Nga Flutura Açka
E kisha lexuar para disa ditësh një shkrim – të njëfarë anonimi – dukshëm i shkruar me porosi për të denigruar ca shkrimtarë shqiptarë, e që djersiste të mëtonte në shpjegimin e tij se letërsia shqipe ishte një piramidë, dhe madje jepte edhe emra se ku rrinte njëri a tjetri, sipas bekimit që merr aksh shkrimtar nga hyqmi i majës së piramidës. Përveçse një shkrim i porositur, i diktuar, nihilis, ishte edhe një shkrim i lig, dhe ribotimi i tij te ‘Panorama’ e djeshme, e nxjerr edhe më zbuluar autorin, qëllimin dhe porositësin e tij. Sigurisht, nuk do të isha marrë me të fare, pasi as jam e bekuara dhe as e mallkuara e tij, por shkrimi fillon me një frazë timen të thënë në një nga intervistat e fundit televizive, ku thoja se “koha sot është antipoezi”. Kjo frazë ishte keqpërdorur nga pseudoautori për të lënduar dhe denigruar shkrimtarët e përmendur në shkrim. Kuptimin e kësaj fraze e kam shpjeguar shpesh, ndaj nuk po bëj këtu më shpjegime. Në shkrimin e pseudokritikut, ishte perifrazuar edhe e ashtuquajtura ‘piramidë letrare’ e Stephen King për të përcaktuar mediokrit dhe jomediokrit në letërsi. Për fat të keq, ky autor është shembulli më i papërshtatshëm për këtë, pasi King është vetë një autor mediokër në rangun e letërsisë botërore, i tillë që si botuese nuk e kam patur ndonjëherë tundimin ta botoj, ngaqë preferoj tjetërlloj letërsie. Por ngaqë autori nuk e ka lexuar vetë King, e përdor atë ashtu siç ia kanë thënë, për të mos thënë ia kanë dhënë shkrimin thjesht ta firmosë. Shkrimtarët e mëdhenj, ata të mëdhenjtë që nuk kanë komplekse hierarkie – as ato historike – e shohin letërsinë si rrjedhë, ku të gjithë kanë të drejtë të konkurrojnë: koha e vendos kush mbetet. Ata nuk shqetësohen fare kush autor ka sukses përreth tyre, pasi e shohin si një pasuri larminë, dhe në këtë larmi mbase do të dalë dikush me të cilin vërtet do te ndihet i bararbartë. Madje-madje e rekomandojnë atë kudo, sepse i bën nder letërsisë së vet; këtë e di nga rekomandimet e shpeshta që Orhan Pamuk u bën autorëve turq nëpër botë. Por shkarravitësit tonë, nuk ia nxe goja të përmendë Llosën, Bloomin, Pamukun, Eccon për shpjegimin e letërsisë dhe qasjes ndaj saj. Një shkrim i tillë e shpjegon shumë mirë përse kritika shqiptare është e paralizuar, përse nuk kemi një fenomen letrar 25-vjeçar sot, përse nuk kemi një fenomen letrar 30-vjeçar sot? Sepse i ‘vrasim’ pa lindur me shkrime të tilla, sepse ia ndjekim gjurmët dhe nuk i japim asnjë mundësi mediatike, sepse nuk i ndihmojmë nga frika e sfumimit që mud të na ndodhë prej tyre, sepse nuk rekomandojmë asnjë të talentuar, sepse po përpiqemi ta bindim lexuesin dhe historinë se kjo tokë nuk do të mbijë më një farë për të qenë letrare, dhe se shkrimtar a shkrimtare në Shqipëri nuk mund të jesh pa marrë bekimin e majës së piramidës, pa ta vënë piramidëthurësi dorën në kokë a diku tjetër, që të marrë udhë dhe emër e ardhmja jote në këtë ‘piramidë’ shtypëse dhe mirëfilli diktatoriale e shpikur ndër shqiptarët e letrave. Unë nuk e di se ç’luftë bëhet në këtë ‘piramidë’ (ose, me thënë më mirë: nuk më kërcet kurrizi, edhe pak më poshtë, për të), sepse ajo është punë kulisash, por di që majën e saj ka dekata që e ka zënë Migjeni, ku shkëlqen, edhe pse një 27-vjeçar i përjetshëm. Tek e lexoja këtë shkrim që tregon se sa e rëndë është mosdashja dhe fëlligia në fushën e letrave, m’u kujtua një fabul e thjeshtë, të dëgjuar dikur në fëmijërinë time: Djaloshi (Shkrimtari), guri (Koha) dhe gjarpri (Helmonjësi). “Një djalosh i ri, i lumtur nga rrezet e diellit të pranverës, tek ecte nëpër një shteg të vështirë, u ndal dhe u ul mbi një gur. Një gjarpër që e vërejti befas, iu afrua dhe u mat ta pickonte. Mos, i tha guri, ka të drejtë të jetojë dhe të provohet në këtë jetë, është i ri dhe i bukur. Atë çfarë ti do ta bësh në pak sekonda, e bëj unë ngadalë e ngadalë me vite. Blojës sime nuk i shpëton njeri. Nëse ai reziston, do të vazhdojë, nëse jo, do të shuhet ngadalë nga ftohma që do të marrë i ulur mbi mua.”
Unë jam prej atyre që besojnë se koha e vendos në mbetet apo jo një shkrimtar, jo zarët njëpërdorimshëm letrarë, që të frymëzuar nga psikologjia e diktatit, kanë vetëm një veti: atë të plumbit qorr.
Pseudoshkrimtarja Acka, si eshte Suzana H., si eshte Bujari? Kaq.
Zonja Acka, ju pergezoj per kurajon qytetare.