“Më ngjan dita më e përshtatshme për të mos iu përshtat kornizave formale, sot që përkujtojmë një njeri që “jetoi si mendimtar i lirë”, jashtë çdo kornize, edhe nën formalizimin e hekurt të diktaturës. Është dita, mos me iu pershtat nderimeve ceremoniale, se vetë At Zefit do t’i ngjanin si “kunora që çohen në funerale që i vdekuni s’i sheh”.
Dekoratat, çmimet dhe fjalët e bukura janë kallp e amballazhim fals për një njeri që mision kishte të vërtetën lakuriqe. Për më tepër, në një vend kaq të trazuar si yni ku shpesh edhe nderimet e çmimet janë ndotur e përzier, mes viktimave dhe persekutorëve.
E gjitha kjo ka ndodhur pikërisht se ka munguar guximi dhe ndershmëria për t’u përballur me të shkuarën. Që ujrat do të mbesnin gjatë të turbullta, që prirja do të ishte për të përzier egjrën me grurin, të ligun me të mirin, e kuptoi shumë herët At Zef Pllumi dhe na dhuroi një libër udhërrëfyes, një Bibël të mendimit, librin amanet për brezat e rinj, librin që shpjegon me vërtetësi dhe pa mllefe e urrejtje gjithë ferrin komunist.
Unë nuk e di nëse ne, brezi ynë, jemi mjaftueshëm në gjendje për ta kryer plotësisht këtë mision: ta njohim, ta analizojmë, ta pranojmë të shkuarën për të shëruar dhe paqëtuar të ardhmen. Di veç të them që çdo veprim në këtë drejtim është një gur i vogël që vendosim për të pastruar themelet e kalbura.
Këtij misioni i shërben nisma e hapjes së dosjeve të ish sigurimit të shtetit që e promovuam në fillim të këtij viti me hapjen e dosjes së Musine Kokalarit, të cilës tashmë iu botua edhe vepra.
Këtij misioni i shërben dhe ndërtimi i një intinerari të “Rrugëve të kujtesës”, të vendosur në prioritetet e politikës sonë kulturore, si pikëtakim me të shkuarën për të mos harruar dhunën komuniste, e për të mos e lejuar të përsëritet, projekt që nisi me hapjen “Shtëpisë me Gjethe”, e do ta vijojmë me reabilitimin e burgut të Spaçit, ose me atë që ka ngelur nga rrënojat e tij, me itinerarin e nisur nga Autoriteti për Informim në kampin e punës në Telepenë.
Këtij misioni i shërben dhe “Edukimi përmes kulturës” që i shkon për shtat motos së At Zefit: “kemi jetuar pa bukë, kemi jetuar edhe me pak plaçka, por pa shkollë, pa kulturë nuk jetohet”. Diktaturat i kanë rrënjët te padituria, injoranca dhe shtypja e kulturës. Një vend që ka në themel dijen dhe kulturën është vështirë të nënshtrohet.
Po gjithësesi çdo gjë që do të bëjmë do të na duket fare pak para veprës së këtij njeriu të vetëm, që e bëri pa bujë e pa premtime, si detyrim për të gjithë ata martirë që nuk u përshtatën me të keqen. Vepra e tij nuk është thjesht një autobiografi, apo një roman-histori, është një himn për virtytet njerëzore, him për qëndresën.
Është lartimi i një galerie personazhesh që përshkuan ferrin duke ruajtur njeriun brenda tyre, pa mllef e pa urrejtje, ata që deshën një tjetër Atdhe, jo atë të parrullave boshe e simboleve pa kuptim. Për njerëz si ata, siç shprehet vetë Ati “Atdheu nuk janë malet, fushat e prrojet kot: atdheu asht e drejta jote, familja, nderi yt, puna e djersa jote. Kush nuk des për kto nuk des për kurgja tjetër…”.
In Memoriam At Zef Pllumi, fjala e ministres Kumbaro në aktivitetin e zhvilluar ditën e djeshme në BKSH.