Këtë herë është filmi “Kur xhirohej një film”, 35 vjet pas realizimit, që “pushton” Israelin. I subtitruar në hebraisht, ai do të prezantohet përpara publikut hebre në 30 tetor në sallën qëndrore të Sinematekës së Tel Avivit e cila është përkujdesur veçmas për këtë event. Në vazhdim, do të jetë Sinemateka e Haifës dhe Sinemateka e Jerusalemit që do të organizojnë në 31 tetor dhe 1 nëntor premierat speciale të filmit “Kur xhirohej një film”.
Pas filmit “Tomka dhe shokët e tij” që veçanërisht dy – tri vitet e fundit ka tërhequr vëmendjen e kritikës së specializuar dhe spektatorit në Francë, Amerikë e veçanërisht Britaninë e Madhe ku vetëm gjatë vitit 2014 është shfaqur në 19 qytete të saj, një tjetër film i regjisores së mirënjohur Xhanfise Keko kontakton me spektatorin e huaj.
I shoqëruar dhe prezantuar nga Elvira Diamanti, Drejtor i Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit, filmi “Kur xhirohej një film”, shkon në eventin më të fundit i kuruar me shumë kujdes nga producenti Genc Përmeti, si distributor i licensuar i QKK për të drejtat e krijimtarisë së regjisores Xhanfise Keko jashtë territorit të Shqipërisë si dhe falë bashkëpunimit të tij me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Ambasadën Shqiptare në Israel.
Filmi “Kur xhirohej një film” i shumë diskutuar në Shqipërinë e vitit 1981 kur u realizua dhe prezantua për herë të parë në ekranin shqiptar për temën e tij “tabu”, pas vlerësimit me çmim special në Festivalin e Giffonit, Itali më 1983, është shfaqur e vlerësuar gjatë këtyre viteve edhe në mjaft evente ndërkombëtare filmi si në Danimarkë, Kanada, Siri, Algjeri, Francë, Greqi, më i fundit në mars të këtij viti, Festival Du Reel në Paris.