Nga Mira Kazhani
Për të gjithë, nata e ndërrimit të viteve është një moment reflektimi. Reflektim për atë që ikën, por sidomos kurioziteti për atë që vjen. Ky nuk ishte një vit dosido për shqiptarët. Në përgjithësi historia kujdeset që ne si popull të mos kemi kohë të reflektojmë. Si thonë kinezët atë shprehjen në formë mallkimi “jetofsh në kohëra interesante”! Është mallkim, jo urim, sepse vetëm në kohëra interesante njeriu nuk ka kohë të jetojë për veten. Kështu, ne shqiptarët, një popull i vogël me gjëma të mëdha, vazhdojmë të krijojmë më shumë ngjarje sesa jetë personale. Vazhdojmë, siç thotë Konica, të mrekullohemi pas kultit të individit. Kështu duhet të jetë dhe nëpër botë të tjera.
Thellë, ia vlen të besosh se kudo të shkosh do gjesh të njëjtat ëndrra, të njëjtin sistem, familja, puna, karriera, dashnorja, divorci, komenti acid në Facebook, fotoja në Instagram, çanta, pushimet, ushqimi i mirë dhe “dua të shkoj te psikologu, se kam ankth”. Nuk janë më mirë sesa ne të huajt, por nuk kanë muret tona. Ne vazhdojmë të jemi një shoqëri e mbyllur, pa limite morale më! Ne këtë vit kemi shkruar çfarë kemi menduar! Ne ende bëjmë like aty ku sharja, krimineli, politikani (poshtë tij militantët) është! Jo se nuk bëjnë amerikanët kështu. Ata për atë punë zgjodhën për president një burrë që nuk i ngjan asnjë presidenti dhe as presidentit si punë. Prapë, ani, janë ndryshe! Të huajt janë të sjellshëm në aeroport, në avion, në ashensor, në dyqan, në park, në metro! Ne qeshim vetëm kur na bëhet qejfi për ndonjë që e kemi inat. Druaj se shumica nuk e di se e qeshura, përveçse muskuli i gëzimit, është një gjest mirësjelljeje. Ne edhe këtë vit u bëmë simpatizantë të njërës palë. Kështu bëhen edhe në vende të zhvilluara, se si thoshte Martin Luter King, të paanshmit do digjen në ferr, sepse nuk morën anë në ditë të vështira për vendin e tyre. Por ne nuk marrim anë për atë që duam. Anën, kryesisht, e tregojmë me atë që nuk duam, sepse shajmë shumë. Merremi me familjen. Bëjmë presion me rrena, video, foto, statuse… Ne jemi ajo që shajmë! Në këtë trend ku qemë edhe këtë vit, ka edhe raste përjashtues.
Ka pa asnjë dilemë, shqiptarë plot që nuk shohin televizor por shohin netflix dhe kanë braktisur paçavuren e madhe. Ata janë mëkatarët më të mëdhenj, sepse po jetojnë për veten e tyre dhe vetëm indiferentët mund të luftojnë për një Shqipëri që qesh. Qëparë, pak para se të ulesha për të hedhur “25 rreshtat”, më doli kënga e vitit e Top Channel. I kishin kënduar rrugës për në Prizren. Këngë e bukur shumë por një televizion i madh, duhet t’i këndojë aspiratës së vendit të tij. Çfarë do bësh në Prizren sot njëherë? Pse pak këngë kishte për Europën?! Do doja shumë t’i thurnim këngë Europës së bukur me katedrale dhe xhami! Me puthje dhe të drejta njeriu! Me parfum dhe pasta! Me vend edhe për ne!
Do doja shumë që këtë vit të zbuteshim pak. Nuk është as paraja e tjetrit gjithçka, as suksesi i tjetrit, as fatkeqësia e tjetrit që bën jetën e dikujt më të mirë.
Kështu, le të vijë Janari, me shpresën se ka vend për reflektim nga të gjithë. Por sidomos le të vijë Janari se na zuri pema, pizhamat me elementë Krishtlindjesh e Viti të Ri, kartolinat e gatshme në seri në Whatsapp! Le të vijë Janari, të jetojmë për veten dhe të punojmë sa më shumë për ëndrrat dhe jetën tonë, e cila po të jetë normale, si fillim, bëhet edhe magjike!(tiranapost)