Letra brilante e të internuarit nga kampi i Tepelenës për Enverin: Jetojmë shumë mirë, këtu është si dasmë.

Letra ironike e të internuarit nga kampi i Tepelenës për diktatorin; “Jetojmë shumë mirë, tani e njohëm me të vërtetë kush është partia dhe pushteti”

Nga Kastriot Dervishi

Një i internuar në kampin famëkeq tela me gjemba të Tepelenës, ka zgjedhur një mënyrë origjinale për të shfaqur protestën e tij kundrejt kushteve të jetesës në këtë kamp, me anë të një letre të shkruar me ironi, drejtuar diktatorit.

I internuari nuk ankohet, por “lavdëron” kushtet “e mira” të këtij kampi, se nuk i mungonte asgjë atje, se me ushqim ishte shumë mirë, se po hante mish, çaj, makarona, se po vishej mirë, etj.

Për të gjitha këto, ai shkruan se tani po e njihte mirë partinë dhe pushtetin (shprehje që përsëritet disa herë). Letra e të internuarit, ndryshe nga të tjerat e këtij lloji, nuk kërkon asgjë, por vetëm lavdëron “kushtet” e mira të kampit, në kohën kur gjendja në këtë kamp ishte shumë e vështirë.

Nëse i internuari do shkruante gjendjen në formën e vërtetë të saj, ky veprim mund të merrej për agjitacion e mund të dënohej. Për këtë arsye, kjo formë e maskuar revolte, është ndër më të rrallat e vërejtura në letrat e të internuarve.

Kampi tela me gjemba i Tepelenës (1949-1953) është njëri nga më famëkeqët e këtij lloji që funksionuan në Shqipëri nga marsi 1945 e deri në tetor 1953.

Kampet e këtij lloji ishin vende të izoluara, gati burgje, të përbëra në shumicë nga gra, pleq e fëmijë. Ato nuk ishin kampe pune të detyruar, pavarësisht se në raste të caktuara të internuarit janë përdorur për punë. Kampet tela me gjemba nuk ishin formuar duke pasur parasysh punën e detyruar.

Çarja e druve, transporti i tyre, punë të veçuara në bujqësi, rrugë, etj, nuk janë tipare për një kamp pune të detyruar.

Kampet e punës të konceptuara për punime bonifikuese, ndërtime e më vonë në miniera, si ato të ngritura në Jubë, Beden, Maliq, Shtyllas, kanalin Peqin-Kavajë, Tërbuf, Tiranë, Bulqizë, etj, janë ngritur në vendin e punës, kanë karakter tjetër dhe nuk duhen ngatërruar me kampet tela me gjemba.

***
Tepelenë, 30.3.1952

I shtrenjti komandant z.Enver, udhëheqësi dhe drita e syve të popullit shqiptar. Unë i internuari Fezo Dajlan Llënga nga katundi Koshnicë, Lokaliteti Bozhigrad, Rrethi Korçë, marr iniciativën t’ju shkruaj për sa më poshtë vijon:

Jam arrestuar nga organet e Sigurimit të Shtetit më 20 gusht 1950 dhe pa (u) marrë në pyetje jam drejtuar për në kamp. Sigurisht, kam qenë fajtor karshi partisë dhe pushtetit, por do t’i jem mirënjohës për jetë partisë dhe pushtetit pasi nuk kam qenë i aftë as për familjen time, as për partinë dhe pushtetin, mbasi unë tani e njoha partinë.

Cila është partia mbasi unë në shtëpi nuk kam pirë kurrë çaj, mish haja tri herë në mot.

Kurse në kamp kemi përditë çaj, mish, oriz, makarona, bukë gruri, rroba, këpucë.

Përveç këtyre, sipas punës shpërblehemi dhe me të holla.

Doktori na vjen në (çdo) javë. Unë them me plot bindje se nuk jemi në kamp, por jemi në dasmë.

Dëgjojmë kampet ja jashtme çeqin për copën e bukës. Këtu na jep të kuptojmë cila është partia.

Vetëm se kam merakun e familjes, pasi rrjedh nga një shtresë e varfër, nuk kam asnjë përkrahje.

Kam nënën 70-vjeçe, kam bashkëshorten dhe dy djem, më i madhi 4 vjeç.

Se unë për veten time këtë ushqim nuk e kam patur.

Kur të lirohem, sa të më tregojnë shokët e partisë në fshat se cila është partia, do t’ua tregoj unë, mbasi unë këtu në kamp e njoha shumë mirë cila është partia, pasi ka unë kam shërbyer në ushtrinë kombëtare më 15 korrik 1944 dhe jam liruar më 15 shkurti 1947, por nuk e kisha njohur mirë cila ishte partia.

Por në kamp e njoha partinë, për hir të partisë dhe të pushtetit tonë të dashur, zemra ime dëshiron të marrë pjesë në lumin e Matit ku do bëhet hidrocentrali. Të marr edhe unë pjesë si gjithë populli shqiptar.

Rrofsh sa malet i shtrenjti komandant që hoqe popullin shqiptar në luftë dhe sot e heq për lumturinë.

Rroftë partia (e) lavdishme komuniste!

Rroftë Stalini i madh, direku i paqes në botë!

Mbetem dhe nderime dhe bindje,

I internuari Fezo Dajlan Llënga

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *