Lindja, vdekja dhe cikli i jetës na kanë magjepsur gjithmonë të gjithëve. Ka shkencëtarë të cilët, bazuar në burime të besueshme, kanë nxjerrë ato përfundime që të gjithë i dimë: nga zhvillimi biologjik, i cili ndodh me fekondimin, deri në vdekje.Mendojmë për antropologë dhe sociologë të cilët, nga ana tjetër, kanë gërmuar në besimet më të lashta dhe më të largëta, për të ringjallur mendime magjepsëse, që janë shumë larg nga gjithçka që dimë.
Ende ekziston sot, në një vend shumë të largët, një “legjendë” – nëse mund ta quajmë kështu – e cila përjetësohet si një histori para gjumit për t’u treguar fëmijëve dhe e cila, në të kaluarën, është kthyer në një debat të vërtetë pas botimeve të antropologut dhe sociologut Bronisłav Kasper Malinovski, në të cilat përmendet legjenda e Ishullit të Tumës.
Një legjendë e lidhur me një mendim të egër dhe magjepsës që i atribuohet Trobriandesëve, banorëve të Ishujve Trobriand, tani të njohur zyrtarisht si Ishujt Kirivina, dhe me një vizion të një parajse transcendentale, që përfaqëson pikën e lidhjes midis vdekjes dhe jetës, të lidhura në thelb me njëra tjetrën.
Legjenda e Ishullit Tuma
Pyetja për misterin e jetës, teorizimi i asaj që ndodh, dhënia e shpjegimeve për gjithçka që nuk është e dukshme për sytë tanë, është ajo që të gjithë bëjmë. Mendimi i Trobriantëve, megjithatë, është vërtet tërheqës dhe nuk ka asgjë në kulturën perëndimore të krahasueshme me të.
Ishte pikërisht antropologu Malinovski që e nxori në dritë, në një nga monografitë e tij më të rëndësishme mbi këtë kulturë: Argonautët e Paqësorit Perëndimor. Brenda këtij botimi (është meritë e tij që i ka bërë të njohur banorët e Trobriandit në Perëndim), antropologu analizon besimet e kulturës së tyre, në lidhje me funksionin e çiftëzimit dhe riprodhimit të këtij qytetërimi. Por ka një aspekt edhe më magjepsës dhe të paparë që ka tërhequr vëmendjen tonë dhe ka të bëjë me rëndësinë që fisi i jep jetës pas vdekjes.
Një premisë është një domosdoshmëri: Trobrianderët nuk kanë frikë nga vdekja sepse ata besojnë në një jetë pas kësaj, të udhëhequr nga shpirtrat e tyre. Sipas një legjende, një herë në vit, ata vizitojnë fshatrat e tyre me rastin e festivalit milamala.
Po ku jetojnë këta shpirtra gjatë pjesës tjetër të kohës së tyre? Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje zbulohet një e vërtetë magjepsëse që është vite dritë larg nga gjithçka që dimë dhe që mund ta përmbledhim në legjendën e ishullit Tuma. Sipas qytetërimit, në fakt, çdo lindje – dhe për këtë arsye çdo jetë e re – fillon me vdekjen e një individi tjetër.
Versioni poetik i këtij cikli jetësor sipas Trobrianderëve gjen pikën e tij të referencës në ishullin e vogël Tuma, parajsën e Trobiandit. Këtu, shpirtrat vijnë pas vdekjes. Gjithashtu këtu, ata bëjnë një jetë shumë të ngjashme me atë që kishin në tokë, por shumë më të këndshme mes ngjyrave dhe aromave të natyrës së egër. Një Eden, në çdo kuptim, që nuk krijon asnjë nostalgji tokësore.
Por pikërisht këtu jeta përjetësohet në atë vizion primitiv dhe gati magjik. Pasi i ndjeri shkon në Tuma, ai mund të qëndrojë në ishull sa të dojë, dhe pastaj të kthehet. Kur shpirti, në fakt, e ndjen këtë dëshirë, ai mund të shkojë në det dhe të lërë të tërhiqet nga valët e detit, derisa shpirti i një nëne të ardhshme ta shohë dhe ta shoqërojë në barkun e gruas. Kështu, ai do të rilindë.
Kështu del një e vërtetë që nuk lë vend për imagjinatën: lindja dhe vdekja janë të lidhura ngushtë dhe e dyta është e nevojshme për ta bërë jetën të lulëzojë.
Lidhja midis lindjes dhe vdekjes në kulturat e tjera
Por ai i Trobrianderëve nuk është besimi i vetëm që vendos lidhjen midis vdekjes dhe jetës së re në qendër të gjithçkaje. Një ese interesante antropologjike e botuar nga Riccardo Bosi në Olos dhe Logos, rishikon një seri të tërë besimesh që kthejnë të njëjtin model, megjithëse me disa ndryshime.
Grupi etnik Tamil, një pakicë që jeton në Sri Lanka, feston më 27 nëntor ditën e maaverars, ose heronjve që ranë gjatë betejave për liri. Ndryshe nga trupat e tjerë që zakonisht digjen, këta varrosen në një vend të quajtur tuillam illam. Këto janë “shtëpitë e gjumit” – kopshte të harlisura dhe të mirëmbajtura – brenda të cilave heronjtë mund të pushojnë.
Besimi thotë se maaverar nuk janë në të vërtetë të vdekur, ata thjesht pushojnë, flenë. Dhe jo sepse duhet të ringjallen, por sepse prej tyre do të lindin heronj të tjerë. Prandaj, vdekja shënon fillimin e jetës së re.
Gjithashtu në Benin, në fisin Tangba, mund të gjejmë lidhje të ngjashme midis lindjes dhe vdekjes. Në këtë rast besohet gjerësisht se janë paraardhësit ata që lindin fëmijë, ose të paktën i lindin ata, edhe kur nuk janë më në këtë tokë. Vdekja, në fiset e Beninit, është e krahasueshme me natyrën dhe rrjedhën e stinëve: kur frutat piqen dhe bien, ato lënë farat e reja në tokë. Kështu, njerëzit që vdesin lënë pas trashëgiminë më të madhe dhe më të çmuar të të gjitha kohërave, atë të një lindjeje të re. Dhe cikli i jetës mund të ecë në rrjedhën e vet.
Vdekja si rilindje
Legjenda e ishullit Tuma, si dhe besimet e disa fiseve, nuk kanë të bëjnë me rimishërimin. Ekziston një lidhje e ngushtë dhe e pazgjidhshme midis vdekjes dhe lindjes, e cila sidoqoftë nuk përkthehet në zhvendosjen e shpirtit i cili, pasi lirohet nga trupi të cilit i përket, përfundon në një tjetër.
Në rastet që kemi analizuar më lart, jo vetëm që ka një vazhdimësi që përjetësohet në një lloj rrethi të pafund, por është një hap real i nevojshëm për të siguruar që cikli i jetës të përfundojë. Sikur vdekja të ishte një hap që duhej arritur dhe përfunduar, për të bërë të mundur lindjen e një jete të re.
Këto teori sigurisht që kujtojnë ciklin jetësor biologjik, i cili ka të bëjë me të gjitha krijesat e gjalla të kësaj bote, por që nuk i konsiderojnë lindjen dhe vdekjen si dy ngjarje të palidhura, si pikënisjen dhe pikën e mbërritjes së individëve. Këtu të gjithë janë pjesë e “gjithçkaSë” dhe bëhen protagonistë të ciklit të jetës përmes vdekjes, një rit kalimi i nevojshëm për të krijuar jetë të reja. / bota.a