Letërsia shqipe, edhe kete vit, është pjesë e Panairit dhe Festivalit të Librit në Leipzig, Gjermani, i cili do të mbahet në datat 23- 26 mars, me autorë përfaqësues : Ridvan Didra (Shqipëri); Elona Çuliq (Shqipëri); Elvira Dones (Shqipëri – Zvicër); Shpëtim Selmani (Kosovë).
Autorët e Shqipërisë mbështeten nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me rrjetin Traduki.
Panairi i Leipzigut dhe Festivali i tij i leximit, “Leipzigu Lexon”, janë ngjarja më e rëndësishme pranverore e librit europian, duke bërë bashkë në këtë festë të librit lexues, autorë, përkthyes, shtëpi botuese e kritikë letrarë për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të kuptuar tendencat e fundit të librit, njoftonte sot ATSH-në, Ministria shqiptare e Kulturës.
Një ngjarje e tillë u jep mundësi edhe titujve shqip të njihen dhe të marketohen më mirë në arenën e madhe të botimeve europiane.