Kostandin Kristoforidhi ndiqte kurse në “Robert College” në Bebek të Stambollit, kur ra në sy dhe u duk premtues për Shoqërinë Biblike. Qe fundi korriku i 1857-ës kur vendosën ta dërgonin me studime në Maltë. Do të rrinte tre vjet, duke u bërë i pari shqiptar që mësonte anglishten me themel, kujdeset të thotë Xhevat Lloshi. Njihej megjithatë, si ‘ai që lexonte Homerin në origjinal’, e njohja me greqishten e vjetër, solli përkthimin e Dhjatës së Re të Biblës, në dy dialektet, toskërisht e gegnisht. Udhëtimi i tij drejt përcaktorit ‘babai i shqipes’ kish nisur. Pas miqësisë me George Van Hahn, të cilit i mësoi shqipen, botimi i Abetarit shqip ishte puna e tij kryesore, e nuk u ndal veçse te botimi.
“Abetarja u botua në vitet 1866-’77. U botua duke pasur shembull një metodë angleze ndaj pati sukses. Kjo kuptohet qartë po të shohësh se ende diçiturat anglisht, poshtë shqiponjës e qenit për shembull. Pasi bëri botimet e para, ka ndërmarrë udhëtime nëpër Shqipëri. Me Abetaren e tij, ka hyrë nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe u ka mësuar edhe grave të lexojnë shqip. Tregon se si me net të tëra e mbanin në shtëpi dhe ai u lexonte, ndërsa njerëzit habiteshin me këtë gjuhë”. Në 190-vjetorin e lindjes së gjuhëtarit e përkthyesit, Xhevat Lloshi e rrëfen jetëshkrimin e Kristoforidhit me një zë të qetë e pa ngjyrime. Kujton se në vitet 1865–1879, të vetmit libra shqip që qarkullonin në Shqipërinë e kontrolluar nga Porta e Lartë qenë librat e tij. Me rastin e 190-vjetorit botohen edhe katër libra të tjerë të tij: “Krijesa & Të dalëtë”, në gegnisht, botimi i vitit 1872; “Psalmet” në dy dialektet të viteve 1868, 1872; “Pesë libra të Dhiatës së Vjetër”, “Historia e Shkrimit të Shenjtë” në gegnsht e toskërisht, ku përfshihen dhe “Katër katekizmat” në toskërisht e gegnisht të viteve 1867 e 1872. “Në 1917 nga Komisia Letrare e Shkodrës u mor vendimi që të botohej pikërisht ‘Historia e Shkrimit të Shenjtë’, si model për gjuhën shqipe. Pas pak muajsh Austria humbi Luftën e Parë Botërore dhe libri mbeti pabotuar. Unë këtë kërkesë e kam vënë në jetë pas 100 vitesh. Sigurisht që sot kjo gjuhë na duket shumë e thjeshtë, sepse edhe Kongresi i Lushnjës miratoi këtë variant. Edhe deri pas Luftës së Dytë Botërore, ky ka qenë varianti kryesor i gjuhës shqipe. Variantin e ka zbatuar edhe Ahmet Zogu”, tha Lloshi, duke shpallur me krenari botimin pas 100 vitesh të asaj vepre.SHQIPJA E BIBLËS PËR MYSLIMANËT E STAMBOLLIT
Në një kohë që botimet në shqipe mungonin, gjithë ç’mund të dilte ‘do të qe bestseller’ ndër capak njerëz që dinin shkrim e këndim. Xhevat Lloshi theksoi se në Stamboll kishte një komunitet shumë të madh shqiptarësh (që shkonin deri në 20 mijë). Përfaqësuesit e shoqërive biblike janë shprehur disa herë se përkthimet e Biblës në shqip i blejnë më shumë myslimanët në Stamboll. Dhe e ka një sqarim për këtë. Qe nevoja për shkrime në shqip, qofshin ato shkrime, Bibla. “Myslimanët ishin shqiptarë edhe ata habiteshin kur lexonin Kristoforidhin. Noli më vonë ka shkruar se unë e mësova shqipen, sepse mësova shqipen e mrekullueshme të përkthimit të Dhjatës nga Kristoforidhi. Duhet menduar një shekull përpara se si shqiptarët mund që të lexonin shqipen në një nivel të shkëlqyer ose poezinë e Naimit, që kurrë nuk e kishin dëgjuar më parë”, tha Lloshi, i cili për më shumë se dyzet vite ka studiuar jetën dhe veprat e Kristoforidhit dhe i ka transkriptuar në alfabetin e sotëm.
NJË EKSPOZITË IN MEMORIAM
Gjuhëtar e përkthyes, në 190-vjetorin e lindjes, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë e solli një prej veprave të tij në formatin online.
Tregimi i parë i prozës artistike shqipe, “Gjahu i malësorëvet”, shkruar nga autori në dy dialektet e shqipes, gegnisht dhe toskërisht, tanimë e gjeni në faqen zyrtare të Bibliotekës Kombëtare në internet. Tregimi u botua mbas vdekjes së Kristoforidhit te “Albania” e Konicës më 1902 dhe pati disa botime të mëtejshme, duke sprovuar dy trajta gege, atë veriore dhe atë më të ndërmjetme të Elbasanit, si dhe dialektin toskë. BKSH ka përzgjedhur botimin e vitit 1950, përgatitur nga studiuesi Ziaudin Kodra. Ky botim jep mundësinë të kryhet leximi paralel në dy dialektet si dhe të shijohet eleganca gjuhësore dhe mjeshtëria e penës së autorit. Tashmë “Gjahu i malësorëvet” mund të shfletohet online në faqen zyrtare të BKSH (www.bksh.al) dhe të shkarkohet në çdo pajisje elektronike si kompjuter, laptop, kindle, book reader, smartphone, tablet, kudo dhe kurdo. Tregimi është i vetmi shkrim i Kristoforidhit, të cili ai e ka hartuar edhe në një variant të tretë, sipas së folmes së Shqipërisë së Mesme, të Elbasanit. Ky variant është botuar për herë të parë më 1910 te “Tomorri” (Nr. 10, 11) i Elbasanit, është ribotuar më pas në “Kopshti letrar” më 1918 (Nr. 2-8) dhe si libër më 1930 në Korçë. Një kopje të dorëshkrimit ia dhuruan muzeut të Elbasanit pasardhësit e autorit më 1958.
NË UDHËT E KOSTANDINIT
Përkthyes, filolog, studiues i gjuhës shqipe dhe veprimtar thelbësor i Rilindjes Kombëtare, Kostandin Kristoforidhi (1827-1895) lindi në Elbasan dhe mësoi në gjimnazin e Janinës, ku ishte edhe mësues i themeluesit të albanologjisë, Johan Georg fon Hanit. Udhëtimet e tij e çuan në Izmir, në Stamboll e më pas në Maltë. Gjatë kësaj kohe përfundoi përkthimin e parë, si dhe hartoi një punim mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Në Stamboll nis bashkëpunimin me Aleksandër Tomsonin të Shoqërisë Biblike të Londrës. Përhapi me sukses të madh Abetaren e tij dhe libra të tjerë. Në vitin 1884 vendoset në Elbasan. Dorëshkrimet gjuhësore me punimet e tij të kësaj kohe cilësohen pasuri e madhe. Atëbotë shkroi tregimin “Gjahu i malësorëvet”, në dy dialektet e shqipes. Biblioteka Kombëtare shënon se botimi i dorëshkrimeve të tij ka një histori të çuditshme. Rrethanat jetësore Kristoforidhit dhe ato historike të vendit bënë që ky tregim të botohej mbas vdekjes së tij, te revista “Albania” e Faik Konicës më 1902, më pas pati edhe botime të mëtejshme. Këtë version më 1948 e ka ribotuar albanologu gjerman Maximilian Lambertz në librin e leximeve të shqipes, në Lajpcig.