Gjigandët e gastronomisë franceze kanë bërë homazhet e tyre për nder të kuzhinierit francezo-zviceran Benoît Violier, i cili u gjet i vdekur në shtëpinë e tij të dielën.
Violier dyshohet se qëlloi veten me armë, për shkaqe ende të paditura.
44 vjeçari ishte shef kuzhine i Restorant de l’Hotel de Ville në Crissier, pranë Lozanës dhe ishte shpallur si më i miri në botë, në dhjetor nga La Liste. Në vitin 2013 ai u nderua si shef i vitit nga guida Gault et Millau.
Marc Veyrat, një tjetër kuzhinier me tre yje, tha se ishte “shkatërruar” nga lajmi i vdekjes së Violier.
Në një intervistë për televizionin zviceran TV RTS, në dhjetor të viti 2014, Violier tha se stresi i kuzhinës ishte i nevojshëm për të ruajtur standardet.
“Eshte jeta ime. Shkoj të fle duke gatuar dhe zgjohem për të gatuar “tha ai. Vitin e kaluar ai u godit nga vdekja e babait të tij si dhe nga vdekja e “mentorit” të tij Philippe Rochat, të cilin e konsideronte si një “baba të dytë”.
Fredy Girardet, një mik i Violier dhe i grua së tij Brigitte dhe një tjetër titan me tre yje i kuzhinës zvicerane, i cili më parë ka drejtuar restorantin Crissier, tha se ishte “plotësisht i habitur” nga ky lajm. Ai i tha për Tribune de Genève se “nuk mund të shoh asnjë motiv për një akt të tillë. Ai ishte një njeri i shkëlqyer i ri, me talent të madh dhe një potencial mbresëlënës në punë. Ai na dha përshtypjen e të qenit i përsosur. Ky lajm është kaq i trishtuar”.