Letër rekomandimi

Jehuda Amihai 
Netëve të beharit fle i zhveshur
në Jerusalem. Shtratin e kam
në zgrip të një lugine të thellë
dhe s’rrokulliset brenda saj.
Ditës endem me Dhjetë
Urdhëresat majë gjuhës
si melodi e vjetër që ndokush ia thotë vetes nën zë.
Prekmë, ti prekmë, vajzë e mbarë!
Ajo që ti ndien nën këmishën time nuk është plagë, por
një letër rekomandimi, e mirëpalosur,
shkruar nga im atë:
‘Gjithsesi, është djalë i mirë, fort i dashur’.
Më kujtohet im atë kur më zgjonte për lutjet e para.
E bënte duke më ledhatuar ballin me butësi, jo duke
më zbuluar.
Që atëbotë e dua edhe më.
Dhe si shpërblim, ai pastë një zgjim
plot butësi e dashuri
në Ditën e Ringjalljes.
/Shqip: Edon Qesari


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *