Një film që mund të përshkruhet përmes fjalëve nuk është një film i vërtetë
Shprehja e Mikelanxhelo Antonionit qëndron e vërtetë për pak filma përgjatë historisë së kinemasë bashkëkohore dhe për akoma më pak prodhime kinematografike të viteve të fundit. Megjithatë, ajo vërtetohet në tërësinë e saj nga filmi ‘Lamb’ (Qingji), i cili është debutimi kinematografik i regjisorit islandez Valdimar Johanson.
Filmi përshkohet gjatë gjithë kohës nga ndjesia e një fatkeqësie që pritet të ndodhë… ose, që ka ndodhur në të shkuarën. Ndoshta jo më kot, pas disa minutash të kaluara në peizazhet e ngarkuara me mjegull dhe heshtje, biseda e parë mes çiftit të fermerëve Maria dhe Ingvar është për mundësinë e udhëtimit në kohë. Ka diçka që nuk shkon në marrëdhënien e të dyve. Punët kryhen qetësisht dhe në pamje të parë, gjithçka duket e pastër dhe në rregull, por ngulmimi se janë të lumtur me të tashmen nënkupton se ka diçka që mungon në jetën e tyre.
Ngjarjet zhvillohen ngadalë dhe me monotoninë e jetës së përditshme të çiftit Maria dhe Ingvar, të cilët manaxhojnë një fermë delesh. Madje, edhe kur një prej deleve lind Qingjin e titullit të filmit, një krijesë që nuk duket të jetë as njeri e as kafshë, kjo pranohet lehtësisht nga të dy si diçka krejt normale. Qingjit i vendoset një emër (Ada) dhe trajtohet nga fermerët si të qe fëmija i tyre i vërtetë.
Përgjatë 107 minutave, Johanson dhe skenaristi Sjon (poet dhe romancier islandez) arrijnë të ndërthurin me një aftësi të pazakontë elemente të dramës, horrorit dhe komedisë, pavarësisht faktit se është filmi i tyre parë. I realizuar nga dikush tjetër, “Lamb” mund të kishte dështuar në mënyrë spektakolare, por në duart e Johanson dhe Sjon, ai kthehet në një paralajmërim ndaj rrezikut të kërkimit të lumturisë perms delirit dhe iluzionit.
Ndonëse “Lamb” është marketuar për disa muaj si një film horror (deri diku me të drejtë), frika në të nuk shfaqet në mënyrë klasike. Filmi përmban disa skena të “përgjakshme” dhe momente tronditëse. Megjithatë, frika e vërtetë qëndron tek tensioni i vazhduar, ndodhitë e paspiegueshme që thjesht pranohen nga personazhet, ndoshta ashtu siç çdokush do të pranonte lumturinë, sado delirante që ajo të shfaqej. Me fjalë të tjera, frika e vërtetë që ky film përcjell është trishtimi që ai përmban dhe brishtësia njerëzore përballë ashpërsisë së jetës dhe iluzionit të lumturisë./Gazetapasqyre.al