
Nga Joniada Koçi
Të lutem Zot, më lër ta rris vet vogëlushin tim. Këtë lutje i drejtoj disa herë në ditë Perëndisë. Teksa ushqeja tim bir me gji bashkëshorti më informoi se në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër kishin ndodhur mënxyra e rradhës, ishin abuzuar, edhe seksualisht, disa vajza të mitura. E në atë moment një lëmsh m’u mblodh në stomak e më pas në grykë, ndjesi që të gjithë ata që janë prindër, por në veçanti një nënë mund ta provojë e përjetojë. M’u kujtua vizita e vetme që kisha bërë para disa vitesh në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në kryeqytet. Ajo që ma coptoi zemrën në atë vizitë për shkak të profesionit tim ishte dhimbja dhe vetmija që lexova në sytë e çdo vogëlushi aty. E prej asaj kohe mundohesha t’i shmangia kronikat në këto streha, pasi nuk doja ta perjetoja edhe njëherë atë ndjesi të trishtë. Por këtë nuk mund ta bësh për shumë kohë, aq më tepër kur në një vend si ky i yni dhimbja të del shpesh para syve, e madje të imponohet. Këtu një jetim nuk është thjesht i tillë në fatkeqësinë e tij, për shkak të mungesës së prindërve, por është jetim edhe nga shteti. Kësaj radhe monstruoziteti njerëzor goditi ato vajza të mitura, përkatësisht 6, 8 dhe 11 vjeçe. Kjo për shkak të neglizhencës së institucioneve tona. Për faj tuaj, ato vajza do kenë pasoja të mëdha psikologjike, po për faj tuaj ato do ta kenë të vështirë ndoshta edhe të dashurohen me një mashkull. Po pra po, sepse ju lejoni “çunin e mamit të bukur” apo edhe të tjerë të hyjnë në institucion e të dalin me to ekskursioneve që vetë qëndra organizonte sipas dëshirës, në çdo orë e në çdo moment. Po, po, faji juaj është që lejoni ato punonjëse të sëmura psiqike të punojne në një institucion të tillë e të abuzojne me ata fëmijë fatkeq.
Po pse, rasti i parë është ky? Jo, jo është një tjetër rast i përsëritur brenda pak muajve. Po ça bëtë ju? Ç’bëtë ju ndër vite për të luftuar këto raste, asgjë përveçse keni dalë e dilni vetëm për të trumbetuar se po punoni, dërgoni nëpër komisione ligje me pretekstin se po i përshtasni me ato europiane, merrni pjesë në tryza me ndërkombëtarë me pretekstin se po punoni për të gjetur mekanizmat për të luftuar dhunën ndaj fëmijëve. Më thoni sa raste denoncimi raportohen dhe ç’masa keni marrë? Sa keni ndëshkuar ju? Këto strehëza si kontrollohen dhe sa herë e bëni këtë? Po këto punonjëse që I promovoni duke i bërë drejtoresha apo edhe edukatore, a i keni provuar për njohuritë e tyre? Përpara se t’i punësoni, a keni kontrolluar shëndetin e tyre mendor? A keni investiguar nëse këto kanë histori dhune familjare apo probleme të ngjashme? A keni menduar se mjafton të shpenzoni shumë pak, duke vendosur kamera sigurie dhe shumë raste të tilla mund të ishin shmangur? Apo ato cënojnë privatësinë? Cilën privatësi? Atë të këtyre monstrave?!
Jo pra asnjërën nga këto s’keni bërë, prandaj abuzimi me fëmijët përsëritet hera-herës. Nuk keni si ta bëni, sepse në këtë vendin tonë edhe kujdestaret, ashtu si çdo nëpunës, punësohen në bazë miku, partie, e leku, e jo në bazë aftësish profesionale. A e dini çfare?! Gjëja që dini ju të bëni më mirë është t’i hidhni fajin njeri-tjetrit e në fund ta lini atë jetim, si ata fëmijët atje në Shkodër, në Durrës, apo kudoqoftë. E bëni këtë që të dilni të gjithë të larë nga historia që prodhohen përditë, përjavë, përmuaj vetëm e vetëm nga paaftësi juaj për të vepruar. Dilni e propagandoni e kërkoni anëtarësim në BE. Flisni për gjëra të medha, për reformën në drejtësi, në një vend ku prej vitesh e vitesh mungon drejtësia sociale e shtresat vulnerabël trajtohen si në një sistem skllavopronar. Ama një gjë e dini mirë: E ardhmja e një vendi janë fëmijët, të cilëve në fakt ju po ua vrisni çdo ditë e më shumë fëmijërinë.