Nga Jonny Tomson
Përgjatë historisë ka momente të veçanta kur vërehet një “lumë gjenialiteti”. Mendoni pak se si brenda një shekulli, bota njohu Dekartin, Lajbnicin dhe Njutonin, për të mos përmendur Shekspirin, Miltonin dhe Bahun.
Ose mendoni se si brenda një brezi, dikush mund të kishte takuar hipotetikisht Bismarkun, Mbretëreshën Viktoria, Mari Kyrinë dhe Tomas Edisonin. Por e gjitha kjo nuk ka të krahasuar me atë që filozofi gjerman Karl Jaspers e quajti “Epoka Boshtore”.
Pikërisht atje gjejmë vetë origjinën e arsyes pse mendojmë ashtu siç mendojmë sot. Njerëzit modernë kanë ekzistuar prej rreth 250.000 vjetësh, dhe ne kemi jetuar në shoqëri komplekse prej të paktën 6.000 vjetësh. Më pas, brenda një harku prej vetëm 6 shekujsh, pati një shpërthim të madh të mendimit.
Gjatë viteve 800 deri në 200 Para Erës Sonë, të gjitha qytetërimet kryesore prodhuan njerëz të jashtëzakonshëm me ide të jashtëzakonshme. Në Greqi, pamë njerëz si Sokrati, Arkimedi, Hipokrati, Platoni dhe Aristoteli. Në Lindjen e Mesme, profetë hebrenj si Isia dhe Ezekieli, si dhe Zoroasteri në Persi.
Në Indi, shfaqet Buda dhe vepra e njohur hindu Upanishads. Ndërsa në Kinë, konfucianizmi dhe daoizmi, bashkë me të famshmin Sun Tzu. Epoka Boshtore na dha idenë se disa gjëra në jetë, janë pafundësisht më të rëndësishme sesa shqetësimet e parëndësishme të kësaj bote.
Ndaj Jaspers e quajti atë “Epoka Boshtore”, ku një bosht do të thotë thjesht një “vijë ndarëse”. Pra kishte kohë më parë, dhe ishte epoka që erdhi më pas. Parë nga afër, këta mendimtarë mund të duken po aq të ndryshëm sa shkumësi me djathin.
E çfarë mund të kenë të përbashkët “Dao” e Lao Tzu dhe “Eudaimonia” e Aristotelit? Por për Jaspers, kur i analizon më nga afër dhe i sheh këta mendimtarë si një e tërë, del se kanë shumë të përbashkëta. Kryesorja është lëvizja drejt asaj që quhet “universalizëm”. Të vërtetat universale, feja universale dhe morali universal.
Është ideja se në këtë botë ka disa vlera dhe rregulla që duhet të zbatohen për të gjithë, kudo, dhe pavarësisht nga rrethanat. Pse ishte e nevojshme një periudhë shumë specifike 600-vjeçare që të lindte Epoka Boshtore? Për ta shpjeguar këtë na ndihmon historia.
Epoka Boshtore ishte një periudhë ku perandoritë u zgjeruan për t’u bërë të mëdha, si për nga territori ashtu edhe popullsia. Pra ishte koha e perandorive Persiane dhe Kartagjenase, e Republikës Romake dhe e Dinastisë Zhou. Kjo do të thotë se kanë ndodhur disa gjëra të rëndësishme.
Së pari, filluan të formohen qytete të mëdha, plot me njerëz dhe ide nga rajone të gjera. Ato u bënë vendet ku mund të bashkëpunonin, debatonin dhe shkruanin gjëra të mahnitshme mendimtarët e mëdhenj. Është një e vërtetë e vërejtur vazhdimisht gjatë historisë, se kur bashkohen kulturat, ideologjitë dhe popujt, hidhen hapa të mëdhenj përpara.
Së dyti, mbretërit nuk ishin më thjesht mbretër. Përpara Epokës Boshtore, dikur një sundimtar, madje edhe një fe, kufizohej në një zonë të vogël. Një mbret do të kishte vetëm një pretendim për territorin e tij të veçantë. Zotat grekë, madje edhe Zeusi i plotfuqishëm, ishin të pafuqishëm në Kashmir. Por kjo ndryshoi me zgjerimin e perandorive. Tani mbretër si Aleksandri i Maqedonisë dhe Kiri i Persisë, pretendonin të vendosnin kontrollin e tyre mbi gjithë botën.
Së treti, kur perandoritë botërore u bënë shumë të fuqishme, njerëzit u ndjenë të pafuqishëm dhe të parëndësishëm. Morali dhe rregullat e gjeneratave të mëparshme, u zëvendësuan nga një dekadencë e re urbane. Nuk kishte më vlera për të jetuar. Dhe kështu, ideologjia dhe idetë u bënë të fuqishme në vetvete.
Ato ishin armët dhe mjetet me të cilat njerëzit mund të zmbrapsnin perandorë dhe ushtritë e tyre. Për këto arsye, ne shohim se disa tema të përbashkëta që dalin nga Epoka Boshtore.
Për shembull, në Teorinë e Formave të Platonit, Katër të Vërtetat Fisnike të Budës dhe monoteizmin e Isaias, ne shohim një vizion të idealeve transhendente, të cilat janë vendosur kundër përpjekjeve imorale dhe të kota të botës materiale.
Epoka Boshtore ishte momenti kur “E vërteta” u shfaq për të qëndruar mbi çdo “të vërtetë” tjetër të kësaj bote që mund të promovonte një sundimtar. Sot, ne jemi trashëgimtarët e Epokës Boshtore. Ajo bazohet tek ideja se sado i fuqishëm të jetë një person apo shtet, ka disa vlera apo norma, të cilat nuk mund të shkelen.
Kjo është parë në të gjitha fetë kryesore botërore, dhe në Deklaratën e OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Çdo revolucion apo lëvizje rezistence, nga Magna Carta tek Marksi, bashkohet nga besimi i kësaj epoke se disa gjëra kanë më shumë rëndësi sesa vetëm autoriteti. Për më tepër, Epoka Boshtore na dha idenë se disa gjëra në jetë, janë pafundësisht më të rëndësishme se sa shqetësimet e parëndësishme të kësaj bote. Ashtu si filozofia. / “Big Think”