Kush do ta luajë “Stalinin” shqiptar?”

stalinNga Luan Rama

Ja pra një lajm që na bën të kthejmë sytë nga historia dhe bota jonë shqiptare: aktori i famshëm Gerard Depardieu do të luajë një film për Stalinin, sipas adaptimit të librit të Jean-Daniel Baltassat «Divani i Stalinit» që ka bërë mikesha e tij e vjetër, aktorja Fany Ardant. Debardieu në rolin e Stalinit! Jam kureshtar dhe e imagjinoj një çast këtë aktor me një mjeshtëri të jashtëzakonshme nga Novecento,Të mjerët, Kolonel Shaber e Christofor Colombo e deri në filmat e fundit. Gjithnjë Gerard me njëmijë fytyra. Por Stalini padyshim do të jetë nga me të vështirët… është si një ecje mbi litar në cirkun e madh të artit, pasi Stalini, të cilin e kemi parë aq shumë dhe kemi jetuar aq shumë me fytyrën e tij gjatë viteve të kaluara, sa vështirë ta përafrojme “binomin” e ardhshëm Stalin-Depardieu.

Dihet që Stalini ishte një “kinofil” i jashtëzakonshëm: nga skenarët e zhdukjes së “armiqve imagjinarë” deri në seancat e natës, që vazhdonin deri vonë dhe ku shpesh, në Kremlin apo në “daçën” e tij ai thërriste regjisorët e shquar rusë apo aktorët që e interpretuan figurën e tij në filmat sovjetikë që të kalonin natën me të. Seanca me filma sovjetik për marshimin e madh dhe filma amerikanë për vete: kaubojsat e Teksasit të largët vraponin në ekranin e “Babait të Madh” të popujve sovjetikë. Në një shkrim në Le monde, Samuel Blumenfeld tregonte se një natë të tillë, Stalini i thoshte Mihail Gelovani-t, aktorit që e interpretonte: “Duhet të më vështrosh gjatë gjithë kohës dhe të mos humbas asnjë detaj nga personi im”… dhe pastaj ai vazhdonte: “Si më shikon ti mua? – Ashtu siç ju shikon populli, shoku Stalin! – Ja një përgjigje e mënçur! – i kishte thënë Stalini. Veç tij, që kishte një aksent gjeorgjian, (Gelovan e interpretoi atë në pesë filma të ndryshëm) Stalinin e interpretoi dhe aktori tjetër Aleksej Diki, i cili kishte një aksent rus. Ai thoshte se “unë e interpretoj Stalinin si të jetë një bllok graniti»! Dhe ishte vërtet pasi në filmin që kemi parë, Stalini i tij është aq i ngrirë saqë duket si një copë guri monolit që e ka vështirë të rrotullohet dhe të qeshurën e ka të ngrirë, siç bie në sy menjëherë në filmin «Rënia e Berlinit». Po ç’rëndësi ka kjo. Stalini e pëlqente veten e tij! Dhe kur e pëlqente Stalini e pëlqente dhe Populli. «Stalin-Popull»… «Enver-Popull»… Mesia!… A nuk ishte kështu?

Mbaj mend që në korridoret e Kinostudios flitej njëherë për një projekt për një film me Enverin si personazh, një film për kohën e luftës. Po gjithë problemi ishte se kush do ta luante atë? Një gjë e guximshme, pasi nëse Enverit s’do t’i pëlqente, ku do të futej aktori i shkretë!… Se edhe Enveri i donte filmat, jetonte me to, pas skenareve mbi proçeset politike dhe zhdukjen e kundërshtarëve, ishin filmat. Jeta dhe vepra ishte njê inskenim, njê fim njê interpretohej çdo ditë. Ashtu si Stalini dhe ai kishte kinomekanikun e tij, “Qafën” siç e thërrisnim miqësisht ne të Kinostudios, pasi ishte një njeri që fati i tij, për mirë apo për keq e kishte çuar deri aty! Dhe kam përshtypjen se “Qafa” duhej të vuante nga pagjumësia, se të ishte pranë Enverit, ishte një stres i jashtëzakonshëm: një gabim dhe kushedi ku përfundoje! Kështu kishte ndodhur dhe për amerikanin Michael Kurtiz: ai mori përsipër të realizonte filmin “Mision në Moskë”, në vitin 1943, një film propagande, në kohën e afrimit sovjeto-amerikan kundër nazizmit dhe ku Stalini do të interpretohej nga një aktor teatri, Manart Kippen. Ishte koha e e “gjutetisë së shtrigave”, koha e makartizmit kundër intelektualëve të majtë. Michal Kurtiz u detyrua të përgjigjej edhe për këtë film para proçesit të madh të senatorit Mac Carthy… Por kjo nuk ndodhi me aktorin francez Alain Ducellier që luajti Stalinin në filmin “Ekzekutim i zakonshëm”, të konceptuar kësaj rradhe me një mjeke urologe dhe që çdo mbrëmje, një gaz ushtarak e merrte dhe e sillte nê Kremlin që t’i bënte Stalinit kura manjetizmi për t’i lehtësuar dhimbjet… Korridore të gjatë, roje… përsëri korridore… të tjera roje, oficerê, kamera nê vêzhgim, gjithnjë nëpër natë, në terrin ku nuk dihej ku shkohej dhe ku çuditërisht korridoret në godinën hijerëndë të stilit sovjetik në Tiranë ishin po aq hijerënda!

Aktorin Gerard Depardieu do ta shohim së shpejti si një sozi të Stalinit. Nuk dimë, kur do të vijë koha dhe kush do ta luajë “Stalinin” shqiptar?…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *