Shënohet sot në 136-vjetori i lindjes sw Fan Nolit. Ai lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (Ibrik-Tepe, Turqi). Fan Noli është protagonist i përpjekjeve dhe i zhvillimeve politike e kulturore gjatë Rilindjes Kombëtare e pas saj, duke luajtur një rol themelor në këto zhvillime. Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme e të jashtme, Noli i shtjelloi në shkrime e fjalime në vitet 1921–1924.
Personalitet poliedrik, erudit poliglot, Noli është gjeniu i kulturës shqiptare të shek. XX. Një pjesë të mirë të forcave të tij, Fan Noli ua kushtoi gazetarisë dhe publicistikës duke bërë objekt kritike realitetet shoqërore e politike të shoqërisë shqiptare në vitet e monarkisë.
Fan Noli u kushtoi vëmendje të posaçme edhe studimeve historike. Në këtë fushë interesat e tij u përqendruan rreth jetës dhe bëmave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Monografitë “Historia e Skënderbeut” (botimi i dytë i plotësuar dhe i ripunuar, 1947) dhe “Historia e Skënderbeut” (1949) në gjuhën angleze, shënojnë një etapë më të lartë në studimet për Heroin Kombëtar
Njeri me interesa të gjera krijuese, F. Noli u mor edhe me muzikologji; monografia e tij “Bethoveni dhe Revolucioni Francez” (1947) në gjuhën angleze u çmua lart nga specialistë dhe personalitete të shquara europiane të kohës. (B. Shou, T. Man, etj.). Ai është autor edhe i një vargu kompozimesh muzikore, nga të cilat vlen të përmendet një rapsodi për Skënderbeun etj.
Fan Noli la përkthime mjeshtërore të disa kryeveprave të shkrimtarëve të mëdhenj botërore, si: U. Shekspir, E. Poe, H. Longfellou, H. Ibsen, M. Servantes, O. Khajam. Ai u bë themeluesi i shkollës shqiptare të përkthimit, që nën shembullin e tij, arriti në vitet që erdhën më pas, nivele të larta cilësore. Veprat që përktheu Fan Noli i shoqëroi me introdukta (hyrje) duke aktualizuar idetë e tyre përmes një kritike eseistike që thekson rolin shoqëror të artit.
—SHKRIM NË GAZETË—
“REPUBLIKA”, BOSTON, 27 NËNTOR 1931, NR. 5
ANDEJ-KËTEJ
……
Çdo gjë që bëjnë sot qeveritarët bejlerë të Arnautllëkut me Sulltanin e tyre në krye e bëjnë me një program kllasi, me një program feodal si t’ Abdullahut renegat. Ja një prov’ e vogël: Të gjithë bursistët që studiojnë jashtë janë bij bejlerësh, agallarësh e arhondësh. Dhe sikur të ketë me lajthim no një bursist nga vegjëlia, ky do të nxiret posa të zbulohet lajthimi. Dhe këto lajthime zbulohen shpejt, se Agallarët tamam kësisoj lajthime përgjojnë. Për shëmbëll, ca ditë më parë Agaj i Diellit na zbuloi një lajthim t’ atillë. Të bijat e të ndyerit atdhetar të Misirit Thanas Tashko shtudiojnë në Francë me bursa të shtetit shqiptar! “Skandal!” bërtet Agaj. “Duhet t’u priten bursat!”. Përse? Se vëllaj i tyre m’ i math K. A. Tashko dhe vëllai i tyre m’ i vogël A. A. Tashko janë kundërshtarë të regjimit! Jo se motrat kanë nonjë faj për qëndrimin e të vëllezërve, vazhdon Agaj, po se është më mirë t’u jipen bursa vajzave që përkrahin regjimin e Salembozës, shkurt vajzave të bejlerëve, t’ agallarëve e t’ arhondëve, e me asnjë mënyrë vajzave të një patrioti militant, siç ishte Thanas Tashkua, në një kohë kur patriotët militantë nëmëroheshin në majë të gishtërinjëve.
Tamam! Agaj e ka mirë: kërkon nga Salemboza një politikë kllasi, politikë feodale konsekuente, politikë në favor të bejlerëve kundër harbutëve e kundër harbutkave pa hatër e pa përjashtim. Po Agaj harroj që një minutë më parë na fliste për shqiptarësi, për nacionalizmë e jo për kllas e për oxhak e për regjim feodal. Ay që tha për Bejlerët se qënkan Shqiptarë, gjë që nuk e dimë me shiguri, nuk thotë tani që vajzat harbutka të Thanas Tashkos janë Shqiptarka, gjë për të cilën s’munt të ketë dyshim veçse nonjë aga neo-arnaut. Jo, po i shpëton ulërima, që nga thellësia e shpirtit: “Janë harbutka, duhet t’u pritet bursa. Pra, jashtë harbutkat!” Po tamam, ashtu themi dhe ne: “Janë bejlerë, jashtë bejlerët!” Me këtë ndryshim: Bejlerët e kanë zbatuar këtë politikë mi kurrizin tonë qindra vjete me radhë që nga koha e Abdullahut, dhe ne harbutët me-zi e kemi nisur sot që të mprohemi e të shpëtojmë nga zgjedha e tyre barbare. Po më mirë vonë se kurrë!
F. S. N.
(Letra është shkëputur nga botimi i letërkëmbimit mes Athanas Tashkos e Nolit)