Kur jeton në Sodoma dhe bie shi moralistësh- titulli i autorit
Nga Elvin Nuri
Ditët e fundit mund të thuhet se kemi asistuar në një ringjallje, gati biblike, të hakmarrjes dhe predikimeve moraliste. Gati – gati në të gjitha mediat online të Tiranës së lirë kanë shpërthyer shkrimet, komentet, opinionet që godasin me shpatën e retorikës mu në zemër të proto-degjenerimit. Me britma që shoqërohen plot pikëçuditje, këta laokontë flasin për degjenerim, kurva dhe homoseksualistë jo-homoseksualë. Njerëz nga të gjitha fushat, profesionistë mediash, profesionistë të eseve plot me emra autorësh, profesionistë të idesë konservatore (moderne) të fshehjes së “llumit” në WC, me ujë, dhe ngritjes në piedestalin e vëmendjes publike të arsimit, moralit, vlerave dhe “modeleve shoqërore të shkëlqyeshme”.
Një tufë hunj që godasin dhe ky det degjenerues mediatikash ku notojmë hapet në dysh, populli qelibar që i ndjek nga pas e ka rrugën e lirë…drejt tokës virtuale të premtuar. Duhet theksuar këtu se ky popull që udhëhiqet nga “modelet shoqërore të shkëlqyeshme”, të paktën virtualisht, ka përmasa të papara. Mjafton t’i hidhni një sy më të vëmendshëm mureve të rrjeteve sociale, mediave online dhe sigurisht provoni të hapni një bisedë të ngjashme me miqtë tuaj: Po bie shi moralistësh, ekspertësh të “kultures së lartë” dhe mbi të gjitha seksi (sidomos gjymtyrët seksi) si argument mediatik po sjell në modë sërish bezdinë, fyerjen publike dhe fjalorin plot me bile, kurva dhe pallim. Duhet të ndihemi me fat, po asistojmë në rilindjen e një lirie të shprehuri të paprecedent në mesin e asaj pjese të shoqërisë që historikisht ka shfrytëzuar, skllavëruar dhe përbuzur diversitetin njerëzor me “fjalor të lartë”, me një kamzhik plot paragjykime shtypëse: Revolucioni i moralistëve konservatorë gojë – shthurur dhe të nxehur. Tejet i bukur për të qënë i vërtetë.
Brirë për brirë, etika dhe komercialja po ndeshen me të njëjtat armë, përsërisim: bile, kurva dhe pallim.
Sodoma
Mëngjesin e një dite gushti të vitit ‘79 një nga vullkanët më aktivë në Evropë, si vigan në Gjirin e Napolit, Vezuvi, pasi kishte paralajmëruar me disa tërmete filloi të nxirrte tym dhe ta shpërhapte këtë të fundit në atmosferë në formën e një kolone masive të hirtë që depërtonte në qiell me qindra metra. Në këmbët e këtij kollosi të frikshëm shtrihej një qytet antik, Pompei. Banorët e Pompeit me shumë mundësi do kenë mbetur të shtangur përballë atij tymi të pazakontë mbi majën më të lartë të peizazhit që i shoqëronte prej shekujsh në të përditshmen e tyre, deri kur me shumë siguri kanë rendur nga të katërta anët me të dëgjuar një shpërthim shurdhues. Vezuvi nisi të shpërhapte gazra dhe hir vullkanik me fuqi të paimagjinueshme duke ofruar dhe një nga shfaqjet piroteknike më spektakolare që mund të ketë asistuar qenia njerëzore gjatë gjithë historisë. Fundi i Pompeit tashmë dihet. U deshën vetëm pak orë nga shpërthimi që të gjitha gjallesat e mbetura në qytet dhe në rrethina të shfaroseshin nga disa valë shkatërrimtare hiri të nxehtë, dhe vetëm pas 4 ditëve i gjithë Pompei u zhyt në një shtresë materialesh vullkanike me thellësi 6 metra. Gjithashtu ekzistojnë dëshmi që vërtetojnë se romakët nuk e dinin më vendndodhjen e saktë të qytetit qysh në vitin 120. Vetëm 40 vite nga tragjedia, Pompei ishte mbuluar edhe nga hiri i harresës.
Ishte viti 1763 kur një grup eksploruesish u bindën se mbetjet arkeologjike që po nxirrnin nga dheu vetëm 4 km larg Erkolanos (qytet tjetër antik i goditur nga shpërthimi i Vezuvit), ishin ato të Pompeit. Me përparimin e gërmimeve arkeologët nuk mund t’u besonin asaj që po u shfaqej para syve. Pjesa më e madhe e godinave, tempujt, arena, teatrot, banjot publike dhe gati e gjithë infrastruktura e qytetit ishin ende aty, të paprekura, me rendin e dikurshëm. Jo vetëm; shiu vullkanik kishte mbuluar dhe rishtazi kishte ruajtur formën e dhjetra trupave të banorëve gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar katastrofës. Trupa tregtarësh, skllevërish, dhe trupat e disa familjeve aristokrate, të gjithë të ngurtësuar gjatë aktit të fundit të jetës së tyre. Dikush u gjet, ende pas shekujve, afër monedhave, disa e kishin kuptuar vonë se duhej të largoheshin dhe u ngurtësuan ndërsa provonin të shpëtonin në momentet e fundit, të tjerë u gjetën duke u përqafuar për në përjetësi. Pompei ka ende pjesë të pazbuluara, por deri më tani mund të thuhet se janë pikërisht harresa dhe vullkani faktorët që na kanë dhuruar një nga fotografitë më origjinale dhe më afër realitetit antik. Një qytet i ngrirë në shekullin I.
Por jo të gjitha fotografitë janë “të përsosura”. Arkeologët e shekujve të kaluar sa më shumë gërmonin në Pompei, aq më shumë zbulonin se ky qytet ishte i zhytur i tëri në seks. Në Pompei janë zbuluar me qindra afreske, skulptura, sende shtëpiake, bizhuteri, poçe dhe kupa që shfaqin skena seksi. Dyshe, treshe, homoseksualitet edhe zoofili në disa raste, të gjitha të pikturuara ose të gdhendura pa diskriminim si në sferën publike edhe në atë private të qytetarëve. Më shumë prej së gjithash në Pompei binte në sy prania e kudondodhur e simbolit antik të viriletit dhe fatit: penisi. Është kudo në Pompei dhe me përmasa tejet të mëdha, i gdhendur në mure, në trotuare, diku madje sinjalizon që ndodhesh përballë një bordelloje antike. Shpesh vendosej pranë shtratit për të mbrojtur seksin nga syri i keq, po shpesh edhe varej në qafë. E dini se si u reagua përballë gjithë këtij seksualiteti eksplicit? Pasi u konstatuta që shumë prej këtyre reperteve shkaktuan një shock kulturor tek popullata dhe po vihej në dyshim miti i Perandorisë Romake si djep i civilizimit perëndimor, u vendos që të mblidhej ç’të mundej e të kyçej, deri në vitet ‘90, në dhoma ekskluzive për njerëz të fushës dhe turistë të privilegjuar. Shpesh arti erotik i Pompeit ka pësuar dhe vandalizma apo edhe bllokime të përsëritura të gërmimeve, në varësi të autoriteteve të kohës. Dukej qartë se Pompei ishte kryeqendra antike e degjenerimit. Por çfarë ishte gjithë ky degjenerim?
Në fakt demagogë dhe teologë të të gjitha feve monoteiste ndër shekuj e kanë lidhur seksualitetin e Pompeit pikërisht me fundin e tij tragjik. Paralelizmat mes qytetit biblik Sodoma dhe Pompeit vazhdojnë ende sot e kësaj dite. Të shumtë janë ata që ende mbështesin idenë se ashtu si Sodoma edhe Pompei u zhduk nga faqja e dheut si hakmarrje e vetë vullnetit hyjnor ndaj mosbindjes dhe perversitetit seksual. Ngjashmëritë mes dy rasteve janë të frikshme. Sipas krishtërimit, Sodoma, vendodhja e së cilës ende nuk dihet, u rrafshua nga faqja e dheut me një shi zjarri pasi banorët e këtij qyteti kryenin haptazi marrëdhënie seksuale mes së njëjtës gjini dhe kishin provuar të abuzonin seksualisht me dy ëngjëjt e dërguar nga vullneti hynor. Nga katastrofa, vetëm Loti (personi i vetëm që strehoi dy ëngjëjt në banesë) dhe familja e tij mundën të shpëtonin. Në traditën islame historia ndryshon vetëm në detajin se nga qielli mbi Sodoma nuk ra zjarr por gurë. Çuditërisht në këtë detaj kanë ndryshuar edhe metodat e ndëshkimit të homoseksualëve në të dyja kulturat. Ndërsa në Evropë homoseksualët janë ekzekutuar historikisht me zjarr (në disa raste deri në shekullin e XIX), në kulturat që janë bazuar tek shariati është praktikuar ndër shekuj goditja me gurë. Interesante mbetet këndvështrimi i fesë hebraike ndaj shkatërrimit të Sodomës. Ky qytet sipas traditës hebraike nuk u shkatërrua si pasojë e homoseksualitetit por për shkak të mungesës së theksuar të mikëpritjes, nivelit të lartë të egoizmit dhe mungesës së sinqeritetit në raport me fenë.
Morali i pushtetit – Morali i mishit
Në Pompei janë zbuluar deri më tani mbi 40 bordello (lupanari) dhe 7 klube private seksi, duke mos llogaritur këtu dhe bujtinat e panumërta të qytetit që shpesh shisnin seks, të gjitha këto të mbuluara nga një art erotik që në ditët e sotme ka vlera të jashtëzakonshme. Një numër shumë i madh ky ambjentesh të destinuara për tregtinë e mishit në një qytet që llogaritet të kishte një numër mes 6000 dhe 20000 banorë. Çmimi për një shfaqje seksuale varionte nga kostoja e një cope bukë deri tek favoret politike mes shtresave të larta të shoqërisë. Perandoria Romake faktikisht nuk kishte një përqasje moraliste ndaj prostitucionit deri kur Çezarin e pasoi Augusti dhe ky i fundit zbatoi një sërë ligjesh konservatore që mbronin familjen si qelizën bazë të rendit dhe trashëgimisë perandorake. Tradhëtia bashkëshortore nisi të cilësohej si krim i rëndë ndërsa vetë seksi me pagesë nuk konsiderohej si tradhëti. Ironikisht moralizmi i Augustit i çoi fitimet nga prostitucioni në një boom historik. Gjithashtu me ligjet e reja u kërkua për të gjithë personat, në shumicë dërrmuese skllevër të cilët ushtronin apo duhet të ushtronin prostitucion, që të regjistroheshin në regjistrat perandorakë. Në këtë mënyrë me mijëra persona që ishin detyruar nga skllavopronaria apo nga mizeria ekonomike për të shitur trupin, fitonin një status juridik që do t’i përndiqte gjatë gjithë ekzistencës së tyre. Jo vetëm, këta skllevër të seksit duhet të mbanin dhe një kod veshjeje që i diferenconte nga e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë dhe këtu nisi edhe përjashtimi shoqëror dhe barrierat e pjesmarrjes në jetën publike të qyteteve të kohës. Duke eleminuar dukshëm empatinë ndaj këtyre krijesave që shiteshin në Pazar, pas moralit të Augustit erdhi koha e perandorëve si Kaligula apo Neroni. Për shembull Kaligula i bëri llogaritë mirë dhe nisi të taksonte prostitucionin në të gjithë perandorinë, duke tejmbushur rishtazi arkat e shtetit edhe ato vetjake. Po kush e kontrollonte vërtet këtë biznes kaq fitimprurës? Kush tjetër përveç elitave ekonomike të qyteteve, pikërisht ata që mbroheshin/mbronin ligjet e moralit dhe porosisnin veprat më të mira të artit erotik. E gjitha kjo duke përdorur menaxherë të dytë apo të tretë, pasi aristokracia e kohës duhet të ruante imazhin e saj publik. Madje në Pompei janë gjetur disa bordello apo klube seksi private në pjesët e pasme të shtëpive luksoze, aty ku nuk depërtonte syri i shoqërisë.
Por a ishte Pompei epiqendra e seksit dhe shthurjes në të gjithë perandorinë? Sipas studjuesve, jo, ishte thjesht një qytet si gjithë të tjeret, as më pak e as më shumë se një deviant i kohës dhe sigurisht jo më i lavdishmi. Pompei ishte një qytezë tregtarësh, tejet i zakonshëm për kohën e vet. Ajo që e bën unik është mënyra se si u ruajt në hi në një çast delikat të moralit romak. Epiqendra perandorake e seksit nuk kishte si mos të ishte vetë Roma. Por sipas historianëve provat e degjenerimit të kryeqytetit perandorak ndoqën shijet dhe vendimmarrjen e sovranëve, ndryshe nga Pompei që u eklipsua nga Vezuvi shumë herët. Për sa kohë lulëzonte, Pompei ndiqte trend-et e Romës, dhe sigurisht Roma i nënshtrohej shijes dhe kokës së sovranit.
Vetëm 3 vite para shpërthimit të Vezuvit, afresket me përmbajtjen më të lartë seksuale u mbuluan në banjot publike të qytetit. Pas rënies së Neronit dhe ardhjes në pushtet të Vespasianit, ky i fundit solli një moral të ri i cili vazhdonte të shfrytëzonte keqazi prostitucionin për të mbushur arkat por nga ana tjetër filloi të eleminonte dhe të censuronte artin erotik nga vendet publike të qyteteve romake. Pikërisht sapo ndikimi i ri konservator po fillonte të censuronte qytetet, Vezuvi shpërtheu. Sipas studjuesve shthurja e Pompeit ishte normale për kohën e vet, dhe nëse tragjedia natyrore do të kishte ndodhur vetëm pak vite më pas, shumë pak do të kish mbetur nga ajo trashëgimi artistike, erotike, morale dhe e shfrytëzimit në Pompei, si pasqyrimi i një realiteti krejt “të zakonshëm” i të gjithë Perandorisë.
Hic habitat felicitas
Raporti mes moralit, artit erotik dhe prostitucionit në Romën e lashtë të bën të reflektosh disi kur përballesh me fluksin e lartë të komenteve dhe të artikujve që godasin “shthurjen mediatike” të Shqipërisë bashkëkohore. Duket sikur të gjitha ato britma me bile, kurva dhe pallim nuk bëjnë tjetër veçse fryjnë efektin pezmatues që nxit ndjenja e fajit pse publikut, haptazi, i pëlqejnë historitë e suksesit (apo dështimit) me sfond seksual. Me shumë të drejtë gjithkush mund të pretendojë nga shoqëria që e rrethon më shumë art unik dhe puritan në mes të kësaj klime kulturore komerciale që selekton pak dhe masivizon shumë, por të ofendosh publikisht individë të caktuar apo edhe shijet e publikut mbetet një gjest totalitar. Ndoshta këto britma gati – gati histerike mbulojnë ose narkotizojnë më shumë nervin e interesit të publikut për “kulturën e lartë” apo për një arsim më cilësor. Kjo sepse rrethi vicioz që krijohet përqendron sërish vëmendjen e opinionit publik tek forma dhe për pasojë maskon sërish interesat ekonomike apo të pushteteve që prodhojnë/shfrytëzojnë seksizmin e masivizuar në media. Sidomos kur argumentet kundër “pornografisë mediatike” qelben era homofobi, sektarizim kulturor apo diskriminim i pastër.
Nga ana tjetër, mendësia apo pretendimi se hapësirat mediatike janë arena ku volitet me patjetër të përplasen interesat, vizionet dhe ëndrrat publike, mbetet arkaik. Me perëndimin dhe fosilizimin e mediave shtetërore apo ato të shërbimit publik (ato që edukojnë popullin!) nuk duket më me vend kërkimi maniakal (shumë shpesh dhe me dhunë verbale) i etikës dhe i ndjenjave komunitare nga mediat private kur “topi” është i dikujt tjetër. Po të çmontohej, gradualisht, ideali i publikut si qendër e spektaklit mediatik, do të kuptohej se mediat nuk po shesin më produktin tek audienca por po shesin audiencën e tyre tek produkti. Nëse kjo filozofi po prek edhe politikat dhe investimet publike në vendin tonë, nuk mbetet kurrsesi alternativë e vetme të mprehet shpata e puritanizmit dhe e “kulturës së lartë”, por ndoshta do të funksiononte ajo e kërkesës për transparencë reale.
Shumica e bordellove të lira të Romës antike, gjithmonë sipas studjuesve, nuk shisnin vetëm shfaqje seksuale të shkurtra, jo komode dhe pa higjenë, por edhe fantazinë e një përvoje gati idilike. Kjo e fundit ndillej nga afrekset nëpër mure plot me skena dhe pozicione seksi mbi dysheqe dhe jastëkë të modës e të rehatshëm. Madje mbi hyrjen e njërit prej bordellove është gjetur edhe shkrimi: Hic habitat felicitas – Këtu banon lumturia.
Për ta mbyllur, të ma falni herezinë, “kush nuk ka mëkatuar”, le të fikë televizorin!