Letra e Fishtës më 1940, për kishën ku shkroi një pjesë të “Lahutës së Malcies”

Kuvendi françeskan në Lezhë del zyrtarisht në histori për herë të parë në një dokument të urdhrit të vitit 1464, akoma i gjallë heroi kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Në të flitet për Kuvendin e Lezhës (Conventus Alexiensis) si Kuvendi më jugor i Provincës së Dalmacisë dhe përkatës i Kustodies së Kotorrit.

Nga Fatmira Nikolli/ Gazeta Shqiptare

500 vite më vonë, një letër e At Gjergj Fishtës kërkonte restaurimin e tij, çka do të bëhej e mundur me 100 mijë lira sipas tij. Letra zbardhet nga numri i fundit i “Hyllit të dritës”, të përkohshmes kulturore e letrare, botim i françeskanëve të Shkodrës. At Vitor Demaj, na sqaron se letrën Fishta ia ka dërguar Ministrisë së Jashtme të Italisë. Pas letrës, sipas Demajt, “Fishtës ministria italiane vendosi ti japë 40 mijë lira, por nuk dihen a mbërritën në destinacion këto para”. Për “GSH”, At Vitor Demaj (i Urdhrit Françeskan) kujdeset të vërë në dukje edhe faktin se At Gjergj Fishta jetonte në Kuvendin Françeskan të Lezhës, bri kishës për të cilën kërkonte restaurimin. “Madje, aty ai ka shkrue nji pjesë të “Lahutës së Malcies”. Asht ende ktu dhoma e tij, natyrisht e restaurume”, sqaron At Vitori. Vetë “Hylli i Dritës” ka qenë konceptuar prej Fishtës në vitin 1913 si “Hylli që, mbas nji robnie të gjatë, duhet me e drejtue popullin shqiptar në qytetninë e ngritun mbi bazat e lirisë dhe të drejtave individuale e shoqnore”, shkruan në editorialin me titull “Në shërbim të kulturës shqiptare”, at Vitor Demaj, kryeredaktor i Hyllit.

Në këtë botim vijnë materiale të ndryshme të emrave të njohur si: Bardhyl Demiraj me “Grimca biografike për autorët tanë të vjetër, Frang Mark Bardhi (1606 – 1643)”; Evalda Paci me “Një traditë studimesh dhe botimesh mbi fjalorin latinisht-shqip të Frang Bardhit(1635)”; David Luka me “Fjalorth i fjalëve të rralla në veprën ‘Anzat e Parnasit’ të Gjergj Fishtës”; Gjovalin Çuni dhe Fatmira Lekiqi me “Gjurmë të At’ Gjergj Fishtës në Bibliotekën Publike ‘Marin Barleti’”; Willy Kamsi me “Autorë dhe botime arbëreshe në Bibliotekën e Universitetit ‘Luigj Gurakuqi’ të Shkodrës”; Arben Prendi me “Mbi disa dukuri të kompleksitetit stilistik dhe semantik të tekstit poetik të M. Camajt”; Alfred Çapaliku “Konica për Gjeçovin”; Bardhyl Demiraj me “Fé dhe Të prémt e fés në Kanunin e Lekë Dukagjinit”, “Brilante biblike të Át Daniel Gjeçaj”; Át Daniel Gjeçaj, OFM “Kanga e kangëve”, etj. Veçojmë prej të gjithave, për të botuar në “Gazeta Shqiptare” një letër të At Gjergj Fishtës, që është në fakt një “Kërkesë për restaurimin e Kishës së Lezhës”. Bëhet fjalë për një letër të vitit 1940, shkruar në Italisht, e për të cilin “Hylli i dritës” falënderon z.Carlo Pardi, që jua ka vënë në dispozicion botimin e saj.

LETRA E PLOTË

Restaurimi i Kishës së Lezhës Kisha françeskane në Lezhë asht ndërtue më 1240, gja që shihet edhe nga mbishkrimi latin mbi derë, në ballë të saj. Në Shqipni, simbas traditës popullore, mendohet se Shën Françesku i Asizit asht themeluesi i kësaj Kishe. Në Kishë, në mes të tjerave, ruhej nji kryq argjendi, vepër veneciane e shekullit XV, kusht devocional nga Princi Pal Dukagjini. Për ma tepër, te elteri kryesor, ishte nji pikturë e madhe, e cila vlerësohej me shumën 100.000 lit. ar. Në Kuvend, gjatë Luftës së Parë Botnore, austro-hungarezët patën vendosë seksionin e Kryqit të Kuq Ushtarak. Tash, në shtator të 1918, ditën që ushtarët braktisën Kuvendin, Kisha dhe Kuvendi u shkatërruen prej zjarmit. Në 1928 Kuvendi u rindërtue, ndërsa Kisha vetëm sa u mbulue. Kjo Kishë konsiderohet si djep i Françeskanizmit në Shqipni e, tue kenë se ketë vit bjen 700 vjetori i themelimit të saj, Françeskanët
kanë dëshirë të flakët ta restaurojnë, edhe për faktin se asht monument kombëtar, falë lashtësisë së saj.

Shpenzimet e mundshme mbërrijnë rreth 100.000 lira. P. Gjergj Fishta, OFM (Akademik i Italisë) Themelimi i Kishës së Zojës Nunciatë dhe i Kuvendit françeskan bashkangjitur me të është i shënuar nga disa tradita legjendare, që flasin për një kalim të Shën Françeskut gjatë kthimit prej tokës së shenjtë në vitin 1219-20, siç thuhet nga françeskanët. Me këtë rast ai, duke përdorur një rremb pishe, do të kishte shënuar planimetrinë e kishës direkt mbi terren në kodrën përballë Lezhës së hershme. Ndërtimi
i saj do të kishte vazhduar nga një meshtar lezhjan i quajtur Don Lleshi, që i ngazëllyer prej predikimit të shenjtit të Asizit do të ishte bërë terciarë françeskan. Kjo legjendë shpjegon emrin popullor “Kisha e Dom Lleshit” me të cilin lezhjanët e quajnë këtë kishë. Megjithatë të dhënat historike i kundërshtojnë pranimin të kësaj tradite të përshpirtshme si dhe vitin 1240 si datë të një pranie të stabilizuar të françeskanëve në Lezhë, si do të donte mbishkrimi i vonshëm i gdhendur mbi derën kryesore të kishës. Me gjasë kjo datë i referohet një kishe tjetër të shek.XII, e ndërtuar po në të njëjtin vend, kur Dioqeza e Lezhës ishte e lidhur me Metropolinë Bizantine të Durrësit. Në mungesë
të të dhënave të sigurta, mund të mendojmë që fretërit françeskan të kenë themeluar kuvendin e tyre pas vitit 1393, pra, kur qyteti i Lezhës kaloi nga duart e princave Dukagjin nën sundimin e Republikës Venedikase. Edhe stili i arkitekturës sugjeron se kisha ka qenë ndërtuar në fund të shek.XIV apo në fillim të shek XV. Më 11 maj 1947, dora salvuese e regjimit enverist goditi Atë Serafin Kodën (ofm), famullitar aktual, duke e çuar në martirizim pas tetë muajsh torturash mizore. Si pasojë e vendosjes së ateizmit të shtetit më 6 shkurt 1967, e para ndër vendet e kultit katolik, kisha e Zojës Nunciatë resht të jetë vend i shenjtë dhe u bë stallë dhe, në vijim, ofiçinë mekanike dhe kovaçeri. Këmbanaria shumë shpejt u rrëzua dhe hyrja u tjetërsua, për të lejuar kalimin e kamionëve. Edhe varreza e vjetër që rrethonte kishën dhe që ruante monumente të rëndësishme mesjetare u hoq për t’i bërë vend ndërtesave të një kooperative.

PhotoEditor-1468237748618

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *