Libri vdiq! Rroftë Libri!

Nga Alfred Peza

Çelja e edicionit të 20 të Panairit të Librit në Tiranë, duhej të ishte ndoshta një nga ngjarjet më të mëdha kulturore të këtij viti në Shqipëri. Jo thjeshtë dhe vetëm për faktin se këto ditë të vjeshtës së tretë të 2017, janë një stacion i rëndësishëm, që përkojnë edhe me dy dekadat e festës së botimeve shqip. Por edhe për faktin tjetër, se evente, ngjarje të tilla janë një mundësi e jashtëzakonshme për të gjitha brezat, grupet shoqërore e sociale, median, shkollën, politikën dhe biznesin, për të dhënë, marrë e dhuruar më shumë mesazhe arsimi, dije, drite, ndriçimi e iluminimi. Për të reflektuar dhe për të ndërmarë nisma sfiduese.

Kam patur një mundësi dhe kënaqësi të veçantë këtë vit, që të botoj një libër të ri, e të jem pjesë e këtij eventi të madh. Përpara këtij stacioni, kam zhvilluar takimet e para me lexues dhe dashamirës të letërsisë dhe librit në përgjithësi, në Tiranë, Tepelenë dhe Elbasan. Pas panairit, ky tur takimesh do të vijojë nëpër të gjitha qyetet universitare të hapësirave shqiptare në rajon. Kjo më ka bërë, që të prek e të kuptoj më mirë problematikën e industrisë së botimeve, e cila duhet thënë që në fillim që është në një krizë të thellë. Gati gati, në kufijtë e ekzistenciales në shumë raste. Qoftë kjo, si pjesë e një krize globale të librit, për shkak të revolucionit të teknologjive digjitale dhe rrjetit të gjerë botëror, ose siç njihet ndryshe, internetit. Por edhe për shkaqe të tjera.

E para që u godit nga e gjitha kjo, ka qenë fillimisht shtypi i shkruar; gazetat e revistat. E pothuajse bashkëudhëtare më to, nisi edhe e tatëpjeta e librit. Rrjetet më të mëdha të book store-ve në SHBA raportuan vitin e kaluar një rudhje prej 20%, çka është një shifër e frikshme, po të kemi parasysh se industria e librave elektronikë nuk është rritur në të njëjtën masë, për të dhënë shpresë se libri mund të mbijetojë edhe në mënyrë virtuale. Zgjidhja ka filluar të gjendet tek një industri e re, që po bashkon tashmë në një librin, filmin dhe televizionin, bashkë me vidoelojrat dhe produktet e tjera të internetit.

Por, tregu global është i madh dhe gjen gjithnjë mundësi për të manovruar. Ndërsa tregu shqiptar në Ballkan është shumë i vogël, me nivel social ekonomik të ulët, me rrjet librarish, shpërndarje dhe shtëpish botuese pothuajse të falimentuara. Një rol të rëndësishëm mund të luante për shpëtimin e tregut të librit, “shfrytëzimi” i një dimensioni që rrallë haset në popujt dhe kombet e tjera në atë nivel sa edhe tek shqiptarët. Familjet tona, prindërit tanë, gjyshërit, vëllezërit dhe motrat tona më të mëdha, sakrifikojnë gjithçka duke investuar edhe përtej limiteve dhe mundësive të veta, për të nxjerrë me shkollë të lartë, fëmijët, nipërit dhe mbesat. Një popull dhe një komb historikisht i varfër, përveç të tjerash, me sa duket këtu e sheh investimin më të sigurtë për t’i mundësuar brezit tjetër, rrugën më të shpejtë e të shkurtër për të shkuar në shtresën e mesme.

Por, defekti i shkollës sonë, ndryshe nga sistemi anglo-sankson në përgjithësi, por edhe në qytetërime, kombe e kultura me tradita të hershmë në arsim, me sa duket qëndron tek fakti se nuk ka ende një mekanizëm, që detyron, nxit dhe stimulon çuarjen e nxënësve dhe studentëve, e më pas intelektualëve e të tjerëve gjatë gjithë jetës, tek libri. Mjafton që për këtë, të shohësh se si janë të tejmbushura kafenetë përballë e rrotull gjimnazeve dhe universiteteve. Ku biznesi i kafesë është më fitimprurës se ai i arsimimit qoftë edhe privat i tyre. Pa llogaritur më pas, mekanizmin që në universitetet në perëndim, i detyrojnë studentët gjatë gjithë kohës që të përgatiten e punojnë në kompjutera e laptopë dhe është kjo arësyja që i sheh kudo duke punuar me to, ose duke lexuar.

Panairi i Librit, është një mundësi e mirë jo vetëm për t’i çuar njerëzit një herë në vit, për pesë ditë, tek libri, stendat e shtëpive botuese, titujt e rinj, prurjet e autorëve tanë apo të atyre ndërkombëtare, apo tek takimi me autorë, botues e shkrimtarë. E gjitha duket një sforcim i madh, i jashtëzakonshëm e i kotë, për të ushqyer me thërrimet e bukës, si në atë lojën e drejtorit të shkollës së jetimëve, tek filmi “Lulëkuqet mbi mure”, disa botues e njerëz që kanë talentin, pasionin, qejfin apo hallin për tu marë me letërsi e për të botuar libra gjithfarësh. Tirazhet kanë shkuar në fund, derisa një botues pranoi se më së shumti ato arrijnë nga 200 kopje për çdo libër të ri që del. E po qe se kemi arritur këtu, është koha të themi, SOS: Libri po vdes!

Në këto kushte, më shumë se një panair i radhës, ky duhet të jetë një moment reflektimi për të gjetur formula, mekanizma e deri për të hartuar një strategji të re kombëtare në kushtet që po kalon libri, për ta shpëtuar këtë industri. Por, edhe për të shpëtuar brezat e ardhshëm nga analfabetizmi funksional zyrtar apo i fshehtë, që sa vjen dhe po rritet frikshëm. Ku familjet tona, rrezikojnë që të blenë me kursimet e jetës së tyre, apo me paratë normale ose të shumta, injorancën e stampuar në diploma të fëmijëve tanë.

Gërmat shqipe, librat e fletoret shqipe, bankat dhe shkollat shqipe nuk kanë vdekur edhe atëherë kur errësira e pushtimeve ishte në kulmin e saj, e jo më sot. Por është në nderin e një shteti që sot mori zyrtarisht dakordësinë për tiu bashkuar familjes së madhe e të bashkuar europiane, që jo vetëm ta shpëtojë, por edhe ta ngrejë në piedestalin që i takon librin shqip. Ndaj, në këto ditë të Panairit, më shumë sesa për deklaratat e radhës, për kortezinë e radhës dhe për homazhet e radhës përpara stendave, është koha që të reflektojmë. Të vendosim e të tregojmë, se libri jo vetëm do të mbijetojë, por edhe do të rilindë.

Rroftë Libri!

/alpenews.al/


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *