Letër vetes

Nga Rezart Cenaj

E dashur vetja ime!
Pasi të kesh lexuar këtë letër, do të thotë se eksperimenti pati sukses dhe se kapsulat e së ardhmes paskan funksionuar. E keqja është se mund të dërgoj vetëm një letër dhe se ti, nuk mund të më përgjigjesh. E programova në mënyrë të atillë që ta marrësh në vjeshtën e 2059-ës, kur të jesh i gatshëm ndaj Zotit, sepse koha të lejoi të jetosh deri në të tetëdhjetat.
2059. Tingëllon kaq larg, por jam i sigurt se ti do pyesësh veten se si kaluan vitet kaq shpejt.

Si do jetë vallë bota jote, planeti ynë? Ka ndryshuar gjë, apo vazhdojmë të jemi po të njëjtët dritëshkurtër dhe egoistë si tani?
Mos ndodhi në vitin 2050 i ashtuquajturi Tipari i Veçantë, ku disa presin të lumtur e disa të frikësuar? Ti e di se për çfarë e kam fjalën. Në momentin që inteligjenca artificiale do të arrijë vetëdijen. Kompjutera kuantikë me karakteristika që duken hyjnore. Mos ndoshta makineritë morrën kontrollin dhe poshtëruan njerëzit duke i bërë skllevër të tyre? Mos ndoshta po jeton në një utopi makinerish ku nuk ka luftëra dhe genocide? Ku nuk ka liri? Sidoqoftë, kurrë nuk kemi qenë të lirë. Duhet të jetë pak e vështirë që të merren të gjitha vendimet nga Inteligjenca Artificiale dhe të mos mundesh të dehesh ndonjë natë apo të hash diçka me shumë yndyrna, sepse “ata” do të duan të të mbrojnë nga vetja jote.

Mos ndoshta ndodhi Lufta e Tretë Botërore dhe keni mbetur një qind milion njerëz të cilët përpiqeni të rindërtoni qytetërimin mbi rrënojat radioaktive? Për çfarë iu duhet? Në një qytetërim të tillë, ndoshta do ishte më mirë që njeriu të mos ekzistonte më. Ndoshta milingonat, buburrecat dhe grerëzat do t’ia arrinin më mirë.

Mos ndoshta erdhën jashtëtokësorët dhe na detyruan të ndalojmë të qenurit kanibalë? Apo një revolucion i madh dhe i përhapur, global, na orientoi drejt një shoqërie pa klasa, ku të gjithë njerëzit, pavarësisht rracës dhe seksit jetojnë në paqe? Kjo dëgjohet më e pamundur se sa ringjallja e dytë e Krishtit.

Çfarë muzike dëgjoni në 2059-ën? Ka ende rock? Po muzikë jazz? E sigurt që do jenë shfaqur shumë lloje të tjera muzike, por ti si i vjetër tashmë do jesh duke dëgjuar Nirvana, Billie Holiday, Etta James, Louis Armstrong, Pink Floyd… ndoshta edhe ndonjë popullore kur të jesh në qejf.

Të rinjtë si janë? Nuk respektojnë asgjë? Nuk dinë të jetojnë siç jetonim ne?

Shtetet ekzistojnë akoma? Kufijtë? Bashkimi Europian? Po moti si është? Mos është bërë shkretëtirë Mesdheu?
Por kot që të pyes, se ti nuk mund të më përgjigjesh. Më mirë të të përshkruaj se si është jeta tani, sepse ndoshta ke nevojë të rindërtosh kujtimet dhe të mbash mend ato kohëra kur ishte 37 vjeç.

Atëherë, është fund gushti. Gjatë ditës bën shumë vapë, ndërsa darkave freskohet. Dimri i kaluar ishte një nga më të ngrohtët në vitet e fundit. Jemi duke u futur në vjeshtë dhe pemët poshtë ballkonit do fillojnë të zhvishen nga gjethet. Zhurma është prezente gjatë tërë kohës nga makinat e motorat. Po po, ato makinat e vjetra që ecnin me naftë e benzinë. Të kujtohen? Keni gjetur ndonjë formë të re energjie apo arriti të mbizotërojë energjia ekologjike dhe e reciklueshme?

Ne, unë, ti kur ishe 37 vjeç, jetojmë në një vend që quhet Shqipëri. Vend kandidat për t’u bërë koloni e Bashkimit Europian. Politikanët janë të paaftë, të pafuqishëm dhe lodra.
Jo vetëm këtu tek ne. Imagjino që në SHBA është duke udhëhequr fushatën elektorale një qesharak me paruke. E quajnë Trump dhe e ndjek#tëkemipërherëtëparënjëfemërpresidente Clinton. Nuk ka shpëtim si përfundim.
Planetin e qeveris feja e tregut global. Dhjetë të parët në listën Forbes zotërojnë më shumë se sa miliarda njerëz.
Ju vazhdoni të besoni te dora e padukshme e tregut? Keni gjetur ndonjë zgjidhje? Mos ndoshta kjo letër të gjen te planeti Mars apo në ndonjë planet më të largët?
Einstein vazhdon të ketë akoma të drejtë për çfarë mendonte apo e kalëruat dritën dhe shkuat më larg se kurrë?

Dhe si po të thosha, jemi në 2016. Në Shqipëri, supozohet, se po qeveris, supozohet, një parti e majtë. Por edhe kjo nuk po bën asgjë tjetër përveç se t’i shërbejë tregut dhe njerëzve që janë pas tij. U miratua reforma në drejtësi dhe të gjithë presin të fillojnë arrestimet e politikanëve të korruptuar. Gjasat janë që nuk do të vihet drejtësi.
Hashashi po kultivohet në të gjitha zonat, nga veriu në jug, dhe furnizon gjithë tregun e Europës. Nëse vazhdon kjo lloj fantazie, për 10 apo 20 vite nuk do ketë më vlera njerëzore.

Armiku më i ri i botës pas komunistëve që iu dorëzuan pa luftë kapitalizmit, janë terroristët islamikë. Përbindësha të krijuar nga perëndimorët.

Teknologjia aty tek ju duhet të ketë arritur zhvillim stratosferik. Ne këtu në vitin 2016 kemi telefona celularë, tableta dhe Facebook.

Revolucioni digjital të duket i vjetëruar? Si komunikoni? Mos keni të gjithë implante që iu ndihmojnë të jeni të lidhur me telekomunikimin, pa shkruajtur dhe pa ndezur aparate? Thjesht mendoni diçka dhe transmetohet aty ku doni? Po kur jeni duke menduar diçka “të keqe”? Ka të keqe në botën tuaj?

Çfarë librash lexoni? Është gjetur ndonjë zhanër i ri letrar? Po pikturat me bojra ekzistojnë? Si është arti në 2059-ën?

Pra, në vitin 2016, tridhjetë e shtatë vite janë afërsisht sa gjysma e viteve që je tani. Nëse jeton akoma, je me fat.

Nëse vdes tani në të tetëdhjetat e tua, çfarë do ishte ajo që do i thoje vetes tënde tridhjetë e shtatë vjeçare? Çfarë nuk duhet të bënte? Çfarë duhet të bënte më shumë?
Nuk po mundohem të parashikoj. E vetmja gjë që ndjej është se vitet, si të jenë njëzetë, si të jenë tridhjetë… shtatë apo tetëdhjetë, janë shumë pak. Është një ëndërr që kalon shpejt. Është bukur të jetosh, të ekzistosh. Çfarë tjetër do?

E dashur vetja ime tetëdhjetë vjeçare, këto kisha për të të thënë. Nuk pres dhe nuk dua përgjigje. Më mjafton që ekzistoj sot, në fundgusht të 2016-ës.

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *