I nderuar z. Kryeministër!
Ndoshta duket si shqetësim i vogël, problemi që po ju parashtrojmë në këtë situatë të tensionuar politike, por fakti që ka 10 vjet që merren me të, deri edhe tek ju: intelektualë, studjues, muzikologë, profesorë, artistë popullorë, tregon se brendia e tij është me rëndësi kombëtare.
Të dy, z. Kryeministër, kemi qenë studentë në Institutin e Lartë të Arteve, të dy jemi bashkëvuajtës nga dhuna barbare e regjimit të Sali Berishës, me ndryshimin se ju u dhunuat në rrugë nga banditë “të panjohur”, ndërsa unë dhe pjesëtarë të familjes time u dhunuam barbarisht për shtatë ditë në qelitë e komisariatit të Gjirokastrës në prill të vitit 1995.
Nëse regjimi i Berishës na dhunoi deri edhe fizikisht për qëndrime politike, qeverisja juaj na dhunon psikologjikisht. Na mohoni realizimet e shkencës shqiptare; Institutit të Kulturës Popullore dhe profesorëve të mi në Institutin e Arteve, duke synuar asgjësimin e Polifonisë Popullore Shqiptare dhe zëvëndësimin e saj me një teori të krijuar nga Ministria e Kulturës, sikundër e dëshmon vetë ajo, në përgjigjen drejtuar Juve me shkresën datë 29 maj 2015: “Në përgjigje të shkresës tuaj nr. 3050/prot. dt. 18.5.2015, sqarojmë se emërtimi (iso-polifoni) është propozuar nga një grup pune me specialistë të fushës nga disa institucione të specializuara, ngritur nga Ministria e Kulturës në vitin 2002., i cili përgatiti dosjen e iso-polifonisë për nominim në UNESKO…”
Sikundër e shihni, vetë Ministria e Kulturës pranon zyrtarisht se “grupi i punës” për tjetërsimin e polifonisë shqiptare është ngritur prej saj në vitin 2002, kur ministrja e Kulturës e ka pushuar nga puna ish Drejtorin e Drejtorisë së Trashëgimisë Shpirtërore Vasil Tolen. Kemi disa vjet që kërkojmë përse ishte i nevojshëm ndryshimi i Polifonisë nga ky “grup pune”, ndërkohë që institucionet shkencore të Republikës së Shqipërisë, për më se 50 vjet kanë argumentuar termin përfundimtar Polifoni Popullore! Kemi kërkuar argumentet shkencore me të cilat i ashtuquajturi “grupi i punës”, hodhi poshtë emërtesën Polifoni Popullore të pagëzuar nga etnomuzikolëgët shqiptarë: Prof. Ramadan Sokoli, prof. Çesk Zadeja, prof. Paparisto, prof. Beniamin Kruta, prof. Pirro Miso, prof. Spiro Shituni, prof. Hysen Filja, “Artisti i Merituar”Limos Dizdari, prof. Shpëtim Kushta, prof. Sokol Shupo, prof. Aleksandër Peçi, etj. etj., por na shmangen; znj. Kumbaro u përgjigjet Shoqatave Atdhetare dhe Kulturore: “Në përgjigje të shkresës tuaj nr. 258., prot. hyrës, datë 18. 01. 2016 të Shoqatave Atdhetare e Kulturore, dërguar Ministrit të Kulturës, ju sqarojmë: “Propozimi, që ka të bëjë me ndryshimin e emërtimit të termit nga” Iso-Polifoni” në “Polifoni” në veprimtaritë kombëtare si dhe në UNESCO e cila e ka nominuar këtë dukuri të folklorit shqiptar si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”,më datën 25. 11. 2005 i është dërguar Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit për kopetencë, si institucion shkencor me shkresën tonë nr. 4675 prot. datë 18.09.2015 pasi ky problem nuk është problem administrativ por shkencor.
Ju bëjmë me dije se me shkresën tonë nr. 6323/1 prot. datë 06. 01. 2016, për këtë problem është sqaruar edhe z. Limos Dizdari, kryetar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Propozojmë që edhe ju, Shoqatat Atdhetare e Kulturore, propozimin tuaj t’ia dërgoni Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit …”
Kjo përgjigje mbetet një manovër për të shmangur përgjegjësinë e aktit antikombëtar të Ministrisë së Kulturës. Ankesa ka qenë pikërisht për Ministrinë e Kulturës, ndërsa ajo na përcjell tek Instituti Antropologjik, ndërkohë që ne s’lemi ankesa për të. Për këtë arsye Shoqatat Atdhetare kërkuan përsëri ndihmën tuaj z. Kryeministër, më datën 2.3.2016, nr. 873/2 prot., Ministria e Kulturës shkruan: “Në përgjigje të shkresës tuaj nr.380/1 prot. datë 10. 02. 2016 ku dërgohet letra e Shoqatave Atdhetare Mbarëkombëtare, dërguar Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, ju sqarojmë:…” dhe është e njëjta përgjigje si më sipër!
Sikundër shihet z. Kryeministër, përgjigjia e Ministrisë së Kulturës dërguar Juve, dëshmon se problemi ka shqetësuar 12 Shoqatat Atdhetare të Shqipërisë së Jugut dhe Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës, të cilat në Rezolucionin e Forumit shkencor për Polifoninë në 25 Nëntor 2015, kanë konkluduar se nuk e njohin “iso-polifoninë” e Ministrisë së Kulturës. Dhe, kur nuk e njohin “iso-polifoninë” Shoqatat Atdhetare të Shqipërisë së Jugut ku këndohet Polifonia, nuk e njohin studjuesit, kompozitorët dhe muzikologët shqiptarë, nuk e njohin artistët popullorë që e këndojnë, përse Ministria e Kulturës e mbron atë virus antikombëtar, mos vallë për interes të një njeriu apo për interes të të huajve?!
Në të gjitha përgjigjet, drejtuar Juve z. Kryeministër nga Ministria e Kulturës, jo pa qëllim problemi i “iso-polifonisë” trajtohet si problem shkencor i Institutit të Antropologjisë për t’iu shmangur dallaverave që ka bërë Minstria e Kulturës, ndërkohë që nuk ka asnjë vendim të Institucioneve shkencore për tjetërsimin e Polifonisë shqiptare, përveç simpoziumit më të fundit Ballkanik për Polifoninë, organizuar në Tiranë në 6-7 Tetor 1989, duke mbrojtur termin Polifoni Popullore.
Në forumin e 9-të të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës për Polifoninë popullore, ish kryetari i saj, “Artisti i Merituar” Limos Dizdari, theksoi shqetësimin e tij qytetar dhe institucional: se “Ministria e Kulturës ka shitur shpirtin (trashëgiminë shpirtërore), sikundër Ministria e Jashtme ka shitur detin”. Për këtë akuzë serioze Ministria e Kulturës nuk ka guximin të prononcohet publikisht, por përdor imponimin se atë e ka nominuar UNESCO! Pikërisht këtë përgjegjësi, kërkojnë studjuesit, muzikologët, artistët popullorë prej dhjetë vjetësh nga Ministria e Kulturës, futjen në UNESCO të emërtesës së përçudnuar “iso-polifoni”, pa marrë mendimin e shkencës shqiptare! Studjuesit shqiptarë kanë theksuar se termi “iso-polifoni” nuk e karakterizon shkencërisht drejt thelbin e kulturës muzikore shumë-zërëshe të kombit shqiptar, përkundrazi, ka sjell e po sjell mjegull në rrugën e mbarëvajtjes së etnomuzikologjisë shqiptare dhe identitetit tonë kombëtar, duke mohuar punën shumëvjeçare të studjuesve shqiptarë dhe institucioneve shkencore për disa dekada. Në përgjigjen e saj dërguar ish kryetarit të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës, z. Limos Dizdari datë 17.12.2015, znj. Kumbaro shpreh vlerësimin dhe angazhimin e saj formal:
“Më lejoni të shpreh falënderimet e mija për organizimin e Forumit të 9-të të institucionit tuaj, për trajtimin shkencor dhe debatin publik për polifoninë popullore shqiptare. Gjithashtu shpreh vlerësimin dhe konsideratat e mija në emër të Ministrisë së Kulturës, për diskutimet cilësore akademike dhe profesionale të pjesëmarrësve në këtë forum, për t’i dhënë zë nga pikëpamja shkencore etnomuzikologjisë, vlerave të jashtzakonshme kulturore dhe historike që mbart polifonia popullore e kombit tonë. Në këtë kuadër shpreh vullnetin tim të vazhdueshëm për të kontribuar në ruajtjen dhe përcjelljen brez pas brezi të këtij thesari unik të kombit shqiptar.”
Sikundër shihet, Znj. Kumbaro shpreh konsideratat për Forumin në emër të Ministrisë së Kulturës, njëherazi edhe vullnetin për të kontribuar në kuadrin e polifonisë popullore shqiptare, por, përgjigjia e mëvonshme e saj, dërguar Shoqatave Atdhetare, e degdis edhe kompozitorin e mirënjohur, tek Institui i Antropologjisë me pretekstin se: “Edhe një herë ju bëjmë me dije se Miniatria e Kulturës nuk ka si qëllim të punës së saj problemet shkencore të folklorit, por menaxhimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale.”
Ministria e Kulturës kujtohet sot, se nuk e ka patur kompetencën shkencore të ndryshonte terminologji, dhe nuk na përgjigjet: përse e tjetërsoi Polifoninë shqiptare me “grupin e punës” në vitin 2002, kur nuk e kishte këtë kompetencë? Këtu fshihet enigma e madhe që synon asgjesimin e Polifonisë popullore shqiptare.
Etnomuzikologu Ramadan Sokoli, që kontriboi në disa fusha të etnomuzikologjisë shqiptare ka shkruar:“Polifonia jonë popullore në djepin e saj dhe në shtresimet e saj më të herëshme mund të duket si më e zhvilluar se në rrezatimet anësore. Nga kjo pikpamje mund të mendohet se qendra e rrezatimeve të polifonisë sonë popullore është Labëria, aty ku kemi frakturat katërzërëshe, të cilat vijnë duke u pakësuar sa më shumë largohemi së andejmi…tiparet e saj origjinale, dëshmojnë se ajo është trashëgimi e një tradite të lashtë që ka lindur këtu në vend nga puna e sa e sa brezave shqiptarëve”
Përkundër kësaj, teoricieni i Ministrisë së Kulturës, ish Drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Shpirtërore Vasil Tole, e ka propozuar dhe “argumentuar” këtë virus antikombëtar me filtrime nga kultura greke, me argumentin se “iso-polifonia” e ka prejardhjen dhe shtratin e vërtetë nga dukuria e jashtëzakonshme muzikore e sirenave! Kjo përpjekje e çmendur, për të dokumentuarshtratin e vërtetë të polifonisë shqiptare në vendin e Sirenave, dhe jo në vendin e shqiptarëve, si dukuri e korit antik, i heq kulturës sonë kmbëtare një vlerë unikale, e cila dëshmon për autoktoninë e banorëve vendas.
z.Kryeminister
Në fjalimin e bukur që mbajtët në kalanë e Gjirokastrës, me rastin e Festivalit Folklorik Kombëtar, theksuat dy herë “polifonia popullore” dhe një herë “iso-polifonia si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, pranuar nga UNESCO.” Thashethemet thonë, se fjalimin ua kishte përgatitur akademiku Vasil Tole, ç’ka është shumë e pranueshme, sepse Kryeministri prandaj i ka digasteret dhe institucionet, por mendojmë se nuk është e pranueshme të mbani në një sqetull institucionet shkencore dhe tërë studiuesit shqiptarë të sipërpërmendur që punuan tërë jetën për Polifoninë popullore, dhe në sqetullën tjetër të mbani Vasil Tolen, varrmihësin e Polifonisë shqiptare, që i mohoi gjithë studiuesit shqiptarë arbitrarisht! UNESCO pranoi si “Kryevepër të trashëgimisë gojore të njerëzimit” vlerat muzikore të Shqipërisë dhe jo emërtesat e sajuara në bodrumet e Ministrisë së Kulturës. Nuk urdhëron UNESCO në Shqipëri, se si duhet të emërtohet kultura muzikore shqiptare, nuk ndodh kurrë, që ajo të imponojë terminologji të sajuara, prandaj nuk ka përse të na trembin me UNESCO-n si gogol për të marrë në mbrojtje tjetërsime antikombëtare!
Unë nuk besoj se ju z. Kryeministër do ta barazoni Vasil Tolen me grupin e studiuesve shqiptarë që e kundërshtojnë “shpikjen” e tij dështake, dhe ca më pak ta vendosni atë mbi të gjithë studiuesit shqiptarë, sepse ai deri tani nuk ka asnjë studim apo botim me karakter akademik në fushën e etnomuzikologjisë.
Ajo që është kërkuar prej dhjetë vjetësh, edhe publikisht prej Ministrisë së Kulturës, është pastrimi i statuseve të festivaleve folklorikë nga virusi i “iso-polifonisë” dhe afirmimi i Polifonisë si vlerë origjinale e popullit shqiptar, pagëzuar nga shkenca etnomuzikologjike shqiptare. Për këtë, kemi rikërkuar pranë jush, ndërhyrjen tuaj në Ministinë e Kulturës për korigjimin e terminologjisë të gabuar, përdorur prej saj, sepse bashkë me të, korrigjohet edhe synimi për t’ia kaluar këtë vlerë muzikore një populli tjetër. Përderisa personalisht jeni prononcuar kundër shitjes së detit, duke denoncuar manovrimet e qeverisë së mëparshme, shpresojmë të prononcoheni edhe kundër shitjes së Polifonisë Popullore Shqiptare, sepse të dyja janë po kaq të rëndësishme, e ndoshta Polifonia, si pronë shpirtërore e popullit shqiptar, më e rëndësishme.
Me respektin dhe konsideratën më të lartë
Fitim Çaushi / Dita