Letrat e Nolit për Tashkon, nga Krishti te ‘rroftë Niçja’, e priftëresha

Nga Fatmira Nikolli

Nga letrat për çështje personale, tek ato për çështje shqiptare, nga frazat “Rroftë Niçja’, tek urimi “Paçi uratën e Krishtit fëmijë” apo bisedat për një priftëreshë nga Misiri për Fan Nolin. Letrat e Fan Nolit dërguar mikut të tij në Egjipt, Athanas Tashkos kanë shumëçka, në to gjendet “ateisti” po aq sa i lëçituri; në to gjendet përkthyesi, atdhetari, meshtari, njeriu i Zotit por edhe njeriu praktik, që në fund të letrave shkruan: “Ati juaj më Krishtin, + Fan S.Noli”. “Letrat e Nolit drejtuar Tashkos përfshinë tema nga më tërheqëset, që nga ato thellësisht patriotike e me qëllime misionare, deri tek ato më personalet, të marrëdhënieve me priftëreshën e ardhshme imagjinare. Noli e ndjente si obligim moral, por edhe material, të mbante marrëdhënie me Tashkon”, shkruhet në parathënie. Për nga numri i tyre, letrat që Fan Noli i dërgon Tashkos janë tridhjetë e tre, përfshirë këtu edhe kartolinat, të cilat edhe këto marrin vlerën e letrave si për nga përmbajtja, ashtu edhe momenti i rrethanave të dërgimit. Në librin e Eno Koços, titulluar “Athanas Tashko” 1863-1915, riprodhohen edhe këto letra, që i risjellim në vëmendje në kuadër te debatit “a ishte ateist” Noli. Letrat janë shkruar në harkun kohor 1906-1913, e në fillim, Noli nënshkruan si Mavromati, mandej diku si Ali Baba Qyteza, Ali Asllan Qyteza e më tej Fan Noli, e F.S.Noli, etj. PAÇI DHURATËN E KRISHTIT —Letër— Orthodox Church of Albania “St. George” Boston, Mass., 5/ 5/ 1909 Rev. Fan S. Noli, Pastor 28 Park Square Krishti u ngjall! I dashur Zot, …. Vërtet munt të kini të drejtë kur më thoni që më kupëtuan të gjithë dhe që prish punën t’ime; po, t’ju them të vërtetën, s’më ha malli asfare se prish vetëm punën t’ime; shërbimi që munt t’i ap Shqipërisë është i ditur dhe do t’ia bëj; ky shërbim është të kthej dhe dy a tri libra të Kishës. Sa për dhespot, jam i mëndjes, që ose do mplakem gjer sa të bëhem, ose do mos bëhem fare, ose do bëhem, po do mos jem i-zoti të qëndroj në Shqipëri. Nga fund’ i Korrikut nisem për në Shqipëri. Shkrua-më, a do t’jesh në Fayum nga Viesht’ e parë se kam nër mënt të shkoj dhe s’andejmi. Paçi uratën e Krishtit me gjithë fëmijë. Juaji + Fan S. Noli P.S. Dërgoji uratën time ati din-i-rrufesë dhe thuaj të më dërgojë borxhin shpirtëror; kam nderin t’ju bëj të njohur që këto dit bëra një “meshë të veçantë”, ku iu luta Zotit të falë shëndet dhe mbarësi mi ju dhe mi familjen tuaj dhe ju ngarkova me 20 dollarë të cilat munt të m’i dërgoni gjer nga fund’ i Korrikut; në mos gjer atëhere, prisni dhe m’i epni me dorën tuaj kur të vij atje; më ndjeni që mënova t’ju kuitoj. Të këtilla meshë kam bërë dhe për Spiro Dinen dhe Loni Logorin dhe familjet e tyre. + F. N. NIÇJA Boston, 23 korrik 1906 I-dashuri mëmëdhetar, z. Thanas Tashko… Atje na qënkeshin mjaft vlleh të Maqedonisë, nja 2 mijë dhe të tërë me një mendje, Romunë të flaktë dhe para një moti na paskëshin filluar një shoqëri për Kishë dhe mblodhë 600-700 doll. Kishë s’u bë dhe mejtoheshin të bënin nonjë tjetër punë të nevojshime. Më të shumët nga këta djema dinë Shqip, dhe ata që s’dinin Shqip, dinin Frëngjisht. Një nga këta të fundit, ay më i-squari na qënke dhe pakëz si atheist dhe zunë miqësi të paqme. Unë pa humbur kohën e-vyerë, hapa valicën dhe i dhashë Zaratustrën e Niçesë, që të bëhet complet dhe të mirremi vesh tamam. “S’kini turp, i thashë, të mbëlithni para për kishëra? Po s’blini më mirë bomba dhe dinamit dhe t’i hithni në erë ato që na mbanin të verbër gjer tashti? O burrani, Rroftë Niçja!”

Këtë shërbim ja kam borç mëmëdheut dhe juve që më dërguat, po jo mê tepër. Politika është një gjë e panjohur përmi shqiptarët. Po me “ashtu dua” s’bëjmë gjëkafshë. “Zbutuni ca pak bre derra!” Të tërë duanë të duken trima për marrëzirat e tyre. Po unë, ju them, që vetëm unë marr vesh nga këto punëra. “Unë jam Shqipëria”. “Cosi parlava Zaratustra”. Po, më ka dhe lezet gjuha, bre, kur bënem mukajet dhe flas. Dhe her’ herë më vjen ashtu ta puth vetehenë. Dhe sa më pëlqen kur hap muhabet me shpirtin tim dhe me shqiponjë-mendjen t’ime, se më k’ ënda të kuvëndonj me njerës të mençim. PRIFTËRESHA Boston Mass. 2 Mars 1907 I dashuri vëlla, E mora letrën tuaj No. 2 përmi priftëreshën megjithë telegraf të z. L. Logorit dhe me-që-në-që mënova pak t’ju dërgoj përgjigjien ne No. 1, ja se ku shkruaj dhe përgjigjem plotërisht dhe ju’a dërgoj të tëra bashkë. Nukë di si t’ju ngjatjetoj që të dyve, or të nderçim haëagate, që u përkujdestë për këtë punë dhe më shkruat kaqe shpejt. Që të kuptohemi mirë, ju them që shkaku që nuk shëkova këtë të New Yorkut dhe ju porosita të shëkoni ju atie është se këtu e New Yorkut s’ka të holla fare dhe në ka, do të ketë të pakta. Po si shkruani ju andej të vij aty t’a marr nusen dhe të kthehem prapë n’ Amerikë është ca mê keq, po të jetë që të zbresin tërë këto harxhe nga ato të zezat 100… Përandaj thuajini viehrës s’ime (në dashtë fati im) që s’ka përveç dy udhë, se unë nuk vij dot aty ta marr çupën e botës më qafë dhe ku të dalë le të dalë. 1) ose të vijë çupa këtu, me të njëqindtat, të cilat do të jenë kapital’ i pangarë i priftërisë 2) ose të vij unë aty t’a marr nusen, po viehra e dashtun duhet t’i heqë harxhet e mia gjer aty dhe q’andej, të pakën gjer në Bukuresht bashkë me nusen, të tëra këto më kllas të dytë. …. A mos pandehni se u tërbuash për të marrtuar? Kjo gjë bëhet se e kërkon puna, dhe këtu s’ka Shqipëtarka. U mbarua! Kaqe fialë s’dini t’i thoni priftëreshës? Sa për vlerën e vetes s’ime pandeh se do të dini ç’t’i thoni dhe është tepër ta zgjat fialën. Martesa do të bëhet këtu në Boston me priftin Rus me madhësi të padëgjuar në një Hall ku pandeh të mblidhen tepër se 1000 Shqipëtarë. Po është dhe një gjë tiatër: në qoftë që të më shtrëngojë Qeveria që të martohem me çupën, porsa të dalë nga vapori (se këtu s’lenë çupa të vetëma të vijnë), atëhere bëjmë një martesë politike në vapor dhe të tierat i bëjmë jashtë në Boston. Duhet të mejtohesh pakëz sa martes’ e tmerruarë është kjo që të marrësh një çupë që s’e ka parë kurrë si Çifutët e vietër, dhe të kupëtosh lartësinë e therores që bëj për çështjen tonë…. Pres përgjigjie të shpejtë dhe mbetem Juaji për jetë Ali papa Qyteza P.S. Më ardhi keq me të vërtetë për punën që s’ju vete mirë, po mos kini frikë. Jini i zoti që t’i ndreqni. Këtu kjo e New Yorkut është punë që s’bëhet. Duhen të holla dhe të holla dhe të holla, këto tri gjëra. Atie shëkoni. Për të hardhur, munt të vijë dhe me nonjë të sajnë, po unë them, mos harxhojë shumë pa shkak. F No –I lashë përsëri mustaqet!! Në mos motn’ e parë, po motn’ e dytë një prift këtu munt t’i mbushë tërë xhepet me dollarë pa fialë, përveç punës kombëtare që do të bëjë. Thuajani priftëreshës këto. F. N.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *