuar sidomos në realizimin konkret të bashkëpunimit privat-shtet në mirëmbajtjen e objekteve të pasurive të paluajtshme. Edhe pse në ligjin aktual ka një parashikim të tillë, i cili mundëson marrëdhëniet mes shtetit dhe privatit më qëllim mirëmbajtjen e objekteve të pasurive të paluajtshme, ky bashkëpunim nuk ka funksionuar asnjëherë në praktikë dhe, më së shumti, është shteti ai që financon për restaurimin e objekteve ne pronësi private. Por kjo nuk ka as logjikë ekonomike dhe as jetëgjatësi.

Deri me sot nuk është realizuar asnjë marrëveshje që privatët të angazhohen për mirëmbajtje qoftë për të marrë kredi të butë, siç cek ligji në mënyrë shumë të paqartë. Përfshirja e të gjithë aktorëve në ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e Trashëgimisë Kulturore, me rregulla të qarta është arritje, të paktën në ligj. Ky projektligj parashikon rregulla të qarta mbi angazhimin që Ministria e Kulturës dhe institucionet e specializuara do të marrin në rastet e ndërhyrjeve të detyruara ruajtëse, lidhur me mbrojtjen e vlerës kulturore të objektit-monument kulturor në pronësi private.

Vlera e investimit, sipas preventivit perkates, dhe detyrimet e tjera financiare te lidhura me nderhyrjet ne pasuritë kulturore, te urdheruara apo te kryera nga vete ministria pergjegjese per trashegimine kulturore, sipas parashikimeve te nenit 92, jane ne ngarkim te Ministrise dhe pronarit ose poseduesit. Masa e shpenzimit ne ngarkim te shtetit eshte e njejte me masen e shpenzimit qe mbron vleren kulturore te pasurise. Kjo mase, rast pas rasti, caktohet në vendimin e KKTKM-se, sipas nenit 92.

Në këtë projektligj, ju parashikoni akreditimin e muzeve. Të gjithë e dimë, se me pak përjashtime, siç mund të jetë muzeu “Marubi” apo ai mesjetar i Korçës, asnjë muze tjetër nuk përmbush kushtet minimale të ekspozimit, çfarë ndodh me këto institucione? Nëse ju vendosni një limit kohor prej 5 vjetësh për të përmbushur kushtet, si do të mund të përmbushen ato? A keni marrë parasysh edhe një faturë financiare?

Akreditimi i muzeve ka ardhur si nevojë pikërisht për atë çka ju me të drejtë ngrini në pyetjen tuaj. Në vitin 2013, në Ministrinë e Kulturës konstatuam se shumica e muzeve në Shqipëri nuk plotësonin kriteret për të ruajtur fondet muzeore. Gjatë 4 viteve të mandatit të parë, arritëm që të krijonim dhe të vinim në funksionim 4 muze me standarde ndërkombëtare në fushën e ruajtjes së fondeve muzeore apo formës së komunikimit të tyre në publik si, Muzeu Marubi, Muzeu i Artit Mesjetar, Muzeu arkeologjik në Durrës dhe muzeu më i fundit ai i përgjimeve “Shtëpia me gjethe”.

Projektligji parashikon se nje muze mund te akreditohet nese ploteson, nder te tjera, kriteret e pergjithshme te krijimit te muzeut; kryerjen e inventarit të koleksioneve te muzeut; disponon ambientet, pajisjet dhe sistemet e sigurise qe garantojnë ruajtjen koleksioneve te muzeut; siguron disponueshmerine e koleksioneve te muzeut per shoqerine; ka te hartuar nje strategji per funksionimin dhe zhvillimin e muzeut. Siç mund të shihet, po flasim për detyrat kryesore që një muze ka: ruajtjen, inventarizimin, komunikimin në publik dhe një strategji për zhvillimin e muzeut. Të gjitha këto kritere janë të arritshme brenda 5 viteve, pasi puna në muzetë publikë ka filluar që në 2014 ku është kërkuar që të bëhet inventari i plotë, mënyra e komunikimit me publikun etj..

Për sa i përket faturës financiare lidhur me akreditimin, projektligji parashikon ndër të tjera forma të ndryshme bashkëpunimi apo sponsorizimi, dyqanet e souvenirëve apo shërbime të tjera që këta muze mund të krijojnë në ambientet e tyre apo edhe administrimi indirekt i parashikuar nga ligji, i cili sigurisht ndihmon në përmirësimin e financave të muzeve. Mjafton të hedhësh sytë në muzetë publikë apo privatë në Europë dhe modelet janë pikërisht këto.

Projektligji parashikon që përdorimi i pasurive kulturore të ndahet në tri kategori: në formë të drejtpërdrejtë, rijetëzimi dhe i tërthortë. Si duhet ta kuptojmë këtë? Çfarë duhet të kuptojmë p.sh. me “përdorim të tërthortë”?

Duhet ndarë koncepti i administrimit nga koncepti i përdorimit të pasurive kulturore. Projektligji parashikon që përdorimi i pasurive kulturore të ndahet në tri kategori: në formë të drejtpërdrejtë, rijetëzimi dhe i tërthortë. Trajtimi kaq i zgjeruar i konceptit të përdorimit të pasurive kulturore synon që të krijohet një kuadër ligjor i tillë që të sigurojë në çdo rast mbrojtjen sa më të plotë të pasurive, aksesin e publikut në këto pasuri, por edhe të prodhojë të ardhura sipas përdorimit, në përputhje me këtë destinacion. Kur flasim për përdorim të tërthortë, në këtë rast kemi të bëjmë me pasurinë kulturore të luajtshme, një koncept i patrajtuar më parë, kjo krijon mundësinë e kopjeve, ose replikave të objekteve të luajtshme që janë pasuri kulturore.

Këto replika mund të përdoren për promovim, për edukim, por edhe për qëllime ekonomike si shërbime shtesë në muzetë, apo sitet e trashëgimisë kulturore ku ato gjenden. Sigurisht, projektligji përcakton një sërë kufizimesh lidhur me riprodhimin, si ndalimi i riprodhimit të pasurive të trashëgimisë kulturore që kryhet nëpërmjet vendosjes së kallëpeve, nëpërmjet kontaktit, nga origjinalet e skulpturave dhe të veprave me reliev në përgjithësi, si dhe të çdo lloj materiali që ato kanë në përbërjen e tyre. Ky riprodhim lejohet vetëm për raste përjashtimore e të jashtëzakonshme.

Pas prezantimit të draftit më shumë se një vit më parë, pati kundërshtime nga shoqata e koleksionistëve. Sipas ligjit, cilat janë ato objekte që përfshihen në trashëgimi kulturore dhe cila duhet të jetë mosha e tyre (objekte të realizuara në mënyrë manuale apo makineri) për të qenë trashëgimi?

Shoqata e koleksionistëve ka qenë një nga partnerët kryesorë të Ministrisë së Kulturës në konsultimin e ligjit të “Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeve”. Sigurisht kur flasim për lloje objektesh, pjesë të trashëgimisë kulturore apo moshën e tyre, kemi të bëjmë me qëndrime që mbajnë aktorë të ndryshëm. Fryma e projektligjit të trashëgimisë kulturore është në thelb proteksioniste duke zgjeruar gamën dhe shtrirjen kohore të objekteve që duhet të përfshihen në atë çka quhet Trashëgimi Kulturore.

Pas diskutimeve edhe me shoqatën e koleksionistëve arritëm në përfundimin e bashkëpranuar se i nënshtrohen mbrojtjes së veçantë, si pasuri kulturore, pas deklarimit, mekanizmat, makineri ose objekte te perdorimit te perditshem apo ceremonial, me vlere artizanale, etnografike ose historike, objektet e prodhuara ne menyre artizanale me vjetersi mbi 100-vjec’are dhe objekte të fabrikuara mbi 75-vjec’are, kjo pasi trashëgimia jonë industriale është më e vonë se e vendeve të tjera të Europës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *