Letra e Ajnshtajnit: Injoroji shpirtvegjlit!

Në vitin 1903, Mari Kyri u bë gruaja e parë që fitoi çmimin Nobel. Së bashku me të shoqin, ajo mori Nobelin në Fizikë për kërkimet e tyre mbi radioaktivitetin. Më 19 prill 1906, Kyri mbeti vejushë, pasi i shoqi ndërroi jetë për shkak të një aksidenti në rrugët parisiene. Mari ra në dëshpërim për vite, derisa në vitin 1910 gjeti ngushëllim te njëri nga nxënësit e të shoqit, një fizikan i ri, Pol Langevin, i ndarë nga gruaja, e cila e dhunonte fizikisht.

Kur mësoi për lidhjen e tyre, e tërbuar, ish-gruaja e tij punësoi dikë që të hynte me forcë në apartamentin ku ata takoheshin, në të cilin vodhi letrat e dashurisë që  Mari shkëmbente me Langevin. Këto letra, gruaja xheloze i shpërndau në shtypin e atëhershëm, që nuk nguroi ta kryqëzonte shkencëtaren e njohur, duke e quajtur “familjeprishëse”.

Në atë kohë, Mari takoi në Bruksel Ajnshtajnin, i cili admironte inteligjencën e saj dhe e konsideronte një njeri të ndershëm.  Ajnshtajn u indinjua nga mënyra se si shtypi po e trajtonte fizikanen, duke bërë çdo gjë për t’i shkatërruar reputacionin.   

I prekur, ai i shkroi një letër asaj që e konsideronte të vetmen që nuk ishte korruptuar nga fama.

“E nderuara zonja Kyri,

… Jam shumë i inatosur për mënyrën se si po ju trajtojnë publikisht. Por dua t’ju them se e admiroj intelektin tuaj, ambicien tuaj, ndershmërinë tuaj dhe se ndihem me fat që pata rastin t’ju takoja në Bruksel.  Çdokush duhet të jetë i lumtur që ju kemi mes nesh, ju dhe Langevin gjithashtu, njerëz realë, në praninë e të cilëve ndihesh i privilegjuar. Nëse sehirxhinjtë vazhdojnë të merren me ju, thjesht mos i lexoni!

Me shumë konsideratë për ju dhe

Langevin,

Ajnshtajn”.

Pak kohë pas skandalit, Kyri mori çmimin e dytë Nobel, kësaj radhe në kimi, për zbulimet e saj mbi elementet radium dhe polonium.  Deri sot, është e vetmja që ka marrë dy çmime Nobel në dy shkenca të ndryshme. / botimeshqip.com


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *